Ekspozita

Jetë në muze

Histori shqiptare të mbetura në muzetë e botës/ Ata që ikën në kërkim të një jetë më të mirë, vijnë përmes fotove dhe historive që kanë treguar

familjeNë vitin 1956 ndërsa regjimi komunist kishte nisur të konsolidonte filozofinë e tij, fotoja e dy femrave shqiptare të veshura pantallona të gjëra dhe shami në kokë ndërsa vendosnin tulla për të ndërtuar një shtëpi, do të qarkullonte gjatë në mediat e huaja. Vajzat pa emër japin imazhin e asaj që po ndodhte në vendin që kishte nisur t’i largohej gjatë Perëndimit. Në një tjetër foto një grua që mban pallton në krahë përpiqet të shmangë vështrimet e burrave teksa merr rrogën në kooperativë. Sytë e saj janë të ndrojtur. Fotoja është bërë në vitet 1950-1959. Këto foto janë vetë dy nga qindra të tilla të shkëputura nga fotografë apo turistë që mundën të vizitonin Shqipërinë në ato vite. “Shqipnija, ndihmë për të mjeruarët nga lufta” mbishkrimi mbi një pullë postare të kohës që është ruajtur gjatë në arkivin e një emigranti. Një pullë që e vendosur në zarfin që mbante brenda letrën që i vinte nga larg. E vetmja shenjë që do t’i lidhte përgjithmonë me njerëzit që kishte lënë në Tiranë. Një qytetar durrsak, jep hotel “Vollgën” si adresë ku mund t’i vinin letra nga Bullgaria. Zarfi mban vulën me vitin 1960. Por historitë e atyre që lanë Shqipërinë gjatë regjimit komunist, duke u ndarë përgjithmonë nga njerëzit që kishin lënë këtu, do të mbetej jo vetëm në arkivat e tyre private, por dhe në arkivat e muzeve të vendeve ku shkuan. Historia e familjes Cane është një prej tyre, e cila ruhet në muzeun Victoria (Australi). Në këndin e historive të emigrantëve që iu bashkuan vendit, është shkruar dhe historia e çiftit nga Shqipëria, Idealit dhe Lumes. Ata bashkë me dy fëmijët e tyre dhe vëllain e Idealit ikën nga Shqipëria në 25 qershor 1983. Një ikje e guximshme për kohën që do t’i kushtonte muaj të tërë planifikimi të përpiktë. Kjo ikje mund t’i kushtonte dhe jetën. Në mënyrë sekrete, Ideali kishte përgatitur një shkallë që palosej për të kaluar kufirin me tela, që e ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës. I burgosur nga regjimi për shkak të pikëpamjeve të tij, Ideali kishte kohë që projektonte vetëm një gjë ikjen. Vetëm kështu mund të shpëtonte përfundimisht veten dhe familjen. Babai i tij, Emini, kishte ikur nga Shqipëria në vitin 1956, dhe pasi kishte kaluar shtatë vite në shumë vende europiane kishte emigruar në Australi në vitin 1963. Pas një viti në një kamp refugjatësh në Greqi Ideali dhe familja e tij mbërriti në Australi më 6 qershor të vitit 1984. Pas 28 vitesh ndarjeje familja tashmë mund të ishte sërish bashkë (me të atin). Pas një terrori të gjatë që kishte jetuar në Shqipëri, tashmë Ideali mund të ndërtonte një jetë të re në Australi. Në vitin 1992, Emin Cane largohet përgjithmonë nga jeta, pa mundur ta prekë edhe njëherë vendlindjen. Historia e familjes Cane me tre fëmijë mund të shihet dhe përmes fotove të vendosura në muzeu. Një ku familja ndodhet pranë tryezës duke festuar është bërë në kampin Lavria në Greqi. Tjetra i përket vitit 1984 kur familja u bë bashkë në Australi. Vështrimet e dy djemve dhe të atit janë të lumtura, që më në fund mundën të jenë sërish bashkë. Historia e familjes Cane është vetëm një nga ato qindra histori që flenë arkivave të institucioneve të emigrimit në botë. Ato shpesh kanë qenë frymëzuese për t’u kthyer në libra nga shkrimtarë të ndryshëm. Në vitin 2011, shkrimtarja Francoise Prose nxori në treg librin “Një histori amerikane” dedikuar Lulës, një emigranteje 26-vjeçare shqiptare në Nju Xhersi. Por historitë e shqiptarëve dhe jeta e tyre treguar në to shihet dhe si një model frymëzimi për kombësi të tjera që lënë vendin e tyre drejt një të ardhmeje më të mirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button