JICA grant 700 mijë euro për përmirësimin e zinxhirit ftohës të vaksinave
Qeveria shqiptare dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) nënshkruan sot në Tiranë, marrëveshjen për zbatimin e projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Mbrojtjen ndaj Sëmundjeve Infektive, përfshirë COVID-19.
Marrëveshja u nënshkrua midis drejtores së Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) Albana Fico dhe kryepërfaqësuesit të Zyrës së JICA për Ballkanin, Takeichi Jiro, në prezencë të ambasadorit të Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki.
Objektivi kryesor i projektit është të rrisë kapacitetin e ISHP-së për të luftuar sëmundjet infektive, përfshirë COVID-19.
Drejtoresha e përgjithshme e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se “pandemitë COVID-19 të deklaruara 18 muaj më parë, janë bërë barra më e rëndësishme në jetët tona. Përmes këtij projekti sigurojmë një numër të madh të dozave, trajnimin e personelit, fushatat masive të vaksinimit, një zinxhir ftohës funksional dhe shpërndarjen e sigurt dhe efektive të vaksinave”.
“Kjo mbështetje, – tha ajo, – është bërë e mundur, me ndihmën bujare të popullit japonez dhe qeverisë së tij”.
Fico, vuri në dukje se ky nuk është bashkëpunimi i parë mes qeverisë shqiptare dhe japoneze
“Unë jam dëshmitare e granteve të tjera të dhëna Shqipërisë, nga qeveria juaj. Si një ish- zëvendësdrejtore e përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kam pritur personalitete të vendit tuaj të cilët janë siguruar që donacionet e japonezëve në pajisjet mjekësore, janë ende në funksion”, tha ajo.
Ambasadorit të Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, u shpreh se “ndihma e Japonisë për të luftuar COVID-19 është e përqendruar në forcimin e kapacitetit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, përfshirë parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e tyre”.
Qeveria japoneze ka vendosur të ndihmojë Shqipërinë përmes Projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Mbrojtjen ndaj Sëmundjeve Infektive, përfshirë COVID-19.
“Ky projekt do të rrisë kapacitetet e Institutit të Shëndetit Publik në lidhje me lëvizshmërinë për përmirësimin e mbikëqyrjes epidemiologjike, si dhe do të rrisë kapacitetet teknike për ruajtjen e zinxhirit ftohës të vaksinave dhe përmirësimin e shpërndarjes së tyre në të gjithë Shqipërinë. Kjo do të thotë që vendi do të jetë në gjendje t’i përgjigjet më mirë krizës COVID-19, e cila ditët e fundit është në një rritje të re dhe do të kërkojë përforcimin e kapaciteteve të sektorit shëndetësor për t’u përballur me valën tjetër të kësaj pandemie”, tha ambasadori japonez.
Ambasadori solli në vëmendje rëndësinë e veçantë që kanë spitalet në këtë situatë pandemike.
“Përmes Ambasadës sonë, qeveria e Japonisë i ka dhënë Shqipërisë një grant prej 100 milionë jenë japonezë, ose afërsisht 800 mijë euro, me qëllim forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor të vendit dhe mbështetjen e luftës kundër Covid-19. Përmes këtij Granti, pajisje mjekësore do t’i sigurohen Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe Spitalit Rajonal të Pogradecit. Për më tepër, gjatë të njëjtit vit, Japonia ka siguruar 240.000 euro në fonde grantesh për tre spitale rajonale në vend, në Vlorë, Shkodër dhe Lezhë, për sigurimin e pajisjeve të ndryshme mjekësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe shqyrtojmë më shumë projekte në fusha të ndryshme bazuar në nevojat themelore të njeriut”, tha ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki.
Kryepërfaqësuesi i Zyrës së JICA për Ballkanin, Takeichi Jiro, theksoi se “projekti i ri i bashkëpunimit teknik JICA, do të kontribuojë për t’iu përgjigjur në kohën e duhur mbikëqyrjes epidemiologjike, si dhe mbajtjen e një zinxhiri të ftohtë vaksinash për ruajtjen dhe shpërndarjen e tyre”.
Projekti pritet të zhvillojë më tej burimet njerëzore të ISHP-së në mënyrë që t’i përgjigjet në mënyrë adekuate situatave të pandemisë.
“Kjo ndihmë, vlera e së cilës është rreth 700.000 euro, do të kontribuojë në përmirësimin e flotës së automjeteve të Institutit të Shëndetit Publik me automjete me kalueshmëri të lartë, furgonë frigoriferikë, si dhe do të rrisë kapacitetin e ruajtjes së vaksinave me ngrirës ultra të ulët që mund të ruajnë vaksinat në temperatura deri në -85 gradë Celsius. Projekti do të zgjasë deri në mars të 2022-shit”, tha ai. /ATSH/