Ekonomia

Jo më çmime abuzive për festa nga tregjet e Tiranës

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po monitoron prej ditësh në mënyrë intensive rreth 15 tregje të shitjes me pakicë në Tiranë.

Sipas Rudina Hoxhës, Drejtore e AMK-së, prej nisjes së muajit Dhjetor është rritur kontrolli në prag të festave të fundvitit, me qëllim që qytetarët mos të bien pre e çmimeve abuzive nga ana e tregtarëve.

Gjatë një inspektimi në tregun e Ish Uzinës Dinamo, Hoxha u shpreh se, “Çdo fundvit ka një tendencë për rritjen fiktive të çmimeve. Për këtë arsye, AMK-ja po ballafaqon çdo ditë çmimet e referencës, të cilat janë marrë nga INSTAT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ne gjithashtu i kërkojmë tregtarëve të afishojnë çmimet në produktet që shesin”.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po monitoron tregje të shitjes me pakicë në TiranëPor çfarë ndodh nëse do të kapen tregtarë abuzues? Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit deklaroi se menjëherë do të njoftohen organet tatimore, të cilët kanë kompetencë të marrin masa ndaj tregtare deri në konfiskim të mallit.

AMK-ja po kontrollon gjithashtu edhe kushtet higjeno-sanitare të këtyre tregjeve. “Ka vend për përmirësim” u shpreh Hoxha, e cila theksoi se institucioni që ajo përfaqëson vë në dijeni Autoritetin Kombëtar të Ushqim dhe Institutin e Shëndetit Publik në momentin që konstaton mos respektim të kushteve sanitare në këto tregje.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po monitoron tregje të shitjes me pakicë në TiranëNga ana tjetër, AMK-ja ka nisur edhe një fushatë për mos lejimin e tregtimit të gjësë së gjallë në rrugët kryesore të kryeqytetit. “Prej disa ditësh, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, nuk po lejojmë tregtimin e gjelave të detit vend e pa vend. Kjo bëhet jo vetëm për sigurinë e konsumatorit, por edhe për të sjellë një organizim më të mirë të tregtimit të gjësë së gjallë me rastin e festave” u shpreh drejtuesja e AMK-së.

Bashkia e Tiranës pritet të çelë këto ditë katër tregje provizore. Njëri prej tyre do të jetë i vendosur në zonën e Vishnjes ku do të tregtohen në mënyrë të organizuar dhe të kontrolluar nga veterinerët e bashkisë shpendët, kryesisht gjeli i detit, produkt i preferuar i tryezës tonë me rastin e festave të fundvitit.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po monitoron tregje të shitjes me pakicë në TiranëNdërsa, tre tregjet e tjera do të jenë të vendosura në Tiranë, konkretisht në Njësinë Nr.2, Nr. 3 dhe Nr.6 me qëllim shitjen e produkteve bio të njësive të reja administrative të Tiranës si Shën Gjergji, Petrela e shumë të tjerë.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka apeluar për bashkëpunim me vetë qytetarët e Tiranës, të cilët i fton të denoncojë pranë këtij institucioni rritjen abuzive të çmimeve në tregjet e pakicës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button