ArteLibri

Jon Fosse: Një gjuhë e heshtur (Ligjërata e Nobelit, 8 dhjetor 2023)

Përktheu: Granit Zela

Kur isha në shkollë të mesme, ja ç’më ndodhi krejt papritmas. Mësuesi më kërkoi të lexoja me zë të lartë. Dhe nga hiçi, më pushtoi një frikë e beftë e cila më mposhti. Sikur u zhduka brenda asaj frike dhe e gjithë qenia ime përbëhej prej saj. U ngrita dhe dola me vrap nga klasa. Vura re sytë e zmadhuar nga habia të nxënësve si dhe mësuesin vështrimet e të cilëve më ndiqnin ndërsa dilja nga jashtë. Më pas u përpoqa ta shpjegoj sjelljen time të çuditshme duke thënë se isha i detyruar të shkoja në tualet. Mund të pikasja në fytyrat e atyre që më dëgjonin se nuk po më besonin. Dhe ndoshta po mendonin se isha çmendur, po, me siguri drejt asaj rruge isha.

Kjo frikë për të lexuar me zë më ndiqte nga pas. Me kalimin e kohës, gjeta guximin t’u kërkoja mësuesve të mos më kërkonin të lexoja me zë të lartë, pasi kisha shumë frikë ta bëja, disa më besuan dhe nuk ma kërkuan, disa menduan se në një mënyrë a në një tjetër, po përpiqesha të bëja të zgjuarin.

Nga kjo përvojë mësova diçka të rëndësishme për njerëzit. Por nuk mësova vetëm aq.

Po, ka shumë të ngjarë kam mësuar diçka që më mundëson të qëndroj këtu sot dhe të lexoj me zë të lartë sot para një auditori. Dhe tani po e bëj gati pa asnjë lloj frike.

Çfarë mësova?

Në një farë mënyre m’u duk sikur frika ma mori gjuhën dhe se duhej, si të thuash, ta merrja mbrapsht. Dhe nëse duhej patjetër ta bëja këtë, kjo s’mund të ndodhte sipas kushteve të njerëzve të tjerë, por sipas mënyrës time.

Fillova të shkruaj tekstet e mia, poezi të shkurtra, tregime.

Dhe zbulova se duke vepruar kështu, m’u krijua një ndjenjë sigurie, më ngjalli të kundërtën e frikës.

Në një farë mënyre gjeta një vend brenda vetes që ishte vetëm i imi, dhe nga ai vend mund të shkruaja atë që ishte vetëm e imja.

Tani, rreth pesëdhjetë vjet më vonë, ende ulem dhe shkruaj – dhe ende shkruaj nga ky vend i fshehtë brenda meje, një vend për të cilin sinqerisht nuk di shumë, përveçse ekziston.

Poeti norvegjez Olav H. Hauge ka shkruar një poezi në të cilën e krahason aktin e të shkruarit me të qenit një fëmijë që ndërton kasolle me gjethe në pyll, ecë zvarrë nëpër to, ndez qirinj, ulet dhe ndihet i sigurt në mbrëmjet e errëta të vjeshtës.

Mendoj se ky është një imazh i mirë që tregon se si e përjetoj edhe unë aktin e të shkruarit.

Tani – si pesëdhjetë vjet më parë.

Dhe mësova edhe diçka tjetër, mësova se, të paktën për mua, ka një dallim të madh midis gjuhës së folur dhe asaj të shkruar, ose midis gjuhës së folur dhe asaj të letërsisë.

Gjuha e folur është shpesh një komunikim monologues i një mesazhi që diçka duhet të jetë kështu ose ashtu, ose është një komunikim retorik i një mesazhi që përpiqet të bindë ose shpreh një bindje. Gjuha e letërsisë nuk është kurrë e tillë – ajo nuk informon, është kuptim më shumë sesa komunikim, ka ekzistencën e saj të mëvetshme.

Dhe në këtë kuptim, letërsia e mirë dhe të gjitha llojet e predikimit, padyshim dallojnë plotësisht nga njëra-tjetra, pavarësisht nëse predikimi është fetar apo politik apo i çfarëdo lloji qoftë.

Nga frika e leximit me zë, hyra në zonën e vetmisë, në atë që është pak a shumë jeta e një shkrimtari – dhe prej atëherë kam qëndruar atje.

Kam shkruar shumë, edhe prozë edhe drama.

Dhe sigurisht, ajo që e karakterizon dramën është ligjërimi i shkruar, ku dialogu, biseda ose shpesh përpjekja për të folur, dhe ajo që mund të jetë monolog, është gjithmonë një univers i imagjinuar, është pjesë e diçkaje që nuk informon, por që ka qenien e vet, ekziston.

Dhe kur bëhet fjalë për prozën, Mikhail Bakhtin-i ka të drejtë kur argumenton se mënyra e të shprehurit, vetë akti i të treguarit, ka dy zëra. Për ta thjeshtuar: zëri i personit që flet, që shkruan dhe zëri i personit për të cilin flitet.

Këto zëra shpesh kalojnë te njëri-tjetri në mënyrë të tillë që është e pamundur të dallosh se zëri i kujt është. Ai thjesht bëhet një zë i dyfishtë i shkruar – edhe kjo sigurisht është pjesë e universit të shkruar dhe logjikës brenda tij.

Çdo vepër që kam shkruar ka, si të thuash, universin e vet imagjinar, botën e vet. Një botë e cila është e re për çdo dramë, për çdo roman.

Por një poezi e mirë, sepse kam shkruar edhe shumë poezi, ka gjithashtu universin e vet – lidhet kryesisht me vetveten. Dhe pastaj dikush që e lexon mund të hyjë në universin që është poezi – po, është më shumë si një lloj bashkimi sesa një komunikim.

Në fakt, kjo ka gjasë të jetë e vërtetë për gjithçka që kam shkruar.

Një gjë është e sigurt, nuk kam shkruar kurrë për të shprehur veten, siç thonë, por për t’u larguar nga vetja.

Po që përfundova si dramaturg – po, çfarë mund të them për këtë?

Shkrova romane dhe poezi dhe nuk kisha dëshirë të shkruaja për teatër, por me kalimin e kohës e bëra sepse – si pjesë e një nisme publike të financuar për të shkruar më shumë drama të reja norvegjeze – m’u ofrua ajo që ishte për mua, një autor i varfër, një shumë e mirë parash për të shkruar skenën hapëse të një drame, dhe përfundova duke shkruar një dramë të tërë, dramën time të parë dhe ende më të vënë në skenë, “Dikush do të vijë”.

Hera e parë që shkrova një dramë doli të jetë befasia më e madhe në gjithë jetën time si shkrimtar. Sepse si në prozë ashtu edhe në poezi jam përpjekur të shkruaj atë që zakonisht – në gjuhën e zakonshme të folur – nuk mund të thuhet me fjalë. Po ashtu është. U përpoqa të shpreh të pathënën, siç u dha si arsye e dhënies së çmimit Nobel.

Gjëja më e rëndësishme në jetë nuk mund të thuhet, por vetëm të shkruhet, nëse themi një version të ndryshuar të thënies së famshme të Jack Derrida-s.

Kështu që përpiqem t’i jap fjalë ligjërimit të heshtur.

Dhe kur shkruaja dramë, mund ta përdorja ligjërimin e heshtur, njerëzit e heshtur, në një mënyrë krejtësisht tjetër nga ajo në prozë dhe poezi. Gjithçka që duhej të bëja ishte të shkruaja fjalën “pauzë” dhe ligjërimi i heshtur ishte aty. Në dramën time fjala “pauzë” është pa dyshim fjala më e rëndësishme dhe më e përdorur – pauzë e gjatë, pauzë e shkurtër ose thjesht pauzë.

Në këto pauza mund të ketë kaq shumë, ose kaq pak. Ajo është diçkaja që nuk mund të thuhet, diçkaja që nuk dëshiron të thuhet, ose është më mirë të thuhet duke mos thënë asgjë fare.

Megjithatë, jam shumë i sigurt se ajo që flet më shumë gjatë pauzave është heshtja.

Në prozë, ndoshta të gjitha përsëritjet kanë një funksion të ngjashëm siç bëjnë pauzat në dramën time. Ose mbase kështu e mendoj unë, se ndërsa ka një ligjërim të heshtur në drama, ka një gjuhë të heshtur pas gjuhës së shkruar në romane, dhe nëse dua të shkruaj letërsi të mirë, ky ligjërim i heshtur duhet të jetë edhe i shprehur, për shembull te “Shtatologjia” (Septologjia), është kjo gjuhë e heshtur, për të përdorur disa shembuj të thjeshtë, konkret, që thotë se rrëfimtari i parë i quajtur Asle dhe Asle-i tjetër mund të jenë i njëjti person dhe se i gjithë romani i gjatë, rreth 1200 faqe, është ndoshta vetëm një shprehje e shkruar e një fragmenti të shkëputur nga e tanishmja.

Por një komunikimi i heshtur, ose një gjuhë e heshtur, flet kryesisht me tërësinë e një vepre. Qoftë një roman, apo një dramë, apo një krijim teatror, nuk janë vetë pjesët ato që janë të rëndësishme, është tërësia, e cila duhet të gjendet në çdo detaj – ose ndoshta mund të guxoj të flas për frymën e tërësisë, një frymë që në një farë mënyre flet nga afër dhe nga larg.

Dhe çfarë dëgjon atëherë, nëse e dëgjon nga aq afër sa duhet?

Dëgjon heshtjen.

Dhe siç është thënë, vetëm në heshtje mund të dëgjosh zërin e Zotit.

Ndoshta.

Tani për t’u rikthyer te bota reale, dua të përmend diçka tjetër që më dha të shkruarit për teatrin. Të shkruarit është profesion i vetmuar, siç thashë, dhe vetmia është e mirë për sa kohë që rruga e kthimit te të tjerët mbetet e hapur, për të cituar një tjetër poezi të Olav H. Hauge-it.

Dhe ajo që më mbërtheu herën e parë që pashë diçka që kisha shkruar të luajtur në një skenë, po, ishte pikërisht e kundërta e vetmisë, ishte marrëdhënia njerëzore, po, të krijosh art përmes ndarjes së artit me të tjerët – kjo më ngjalli një ndjenjë të madhe lumturie dhe siguri.

Kjo përndritje më ka shoqëruar që atëherë, dhe besoj se ka luajtur një rol në atë që jo vetëm kam këmbëngulur, me një shpirt të qetë, por edhe kam ndjerë një lloj lumturie edhe nga vëniet e dobtëta në skenë të dramave të mia.

Teatri është me të vërtetë një akt i madh dëgjimi – një regjisor e ka të detyrueshme, ose të paktën duhet ta dëgjojë tekstin, ashtu si aktorët e dëgjojnë njëri-tjetrin dhe regjisorin, dhe po ashtu si publiku e dëgjon të gjithë shfaqjen.

Dhe akti i të shkruarit është për mua akt i të dëgjuarit: kur shkruaj nuk përgatitem kurrë, nuk planifikoj asgjë, filloj me të dëgjuarit.

Pra, nëse duhet të përdor një metaforë për aktin e të shkruarit, duhet të jetë ai i të dëgjuarit.

Kështu, thuajse vetëkuptohet se të shkruarit të kujton muzikën. Dhe në një kohë të caktuar, në adoleshencë, kalova pak a shumë drejtpërdrejt nga të angazhimi vetëm me muzikën, te të shkruarit. Në të vërtetë nuk luaja asnjë instrument muzikor dhe as dëgjoja më fare muzikë, fillova të shkruaj, dhe në shkrimet e mia, u përpoqa të krijoja diçka nga ajo që përjetoja kur luaja.

Kjo është ajo që bëra atëherë – dhe ajo që ende bëj.

Diçka tjetër, ndoshta pak e çuditshme, ndodh që kur shkruaj, në një çast të caktuar gjithmonë kam një ndjesi se teksti tashmë është shkruar, është atje diku jashtë, jo brenda meje, dhe se më duhet vetëm ta shkruaj përpara se teksti të zhduket.

Herë pas here mund ta bëj pa asnjë ndryshim, në raste të tjera më duhet ta kërkoj tekstin duke e rishkruar, duke e shkurtuar e redaktuar dhe me kujdes të përpiqem të nxjerr tekstin që tashmë është shkruar.

Dhe pikërisht unë që nuk doja të shkruaja për teatër, përfundova duke bërë vetëm këtë gjë për rreth pesëmbëdhjetë vjet. Madje pjesët që shkrova janë vënë në skenë, po, me kalimin e kohës, ka pasur shumë krijime të mia teatrore të vëna në skenë në shumë vende. Ende nuk mund ta besoj këtë. Jeta është kaq e pabesueshme.

Ashtu siç nuk mund ta besoj që tani po qëndroj këtu duke u përpjekur të them disa fjalë pak a shumë të arsyeshme për atë që do të thotë të shkruash, me shkas marrjen e Çmimit Nobel në Letërsi.

Dhe ky çmim, me sa kuptoj, më është dhënë për atë që kam shkruar në dramë dhe në prozë.

Pasi kisha shkruar vetëm drama për shumë vite me radhë, papritur m’u duk sikur mjaftonte, kisha shkruar më se mjaftueshëm, dhe vendosa të mos shkruaja më drama.

Por të shkruarit është bërë një zakon pa të cilin nuk mund të jetoj – ndoshta si Marguerite Duras, mund ta quash sëmundje – kështu që vendosa të kthehem atje ku filloi gjithçka, të shkruaj prozë dhe lloje të tjera shkrimi, siç kisha bërë pak a shumë një dekadë përpara debutimit tim si dramaturg.

Kjo është ajo që kam bërë gjatë dhjetë a pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Kur fillova të shkruaj sërish seriozisht prozë, isha i pasigurt nëse mund ta bëja akoma. Fillimisht shkrova “Trilogjinë” – dhe kur më dhanë Çmimin e Letërsisë së Këshillit Nordik për atë roman, e përjetova si një konfirmim të madh që kisha diçka për të ofruar edhe si prozator.

Pastaj shkrova “Shtatologjinë”.

Dhe gjatë procesit të shkrimit të atij romani, kam përjetuar disa nga çastet e mia më të lumtura si shkrimtar, për shembull kur njëri Asle gjen tjetrin të shtrirë në dëborë dhe kështu i shpëton jetën. Ose tek fundi, kur Asle i parë, personazhi kryesor, nis udhëtimin e tij të fundit, me një varkë, një varkë e vjetër peshkimi, me Asleikun, mikun e tij më të mirë dhe të vetëm, për të festuar Krishtlindjet me motrën e Asleikut.

Nuk kisha plan të shkruaja një roman të gjatë, por romani pak a shumë shkroi veten, dhe u bë një roman i gjatë, dhe shkrova shumë pjesë ndërsa gjithçka mori një rrjedhë kaq të qetë, saqë nuk kishte nevojë të ndryshoje asgjë.

Dhe mendoj ky është çasti kur jam më afër asaj që mund ta quash lumturi.

E gjithë “Shtatologjia” ka kujtime brenda saj për shumë nga veprat e tjera që kam shkruar, por të para në një këndvështrim tjetër. Fakti që nuk ka asnjë pikë të vetme në të gjithë romanin, nuk është shpikje. Thjesht e shkrova romanin ashtu, në një rrjedhë, një lëvizje që nuk kërkonte një pikë.

E kam thënë një herë në një intervistë se të shkruash është një lloj lutjeje. Dhe u ndjeva në siklet kur e pashë të shtypur. Por më vonë lexova, si për të më ngushëllim, se Franz Kafka kishte thënë të njëjtën gjë. Pra, ndoshta ashtu është – në fund të fundit?

Librat e mi të parë u vlerësuan shumë pak, por vendosa të mos dëgjoj kritikët, duhet t’i besoja vetes, po, t’i përmbahem mënyrës time të të shkruarit. Dhe nëse nuk do ta kisha bërë këtë, po, atëherë do të kisha reshtur së shkruari pasi romani im debutues, “E kuqe, e zezë” u botua para dyzet vjetësh.

Më vonë pata më së shumti recensa të mira, madje fillova të merrja edhe çmime – dhe më pas mendova se ishte e rëndësishme të vazhdoja me të njëjtën logjikë, nëse nuk do të merrja parasysh recensat e këqija, po kështu nuk duhej të lejoja as suksesin të ndikonte tek unë, duhej të vazhdoja i palëkundur të shkruaja sipas mënyrës sime, të mos hiqja dorë, të ecja pas asaj që kisha krijuar.

Dhe mendoj se kjo është ajo që kam arritur të bëj, dhe vërtet besoj se do të vazhdoj ta bëj këtë edhe pasi kam marrë çmimin Nobel.

Kur u njoftova se më ishte dhënë çmimi Nobel në letërsi, mora shumë imejle dhe urime, dhe sigurisht u kënaqa shumë, shumica e përshëndetjeve ishin të thjeshta dhe gazmore, por disa njerëz shkruanin se po fluturonin nga gëzimi, të tjerët se ishin përlotur. Ishte vërtetë prekëse.

Në veprat e mia ndodhin shumë vetëvrasje. Më shumë se sa do të doja të kishte.

Kam pasur frikë se në këtë mënyrë, mund të kem kontribuar në legjitimimin e vetëvrasjes. Pra, ajo që më preku më shumë se çdo gjë ishin ata që shkruan sinqerisht se ajo që kisha shkruar thjesht u kishte shpëtuar jetën.

Në një farë kuptimi, e kam ditur gjithmonë se të shkruarit mund të shpëtojë jetë, ndoshta edhe mua më ka shpëtuar jetën. Dhe nëse ajo që shkuaj mund të ndihmojë edhe për të shpëtuar jetën e të tjerëve, asgjë tjetër nuk do të më bënte më të lumtur.

Faleminderit Akademisë Suedeze që më vlerësoi me Çmimin Nobel në Letërsi.

Dhe faleminderit Zotit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button