Kabineti i Milatoviqit: Nuk hyhet në BE me afera si “Limenka”, koncesione të diskutueshme dhe çështje të pazgjidhura të kontrabandës së cigareve
Reagimi ndaj Gjukanoviqit: rruga evropiane u përket qytetarëve; në vitin 2020 Mali i Zi kishte tri kapituj të mbyllur, sot ka 23, por përgjegjësia për problemet e vjetra nuk fshihet me ndryshimin e pozicionit politik.
Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-presidentit Milo Gjukanoviq, duke theksuar se rruga evropiane e vendit u përket qytetarëve dhe jo një individi apo partie, siç njofton Najnovije.me. Sipas raportimit, Kabineti porositi se përgjegjësia për problemet që për vite ngadalësuan procesin e integrimit nuk mund të fshihet thjesht me ndryshimin e pozicionit politik.
Në reagim thuhet se ndikimi politik mbi institucionet, korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk lindën pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2020. Kabineti e cilësoi të vështirë të pranohet që ata që për dekada kishin pothuajse të gjitha levat e pushtetit sot e paraqesin veten si masa e vetme e vlerave evropiane.
Duke iu referuar deklaratave të Gjukanoviqit, Kabineti theksoi se tri dekada pushtet ishin kohë e mjaftueshme për të ndërtuar institucione të pavarura, një drejtësi të fortë dhe një sistem ku askush nuk është mbi ligjin. “Kur ish-presidenti Gjukanoviq thotë se bota nuk filloi në vitin 2020, vlen të kujtohet se ajo nuk pushoi së ekzistuari as me largimin e tij nga pushteti”, thuhet në reagim.
Sipas Kabinetit, në Bashkimin Evropian nuk hyhet me pensione dhe paga të ulëta, me institucione nën ndikim politik dhe me çështje të pazgjidhura. “Nuk hyhet as me afera si ‘Limenka’, garanci shtetërore të rëna që i paguanin qytetarët, koncesione të diskutueshme për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe çështje të pazgjidhura të kontrabandës së cigareve. Këto janë çështje që kërkojnë përgjigje, e jo harresë politike”, thuhet në deklaratë.
Kabineti pranoi se në vitin 2020 Mali i Zi kishte tre kapituj negociues të mbyllur përkohësisht, ndërsa sot ka 23, duke e cilësuar këtë përparim të rëndësishëm. Megjithatë, sipas tij, edhe periudha pas vitit 2020 nuk ishte pa ndikim partiak, kalkulime politike dhe mundësi të humbura, veçanërisht kur disa nga ata që premtuan shkëputje nga praktikat e vjetra nisën t’i përsërisin ato. Rruga evropiane, thuhet më tej, nuk mund të jetë meritë personale e askujt: ndryshimet e viteve 2020 dhe 2023 hapën një fazë të re dhe treguan se perspektiva evropiane nuk varet nga fati politik i një njeriu apo partie.
“Ndryshimi demokratik i pushtetit nuk është rrënim i shtetit, as humbja e pushtetit politik nuk do të thotë humbje e shtetit. Mali i Zi nuk pushoi së ekzistuari me ndryshimin e pushtetit në 2020, as e ardhmja e tij evropiane nuk mund të jetë pronë politike e askujt”, thuhet në reagim, ku shtohet se Malit të Zi nuk i duhen zotërinj të rinj politikë, por institucione më të forta se çdo individ.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.