Kadare, arrin të shmangë rreziqet
Në 80-vjetorin e lindjes. “Onufri” riboton “Nëntori i një kryeqyteti”
Në prag të 80-të vjetorit të lindjes së shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, shtëpia Botuese “Onufri” ka hedhur në treg të ribotuar romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, i botuar për herë të parë në vitin 1974. Më shumë se 40 vjet nga shkrimi i këtij libri, ai vijon të jetë një ndër librat e kërkuar të Kadaresë. Ngjarjet e romanit, janë të përqendruara rreth ndërtesës së Radiostacionit të kryeqytetit shqiptar në ditët e çlirimit të tij, nëntor i vitit 1944, janë të ndërthurura me atmosferën e hakmarrjes ndaj klasës së përmbysur.
Në vitin 1989, kur shtëpia botuese gjermano-perëndimore “Neuer Malik Verlag” shfaqi dëshirën për përkthimin gjermanisht të veprës, autori, duke përfituar nga njohja me përkthyesin Robert Shvarc dhe në mirëbesim të tij, i paraqiti një dorëshkrim të retushuar, të cilin nuk kishte pasur mundësinë ta botonte. Botimi në gjermanisht u bë sipas versionit të retushuar. Teksti i botimit të tanishëm të romanit nuk ka asnjë ndryshim nga versioni i përkthyer dhe i botuar në gjermanisht.
Dalja e romanit në vitin 1975 nuk u shoqërua me ndonjë pritje të bujshme nga kritika. Shkrimtari po kalonte në këtë kohë një periudhë të vështirë në marrëdhëniet e tij me regjimin.
ÉRIC FAYE*
“Kronikë në gur” mbaron me ardhjen e trupave pushtuese gjermane në shtator të vitit 1943. “Nëntori i një kryeqyteti” është shkruar në vazhdimin e tij historik, sepse kemi të bëjmë me çlirimin e Tiranës prej partizanëve nga 29 tetori deri më 17 nëntor 1944. Por ky roman, i cili nga disa anë mund të kujtojë tregime të tjera të luftimeve nëpër qytet (Kievin te “Garda e bardhë” e Bulgakovit apo Stalingradin te “Fate dhe jetë” të Vasili Grosman) është më shumë se një roman historik. Periudhat kohore ngjishen me njëra-tjetrën, kujtimet kapërthehen, duke krijuar një “realizëm magjik” të karakterizuar nga një rënie marramendëse në kohë, në një mjegullim kohor ku bashkëjeton e tashmja, shënime mbi një të shkuar të afërt (martesa e mbretit Zog më 1938, përpjekja për të vrarë mbretin e Italisë më 1940 etj.) dhe përshkrime të vendeve, përcaktime mbi konfiguracionin e tyre…
Tema e “Luftës Antifashiste të Çlirimit Kombëtar” përshkon krejt krijimet letrare shqiptare të periudhës së pasluftës dhe ka qenë prekur shpesh skematikisht nga një numër autorësh. Rruga ishte, pra, e skicuar me kujdes, me shenja ideologjike të qarta, kështu që rreziku për të rënë në skematizëm ishte i madh. Megjithatë, mbasi ai nuk e cek këtë gjini nën formën e një “romani historik” (ka përdorur fare pak dokumentet për këtë episod të luftës), Kadare, kur shkruan “Nëntorin e një kryeqyteti” më 1974, ia arrin t’i shmangë rreziqet kryesore, duke përshkruar episode të çlirimit të Tiranës sipas analizave të veta mbi botën, dhe duke praktikuar gjithashtu “vënien në fabul”. Në fund të fundit, çfarë është “Nëntori i një kryeqyteti”, përveçse një parabolë mbi fjalën dhe identitetin? Njëra nga pesë shqisat është e privilegjuar në mënyrë të veçantë këtu: të dëgjuarit. Fjala është vënë krejtësisht në shërbim që të dëgjohet Tirana. Shkrehje, krisma, qetësi dhe zëra, e midis gjithë zërave, njëri prej tyre që flet në mikrofonin e radios. Zëri i Shqipërisë. Zë që në fillim është i kontrolluar nga pushtuesit, pastaj i dënuar të heshtë nga luftimet, zë që merr jetë në sajë të përpjekjeve të partizanëve për të ndrequr radiostacionin, gjetjen e spikeres, domethënë gjetjen metaforike të Shqipërisë, të mishëruar nga një grua, Miriami, e ngjashme me Marianën e francezëve. Spikerja do të rivihet të flasë në emrin e një Shqipërie krejt tjetër, të çliruar, por të rënë nën një tjetër sundim, atë të partizanëve të kuq.
Dëgjimi zë një vend të rëndësishëm në tekstet e tjera të Kadaresë, si “Dosja H”, “Koncerti” dhe “Spiritus”, me regjistrime të këngëve dhe të bisedave, por gjithashtu ai zë vend në tregimin “Kënga” ose në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Në këtë të fundit, Radio Tirana dhe Radio Moska formojnë shëmbëllimin në romanin e shekullit XX, të korit antik dhe të korifeut ose të isso-s në traditën gojore ballkanase. Spikerja zë vendin e rapsodit që ndërfut herë pas here në rrjedhjen e ngjarjes komentet e tij.
Roli i qëmotshëm i korifeut, të lajmëtarit që transmeton mendimin njerëzor, është simbolizuar prej ndërtesës së radios dhe akoma më shumë prej superstrukturës së saj, antenave, të cilat të kujtojnë që dymbëdhjetë vjet më parë, më 1963, Kadare kishte botuar një poemë të titulluar kështu “Antena”. Kjo rojë metali, vesh dhe gojë në të njëjtën kohë, që e gjejmë në poema të tjera, si: “Në kështjellën e Hamletit” (1970) apo “Sfond” (1975) mund të jetë gjithashtu simbol i robërimit, po aq dhe i çlirimit. Në faqet e fundit të “Koncertit”, çmontohet antena që u shërbente kinezëve për të transmetuar lajmet, kurse në kuadrin e “Nëntorit të një kryeqyteti” shkatërrohen antenat kur ato shpërndajnë lajmet e pushtuesit, pastaj ndreqen për të shpërndarë zërin e Shqipërisë së lirë. Megjithatë, edhe të parët, shqisë mbizotëruese në tekstet si “Qorrfermani”, nuk është lënë pas dore në këtë roman lufte. Mjafton të kujtojmë gjyzlykët e komandantit, vërtitjen e dritës së projektorëve të krahasuar me sytë. Jemi këtu përsëri në të njëjtën venë të “Kronikës në gur”, ku shikimi luan një rol kryesor. Të gjitha mitet e mëdha e të dashura të shkrimtarit kalojnë në “Nëntorin e një kryeqyteti”, nga Prometeu në legjendën e murimit ose të Doruntinës (kalimi nga një botë në tjetrën). Kalimi nga jeta në vdekje ose anasjelltas, kur tregimtari kthehet pas në kohë, është gjë e zakonshme në këto faqe e, me sa duket, është po aty ku ka më shumë vdekje: pothuajse në çdo fund kapitulli një personazh i dorës së parë zhduket. Midis tyre, shkrimtari Adrian Guma, që të kujton shumë intelektualë të epokës, i cili bën vetëvrasje, sepse nuk e përfytyron dot që të jetojë në një botë të re.
Shënimet autobiografike që janë me shumicë te “Kronikë në gur” janë zhdukur te “Nëntori i një kryeqyteti”. Megjithatë, ka ndërlidhje midis këtyre dy teksteve, si për shembull, personazhi i Javer Kurtit, i cili largohet nga Gjirokastra pas vdekjes së shokut të tij Isa dhe pasi ka vrarë ungjin e tij, Azem. Atë e shohim të marrë pjesë në sulmin kundër Tiranës, në radhët e partizanëve në “Nëntorin e një kryeqyteti”, ose kur përmendet avioni që lëshon trakte që denoncon krimin e Javerit, kthyer në sytë e ballistëve e të pushtuesve si simbol i egërsisë së partizanëve. Dhe krejt si te “Kronika”, “Nëntori i një kryeqyteti” është i ndërprerë nga komentet e plakave, në këtë rast nga aristokratet, që janë roja të botës së vjetër, Erini që do t’i rigjejmë, për shembull, në rreshtat e “Dimrit të vetmisë së madhe” (plaka Nurihan). Në fakt, ne jemi në zemër të universit kadarean. Shumë fije lidhin në mënyrë të matur “Nëntorin e një kryeqyteti” me “Dimrin e vetmisë së madhe” (të cilin, gjatë vitit 1975, Kadareja duhet të ketë qenë duke e ripunuar për të tretën e të fundit herë).
Personazhe të dorës së dytë, si shitësi i antikuarëve, Rrok Simonjaku dhe falltarja Hançe Hajdije janë të përbashkët me dy romanet, embrione të kësaj mikro-komedie njerëzore, që do të përbëjnë personazhet e “Dimrit të vetmisë së madhe” dhe të “Koncertit”. Së fundi, “Nëntori i një kryeqyteti” vërteton pas “Dimrit” rolin e shkallës së parë që do të luajë këtej e tutje Tirana në veprën e Kadaresë (Në kapitullin e XIV të “Dimrit” është përshkruar një skenë e ditëve të çlirimit të Tiranës).
Dalja e romanit në vitin 1975 nuk u shoqërua me ndonjë pritje të bujshme nga kritika. Shkrimtari po kalonte në këtë kohë një periudhë të vështirë në marrëdhëniet e tij me regjimin. Pas vështirësive të hasura me “Dimrin e vetmisë së madhe”, Kadare kishte ndier që shkalla e lirisë së veprimit të tij ishte gjithnjë e më e kufizuar. Ai kishte menduar që një roman mbi luftën do të “kalonte”. Përse atëherë kritika i ruajti atij një pritje kaq të ftohtë? Mund të diskutohet gjatë për të gjetur arsyet, por paralajmërimet ogurzeza për të ardhmen e regjimit duhet të kenë rënduar në peshore.
“Nëntori i një kryeqyteti” është ripunuar në mënyrë të ndjeshme në fundin e vitit 1989 dhe fillimin e vitit në vazhdim, pra, përpara rënies së stalinizmit shqiptar. Përkthimi dhe botimi në gjermanisht më 1990 dëshmon që qysh atëherë teksti nuk është prekur më. Ndryshimet kryesore qëndrojnë në dendësimin e kapitujve të fundit në një të vetëm. Në prekjet e vitit 1989, në kapitullin e fundit ka shtim të ngjyrave të errëta që paralajmërojnë vendosjen e një diktature të re. Ndërkaq, duhet thënë se pjesë tepër delikate si ato të kapitullit të pestë, ku plakat aristokrate profetizojnë përmbysjen e regjimit komunist, ose pjesët ku flitet për terrorin e kuq, kanë qenë qysh në botimin e vitit 1975.