Kaliningrad: Kina dhe Rusia manovra ushtarake në detin Balltik “Bashkimi detar-2017”
Kina dhe Rusia nisën më 21 korrik manovrat e përbashkëta ushtarake, një javore, në portin Baltijsk, në detin Balltik, pjesë e rajonit më perëndimor rus të Kaliningradit, i vendosur midis shteteve anëtarëve të BE-së, Polonisë dhe Lituanisë. Manovrat “Bashkimi detar-2017” zgjatën deri dje më 27 korrik 2017 dhe ishin faza parë e stërvitjes së Detit të Perbashkët 2017 në Detin Baltik.“Është hera e parë në historinë e marrëdhënieve ruso-kineze që luftanijet kineze vizitojnë portin e detit Balltik“, tha zyrtari i flotës ruse të Balltikut, Roman Martov. Gjatë tri viteve të fundit, Rusia ka forcuar lidhjet me Kinën, ndërkohë që i është dashur të përballet me Perëndimin lidhur me konfliktin në Ukrainë.
Zëvendëskomandanti i Forcave Detare kineze dhe drejtuesi i manovrës së përbashkët Tian Zhong thekson se: “Sivjet të dyja flotat do të kryejnë një varg manovrash të përbashkëta për të përballuar kërcënimin e terrorizmit dhe për të mbrojtur sigurinë e veprimtarive ekonomike në det”. Sipas Tian Zhong, “një gjë e tillë do të sjellë thellimin e bashkëpunimit miqësor e praktik mes dy ushtrive dhe konsolidimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Rusi”.
“Edicioni 2017 synon të konsolidojë dhe të avancojë në këndvështrimin e partneritetit strategjik global të bashkëveprimit mes Kinës dhe Rusisë dhe për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin konkret mes dy ushtrive”, theksoi Hsinhua-ja. Ndërsa“Objektivat kryesore janë rritja e efikasitetit në bashkëpunimin mes dy flotave në situatat e kërcënimeve në det, trajnimi i ekuipazhit të luftanijeve ruse dhe kineze, forcimi i miqësinë dhe i bashkëpunimit midis marinës ruse dhe forcave detare të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit Kinez”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Më herët, media kineze raportoi se Pekini ka angazhuar shkatërruesin Changsha, të dytin më të avancuar i cili është blerë dy vjet më parë. Javën e kaluar, rrugës për në Detin Baltik, flota kineze ka kryer pesë manovra në Mesdhe.
Në komandën e përbashkët, komandantët e të dy palëve shkëmbyen mendime për planin e manovrave të ardhshme në det të hapur. Nënkomandanti i palës kineze dhe zv./shefi i Drejtorisë Luftarake të Shtabit të Flotës “Deti i Kinës Jugore” të Forcave Detare, Lin Long, u shpreh se nëpërmjet kësaj stërvitjeje mbi hartë, të dy palët mund të forcojnë koordinimet mes ushtarëve në manovra: “Kemi tre qëllime për stërvitjen mbi hartë. Së pari, garantimi i sigurisë së ushtarëve të të dy palëve. Së dyti, nxitja e njohjes me njëri tjetrin. Së treti, hedhja e themeleve për zhvillimin e manovrave të ardhshme të përbashkëta kino-ruse.”
Marinarët rusë dhe kinezë gjithashtu do të marrin pjesë në një paradë në Shën-Petërburg për të përkujtuar Ditën e Marinës të Rusisë.Pas fazës së parë të manovrare në Balltik, marina kineze do të bashkohet me anijet ruse në Detin e Japonisë, ku do të mbahet faza e dytë e stërvitjes në shtator. Flotat kineze dhe ruse bashkëpunojnë që nga viti 2012, dhe vitin e kaluar stërvitja e përbashkët u mbajt në Detin e Kinës Jugore, ku ka tension të madh për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me territorin midis vendeve.
Rusia dhe Kina janë anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një ushtri euroaziatike dhe një bllok politik dhe ekonomik i formuar në vitin 2001. Gjatë viteve të fundit, Rusia ka rritur aktivitetin e saj ushtarak në rajonin e Balltikut, duke provokuar debat në Suedi dhe Finlandë lidhur me çështjen e bashkimit të tyre me aleancën ushtarake perëndimore.