☀️
Tiranë 13°C · Kthjellët 23 Tetor 2026
S&P 500 7,630 ▼0.43%
DOW 52,280 ▼1.11%
NASDAQ 25,977 ▼0.12%
NAFTA 103.43 ▲3.98%
ARI 4,010 ▼1.24%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719 EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719
₿ CRYPTO
BTC $81,491 ▲ +0.12% ETH $2,403 ▲ +0.71% XRP $1.3093 ▲ +0.05% SOL $104.0900 ▲ +0.4%
S&P 500 7,630 ▼0.43 % DOW 52,280 ▼1.11 % NASDAQ 25,977 ▼0.12 % NAFTA 103.43 ▲3.98 % ARI 4,010 ▼1.24 % S&P 500 7,630 ▼0.43 % DOW 52,280 ▼1.11 % NASDAQ 25,977 ▼0.12 % NAFTA 103.43 ▲3.98 % ARI 4,010 ▼1.24 %
EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719 EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719
23 Tet 2026
Breaking
Kronika

Kallëzim penal në SPAK ndaj kreut të Policisë Skënder Hita për shtypjen e protestave

Qendra Res Publica, organizata të tjera të shoqërisë civile, avokatë, studentë dhe qytetarë të angazhuar depozituan në SPAK një kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve të tjerë policorë, duke kërkuar hetimin e asaj që e quajnë mekanizëm i organizuar i shtypjes së protestës, bëri të ditur grupi i kallëzuesve në një deklaratë për shtyp.

Kallëzuesit kërkojnë gjithashtu hetimin e rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për orientimet e dhëna, komunikimet me drejtuesit e Policisë dhe kontributin e tyre në krijimin, mbështetjen ose lejimin e këtij mekanizmi për shtypjen e protestës.

Sipas deklaratës, Skënder Hita kallëzohet si drejtuesi më i lartë përgjegjës për organizimin, komandimin dhe kontrollin e operacioneve. Nën drejtimin e tij, në terren janë dislokuar efektivë të maskuar, pa numra dhe pa shenja individuale identifikimi, të cilët kanë ushtruar forcë të paligjshme ndaj qytetarëve. Krahas tyre janë shfaqur edhe persona civilë të paidentifikuar, pa uniformë dhe pa asnjë kompetencë ligjore, të cilët kanë ndaluar, iu kanë hequr lirinë dhe kanë dhunuar protestues, në prani ose në bashkëveprim me Policinë.

“Nxjerrja në terren e efektivëve të paidentifikueshëm dhe tolerimi i personave civilë që ushtronin kompetenca policore krijuan imunitet faktik për autorët e dhunës. Viktima dhe publiku e shohin dhunuesin, por nuk mund ta identifikojnë”, thuhet në deklaratë, sipas së cilës kjo nuk ishte rastësi, por pjesë e një praktike të organizuar për frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestës, e cila vijoi edhe pas denoncimeve publike. Përgjegjësi, sipas kallëzuesve, duhet të mbajnë Hita, Oliger Torba dhe drejtuesit e tjerë policorë, sipas rolit të secilit në planifikimin, urdhërimin dhe kontrollin e ndërhyrjeve.

Kallëzimi mbështetet në mbi 180 episode paligjshmërie, të dokumentuara gjatë disa ditëve në Tiranë dhe në qytete të tjera, me përfshirjen e strukturave të ndryshme policore. “Nuk bëhet fjalë për disa pamje të shkëputura”, theksojnë kallëzuesit, sipas të cilëve përsëritja, shtrirja dhe ngjashmëria e mënyrës së veprimit kërkojnë hetimin e një praktike të organizuar.

Mes episodeve të përmendura në deklaratë janë lidhja e një studenti të drejtësisë pas kangjellave të Ministrisë së Arsimit që në ditën e parë të rezistencës, goditjet në sy të publikut, përplasja përtokë e njerëzve që qëndronin me duart në xhepa, përdorimi pa kriter i gazit dhe i substancave të tjera të raportuara si të panjohura e të pacertifikuara, si dhe qitja me plumba gome drejt pjesës së sipërme të trupit, megjithëse përdorimi i tyre mund të shkaktojë dëmtime të rënda, deri në humbjen e jetës.

Kallëzuesit nënvizojnë se Policia ka të drejtën dhe detyrimin të përdorë forcën kur është e domosdoshme për të ndalur dhunën, për të mbrojtur jetën dhe për të ruajtur rendin, por forca bëhet e paligjshme kur përdoret pa nevojë, në mënyrë joproporcionale dhe kundër protestuesit paqësor, kalimtarit, të miturit ose personit të neutralizuar. Njëkohësisht, sipas tyre, Policia dështoi në detyrën për të ruajtur rendin: gjatë protestave u dogjën godina gjykatash dhe u shkatërrua pronë publike, pa u parandaluar aktet dhe pa u izoluar autorët, ndërsa forca policore u përqendrua te goditja pa dallim e protestuesve.

SPAK-ut i kërkohet të hetojë të gjithë zinxhirin komandues dhe të përcaktojë nëse dhuna ka qenë devijim nga operacioni policor apo instrument i organizuar, i urdhëruar ose i lejuar për frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestës. Deklarata i referohet edhe standardeve të Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ) për hetimin e dhunës policore, pandëshkueshmërinë dhe përgjegjësinë e drejtuesve. “Jemi besimplotë se SPAK do të tregojë përgjegjshmëri, integritet dhe paanshmëri, duke qëndruar në lartësinë e pritshmërive të publikut dhe do të veprojë me shpejtësi”, përfundon deklarata.

Deklarata e plotë për shtyp

Kallëzim në SPAK për hetimin e mekanizmit të organizuar të shtypjes së protestës

Qendra Res Publica, organizata të tjera, avokatë, studentë dhe qytetarë të angazhuar kanë depozituar në SPAK kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve të tjerë policorë.

Kërkohet gjithashtu hetimi i rolit të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për orientimet e dhëna, komunikimet me drejtuesit e Policisë dhe kontributin e tyre në krijimin, mbështetjen ose lejimin e këtij mekanizmi për shtypjen e protestës.

Skënder Hita kallëzohet si drejtuesi më i lartë përgjegjës për organizimin, komandimin dhe kontrollin e operacioneve. Nën drejtimin e tij janë dislokuar në terren efektivë të maskuar, pa numra dhe pa shenja individuale identifikimi, të cilët kanë ushtruar forcë të paligjshme ndaj qytetarëve. Krahas tyre janë shfaqur edhe persona civilë të paidentifikuar, pa uniformë dhe pa asnjë kompetencë ligjore, të cilët kanë ndaluar, iu kanë hequr lirinë dhe dhunuar protestues në prani ose në bashkëveprim me Policinë.

Nxjerrja në terren e efektivëve të paidentifikueshëm dhe tolerimi i personave civilë që ushtronin kompetenca policore krijuan imunitet faktik për autorët e dhunës. Viktima dhe publiku e shohin dhunuesin, por nuk mund ta identifikojnë. Kjo nuk ishte rastësi, por pjesë e një praktike të organizuar për frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestës, e cila vijoi edhe pas denoncimeve publike. Skënder Hita, Oliger Torba dhe drejtuesit e tjerë policorë duhet të mbajnë përgjegjësi sipas rolit të secilit në planifikimin, urdhërimin dhe kontrollin e ndërhyrjeve dhe mosmarrjen e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.

Nuk bëhet fjalë për disa pamje të shkëputura. Kallëzimi mbështetet në mbi 180 episode paligjshmërie, të dokumentuara gjatë disa ditëve në Tiranë dhe në qytete të tjera, me përfshirjen e strukturave të ndryshme policore. Përsëritja, shtrirja dhe ngjashmëria e mënyrës së veprimit kërkojnë hetimin e një praktike të organizuar, jo vetëm të shpërthimeve të rastësishme të disa efektivëve.

Policia ka të drejtën dhe detyrimin të përdorë forcën kur është e domosdoshme për të ndalur dhunën, për të mbrojtur jetën dhe për të ruajtur rendin. Forca bëhet e paligjshme kur përdoret pa nevojë, në mënyrë joproporcionale dhe kundër protestuesit paqësor, kalimtarit, të miturit ose personit të neutralizuar.

Theksojmë gjithashtu se Policia dështoi në detyrën e saj për të ruajtur rendin. Gjatë protestave u dogjën godina gjykatash dhe u shkatërrua pronë publike, pa u parandaluar aktet dhe pa u izoluar autorët. Ndërkohë, forca policore u përqendrua te goditja pa dallim e protestuesve, duke treguar se synimi nuk ishte neutralizimi i dhunës, por shtypja e protestës. Policia duhej të identifikonte autorët e akteve të dhunshme, jo ta trajtonte të gjithë protestën si armik dhe dështimin e saj ta përdorte si justifikim për dhunën ndaj njerëzve që nuk paraqisnin asnjë rrezik.

Jemi të gjithë dëshmitarë të përdorimit të paligjshëm të forcës për të frikësuar qytetarët dhe për të shtypur protestën. Lidhja e një studenti të drejtësisë pas kangjellave të Ministrisë së Arsimit që në ditën e parë të rezistencës; goditjet jo njerëzore në sy të publikut; përplasja përtokë e njerëzve që qëndronin me duart në xhepa; përdorimi pa kriter i gazit dhe i substancave të tjera të raportuara si të panjohura e të pacertifikuara, të rrezikshme për shëndetin; si dhe qitja me plumba gome drejt pjesës së sipërme të trupit, megjithëse përdorimi i tyre mund të shkaktojë dëmtime të rënda, deri në humbjen e jetës. Këto nuk janë veprime për ruajtjen e rendit, por demonstrime publike force, të kryera përpara qytetarëve dhe kamerave, për të përcjellë mesazhin se kush proteston mund të dhunohet dhe të poshtërohet.

Kjo fushatë terrori është bërë dukshëm për të frikësuar publikun, ndërsa autorët janë bërë të padukshëm për t’i mbrojtur nga përgjegjësia. Viktima përdoret si shembull, efektivi i maskuar ose personi civil mbetet pa emër. Ky është mekanizmi i pandëshkueshmërisë që kërkohet të hetohet.

Ky kallëzim nuk ndalet te personi që shihet duke goditur. Për autorët janë paraqitur dhe do të vazhdojnë të paraqiten kallëzime të veçanta.

SPAK-ut i kërkohet të hetojë të gjithë zinxhirin komandues dhe të përcaktojë nëse dhuna ka qenë devijim nga operacioni policor apo instrument i organizuar, i urdhëruar ose i lejuar për frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestës. Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) ka përcaktuar standarde të qarta për hetimin e dhunës policore, pandëshkueshmërisë dhe përgjegjësisë së drejtuesve, ndër të tjera në çështjet kundër Rusisë dhe kundër Gjeorgjisë, të analizuara edhe në kallëzim.

Për ne, si profesionistë të së drejtës dhe më gjerë, veprimtaria që kërkojmë të hetohet përfaqëson një largim të rrezikshëm nga modeli perëndimor ku aspirojmë të shkojmë dhe një kthim drejt një regjimi ku dhuna shtetërore përdoret për të shtypur kundërshtimin qytetar.

Jemi besimplotë se SPAK do të tregojë përgjegjshmëri, integritet dhe paanshmëri, duke qëndruar në lartësinë e pritshmërive të publikut dhe do të veprojë me shpejtësi.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.