Kanye West sërish në qendër të vëmendjes, nominimi në Grammy 2027 shkakton polemika

Kanye West është sërish në qendër të polemikave, këtë herë për shkak të nominimit të tij në çmimet Grammy 2027.
Përfshirja e reperit në listën e kandidatëve ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat kanë vënë në pikëpyetje vendimin e Akademisë së Regjistrimit për ta vlerësuar atë, pavarësisht deklaratave dhe veprimeve të tij të diskutueshme ndër vite.
Akademia njoftoi të hënën listën e plotë të nominimeve për edicionin e 69-të të ceremonisë. West është nominuar në kategorinë “Best Rap Album” për versionin deluxe të albumit të tij “Bully”. Ky është nominimi i 77-të në karrierën e tij në historinë e çmimeve Grammy.
Por lajmi nuk u prit mirë nga një pjesë e publikut. Shumë përdorues të platformës X shprehën pakënaqësinë e tyre, duke rikujtuar deklaratat antisemitike dhe raciste të reperit.
“Pse vazhdojmë t’i japim mundësi karrierës së Kanye West?”, shkroi një përdorues.
“Kanye fjalë për fjalë ka lavdëruar Hitlerin. Kjo është e turpshme”, komentoi një tjetër.
Disa të tjerë vunë në pikëpyetje seriozitetin e vetë çmimeve Grammy, duke argumentuar se nominimi i reperit shpërfill polemikat e shumta që e kanë shoqëruar.
Kanye West është përballur me kritika të ashpra prej vitesh për deklaratat antisemitike. Në vitin 2022, ai publikoi komente kundër komunitetit hebre dhe u shfaq me një bluzë me mbishkrimin “White Lives Matter” gjatë një sfilate të Yeezy në Paris.
Polemikat vazhduan edhe në vitet pasuese. Në vitin 2025, reperi promovoi bluza me svastika dhe publikoi këngën “Heil Hitler”, duke shkaktuar një valë tjetër reagimesh negative.
Në janar të vitit 2026, West publikoi një kërkimfalje përmes një reklame të plotë në gazetën “The Wall Street Journal”, ku i cilësoi veprimet e tij të mëparshme si të pamatura.
Ai mohoi gjithashtu të ishte nazist apo antisemit, duke përmendur edhe një dëmtim të mëparshëm në tru si një nga faktorët që, sipas tij, kishin ndikuar në sjelljen e tij. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk i justifikonte veprimet e tij.
Marrëdhënia e reperit me ceremoninë Grammy ka qenë gjithashtu e tensionuar. Në vitin 2022, performanca e tij u anulua për shkak të shqetësimeve lidhur me sjelljen e tij në internet. Ndërsa në ceremoninë e vitit 2025, ai dhe bashkëshortja Bianca Censori u shoqëruan jashtë eventit pas paraqitjes së saj në tapetin e kuq.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.