Ekonomia

KE, çfarë do ndodhë me ekonominë shqiptare kur të mbarojnë dy projektet e mëdha

Komisioni Europian ka publikuar sot raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë,  Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.

Raporti vlerëson ecurinë e Shqipërisë dhe pritshmëritë mbeten pozitive për periudhën 2017-2019, megjithatë ai përmend disa herë faktin që investimet janë të bazuara në burimet bazë natyrore dhe së fundmi po nxiten nga dy projektet e mëdha të energjisë (TAP dhe Devoll-shënim i Monitor). Përfundimi i këtyre projekteve dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do të integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira të gjithë ekonominë.

Raporti

Për Shqipërinë, programi i reformave ekonomike e Shqipërisë (ERP) projekton një përshpejtim të aktivitetit ekonomik të bazuar në zgjerimin e vazhdueshëm të kërkesës së brendshme dhe përmirësimit të eksporteve neto. Investimet private pritet të jenë nxitësi kryesor i rritjes në të ardhmen e afërt, nxitur nga investimet e huaja direkte të planifikuara në sektorin e energjisë. Shpenzimet konsumatore janë forcuar kohët e fundit në kuadrin e normave të interesit në nivele rekord të ulëta dhe një përmirësimi të tregut të punës. Një rritje e vazhdueshme e punësimit dhe pagave pritet të vazhdojë të mbështesë konsumin privat.

Konsumi qeveritar pritet të rritet ndjeshëm, për t’’u frenuar në vitin e fundit të periudhës së programit. Pavarësisht rritjes relativisht të fortë të eksporteve, tregtia e përgjithshme e jashtme (eksportet neto) ende pritet të ndikojnë negativisht në PBB në vitin 2017 për shkak të dy investimeve të mëdha që kërkojnë importe intensive. Në vitet e mëvonshme, megjithatë, rritja e importit pritet të ngadalësohet, ndërkohë që rritja e eksporteve është parashikuar të mbetet e fuqishme. Si rezultat, eksportet neto pritet të kontribuojnë pozitivisht në rritjen e PBB. E parë nga ana e prodhimit, Programi i reformave projekton që gjithë sektorët ekonomikë të kontribuojnë pozitivisht në rritje në periudhën 2017-2019. Kontributet më të mëdha priten të vijnë nga bujqësia, minierat, prodhimi, ndërtimi, dhe shitja me shumicë dhe tregtia me pakicë. Normat më të larta të rritjes pritet për minierat, teksa  industria do e marrë veten nga çmimet e dobëta të mallrave. Programi ekonomik parashikon që rritja ekonomike do të përshpejtohet nga 3.4% në 2016 në 4.2% në 2019.

Projeksioni i programit për rritjen e PBB është  disi më optimist dhe tejkalon parashikimin e dimrit të Komisionit. Sipas programit, konsumi privat pritet të përshpejtohet gradualisht nga 2.3% në 2017 në 3.4% në vitin 2019, i mbështetur nga një rritje e qëndrueshme në punësim, paga dhe huamarrjes familjare. Konsumi publik pritet të rritet në vitin 2017 pas një rënieje në vitin 2016. Vlerësimi për vitin 2016 duket jo realist duke pasur parasysh se shkalla aktuale e rritjes së konsumit publik në tre tremujorët e parë të vitit arriti në 1.4% me bazë vjetore. Rritja në formimin bruto të kapitalit është parashikuar të ngadalësohet (nga 9.9% në vitin 2017 në 2.6% në vitin 2019), si rrjedhojë e përfundimit të planit të zbatimit për dy projekte të mëdha investuese në sektorin e energjisë. Eksportet janë parashikuar të zgjerohen me një normë mesatare vjetore prej afër 6% gjatë periudhës së programit, bazuar në supozimin se çmimi i naftës do të stabilizohet dhe pastaj do të rritet. Eksporti i shërbimeve të turizmit është zgjeruar ndjeshëm në vitin 2016 nga një bazë relativisht të ulët dhe pritet të vazhdojë ecurinë e mirë. Importet janë projektuar të ngadalësohen nga 6.1% në vitin 2017 në 2.3% në vitin 2019. Ashtu si me investimet, rënia në ritmet e importit do të vijë nga përfundimi i projekteve energjetike, të cilat sjellin importe të mëdha të mallrave kapitale.

Madhësia e rënies, megjithatë, mund të jetë më e vogël se ajo e parashikuar në program duke pasur parasysh rritjen e fuqishme në konsumin privat dhe eksporteve. Kjo do të mund të sillte një kontribut negativ të eksporteve neto (-1.5 pikë përqindje), në 2016, neutral në vitin 2017 dhe pozitiv në 2018 (pp +0.7.), duke përbërë një nga rreziqet e programit.

Inflacioni mbetet nën objektiv dhe banka qendrore synon të mbajë politikën monetare në një kurs akomodues. Mesatarja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit u rrit me 1.3%  në 2016. Inflacioni vjetor ka qenë më poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% për katër vjet rresht, e cila reflekton mungesën e presioneve të çmimeve rritëse nga një ekonomi e brendshme që ende vepron nën potencial dhe nga mjedisi i jashtëm me dizinflacion. Në këtë kontekst, banka qendrore uli normën e saj bazë të interesit me një pikë e gjysmë përqindjeje në prill dhe maj të vitit 2016, në një nivel të ulët të ri historik prej 1.25%. Banka qendrore pret që inflacioni mesatar të rritet në 2.3% në vitin 2017 dhe për t’u kthyer në objektiv në vitin 2018, teksa rritja ekonomike do forcohet më tej. Në këtë skenar, banka qendrore synon të ruajë një qëndrim akomodues të politikës monetare, por të mbetet fleksibile sa i përket intensitetit të stimulit monetar. Në mënyrë të veçantë, ajo ka sinjalizuar se nuk do të zvogëlojë stimulin monetar para tremujorit të katërt të 2017. Lehtësimi monetar i kohëve të fundit ka ulur normat e interesit për huamarrësit private, duke mbështetur shpenzimet konsumatore dhe investimet private. Normat nominale dhe reale efektive të këmbimit të lekut u rritën me 3.2% dhe 4.1% përkatësisht nga viti në vit në tremujorin e katërt të vitit 2016. Për 2017-2019, programi parashikon një normë konstante nominale të këmbimit kundrejt euros.

Deficiti i llogarisë korente pritet të zgjerohet në vitin 2017, si rezultat i rritjes së fortë në investimet që kërkojnë importe intensive, dhe më pas pritet në rënie në dy vitet e ardhshme.

Investimet e huaja direkte pritet të mbetet burimi më i madh për financimin e deficitit të llogarisë korente. Në 10 vitet e fundit, flukset hyrëse neto të investimeve të huaja direkte (IHD) kanë financuar afër dy të tretat e deficitit të llogarisë korente. Flukset neto të IHD janë parashikuar të rriten gradualisht për të mbuluar më shumë se 80% të deficitit të llogarisë korrente nga 2019. Megjithatë, nëse do të ketë sërish rënie në çmimet e mallrave ndërkombëtare, ky do të jetë një rrezik, pasi do të ndihmojë investimet e huaja në industrinë nxjerrëse. Suksesi relativ i Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja në vitet e fundit ka qenë i përqendruar kryesisht në industrinë e patregtueshme të burimeve me bazë natyrore. Tërheqja e IHD-ve në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do të integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më shumë të mira për të gjithë ekonominë. Kjo, megjithatë, do të kërkonte më gjerësisht reforma strukturore për të sjellë përmirësime të konsiderueshme në mjedisin e investimeve. Borxhi i jashtëm bruto qëndroi në 71.8% të PBB-së në fund të vitit 2016, në rënie me 1.5 pikë përqindje nga viti mëparshëm. Rreth 80% e borxhit të jashtëm është afatgjatë.

Rezervat valutore arritën në 2.9 miliardë lekë euro (26.3% e PBB-së), në fund të vitit 2016 dhe pritet të rritet me më shumë se 20% gjatë tre viteve të ardhshme. Aktualisht, rezervat mbulojnë vlerën e importeve të mallrave dhe shërbimeve për rreth 7 muaj, duke siguruar një mbrojtje adekuate kundër goditjeve negative, përfundon raporti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button