“Kemi marrëdhënie strategjike me SHBA”- Shqipëria pajiset me sistemet raketore HIMARS, Nufi: Do marrim sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se Shqipëria ka përmbyllur të gjitha procedurat për miratimin e kredisë amerikane, përmes së cilës synohet pajisja me sistemet raketore HIMARS.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Nufi theksoi se ky proces dëshmon marrëdhënien strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes.
Ai foli gjithashtu për kapacitetet aktuale të mbrojtjes ajrore, sistemet antidronë që pritet të prodhohen, si dhe negociatat për sigurimin e sistemeve të tjera të mbrojtjes me rreze të shkurtër dhe të mesme.
“Ne kemi një marrëdhënie strategjike me SHBA sa i takon mbrojtjes. Fakti që na u miratua një kredi nga SHBA, një nga gjërat që u kërkua ishte sistemi HIMARS.
Ne kemi mbyllur kërkesën në mars dhe deri në fund të korrikut ne kemi përmbushur të gjitha etapat për miratimin në Kuvendin shqiptar, për miratimin e një kredie të tillë, e cila tregon mbështetjen e SHBA-së ndaj Shqipërisë. Sistemet HIMARS janë sisteme të fuqisë së zjarrit tokë-tokë, të cilat janë raketa të drejtuara me precizion të lartë.
Nga me rreze të shkurtër dhe të gjatë, ato që ne kemi marrë janë edhe me rreze të shkurtër dhe të gjatë. Ne kemi sistemet mbrojtëse në gjithë Europën, për mbrojtjen ajrore, ne kemi qiejt që mbrohen nga Italia dhe Greqia, që mbrohen me turne sa i takon patrullimit ajror.
Ne kemi sisteme antidronë që do të prodhohen dhe do t’i kemi në dispozicion për parandalim dhe duam të shkojmë drejt marrjes së sistemeve të tjera me rreze të shkurtër dhe rreze të mesme, sa i takon mbrojtjes ajrore. Jemi në negociata, duke eksploruar mundësinë”, tha Nufi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.