Kemi votuar Edin dhe jo Elvisin e as Samirin
Sot kryeministri, Edi Rama është shfaqur në krah të Elvis Naçit, një yll në ngritje i teokracisë islame, dhe disa aktivistëve të tjerë, të cilët po i njohim së fundmi me rastin e tërmetit.
Dje dhe pardje, media gumëzhinte për ndihmat që paska falur tregtari i lavatriçeve Samir Mane, aksionistët e salsiçeve të EHV Gmbh, etj.
Në fakt kjo është nekrofilia më e madhe mediatike e derimësotme.
Dita e enjte dhe e premte kur Samo e kompani deklaronin bamirësitë e tyre, as bankat dhe as thesari nuk punonin. Kështu që i bie që ose këta mbajnë nga një milion dollarë nëpër xhepa, ose mashtrojnë ditën për diell, duke shfrytëzuar një kob kombëtar për të bërë reklamën e prodhimeve të tyre.
Në krahun tjetër, kryeministri mund të na e kishte kursyer shfaqjen me Elvis Naçin e kompani. Së pari sepse sado para të kenë këto fondacione, asnjëri nuk ia del të kompensojë dëmin kolosal që kanë pësuar shqiptarët.
Së dyti, ne presim një plan serioz rindërtimi i cili vërtet nuk mund të bëhet në pak kohë, por në vija të përgjithshme mund të sqarohej.
Në gjithë këtë fatkeqësi kombëtare, lajmi i mirë është se pas shtatorit, Edi Rama e ka marrë seriozisht punën e tërmeteve dhe nga 2 stacione, tani kemi 8 stacione sizmologjike funksionale.
Po ashtu menaxhimi i moralit pas këtij shoku kombëtar, ka qenë në më të mirën e mundshme. Falë aftësive mediatike të Ramës; sjelljes korrekte të Bashës dhe PD-së, dhe medias që solli afër ekranit specialistët e fushës, trauma ka qenë më e përballueshme.
Por tashmë në vend të konferencave me Naçin dhe fanfarave me Samirin, ka ardhur koha dhe ne do të duhej të dinim pse emergjenca shqiptare gërmonte me duar dhe kova plastike të mbledhura lart e poshtë?
Pse Haki Çako, drejtori i Emergjencave Civile nuk u pa as edhe në një prononcim publik, ndërkohë që është ky njeriu në komandë në të tilla raste?
A i ka kërkuar kryeministri Prokurorisë që të fillojë hetimin mbi ndërtimet dhe ndërtuesit e pallateve që kolapsuan? Sepse pallatet jashtë përdorimit nuk janë vetëm ata që janë ndërtuar në vitet ‘70. Se po dalim nga “fajin e ka Saliu” në “fajin e ka Enveri”. E që këta kanë faj u mor vesh, po krimbat e sotëm a kanë faj?
Shumë njerëz të sektorit e dinë që këta ndërtues kanë falsifikuar dokumentet për parametrat sizmikë të shesheve të ndërtimit dhe të materialeve që përdorin. Nëse nuk veprohet shpejt, apo ca më keq, duke eleminuar provat materiale të gërmadhave, me pretekstin e eleminimit të pasijave, askush nuk do të dalë fajtor, përveç ndonjë “Delijorgji durrsak”.
Kryeministri bëri kërcënimin se “ata që ndërtuan ndërtesat që u prishën, ose di t’i ndërtojnë prapë ose shkojnë në burg”. Kjo është si të kruash veshin e djathtë me dorën e majtë duke e kaluar nga pas kokës. Ata mund të dënohen njëherë për aktin kriminal të shmangies së standardeve të ndërtimit, pastaj të vijnë penalitetet pasurore. Sepse përveç vlerës së apartamenteve, do të duhet të paguajnë edhe paisjet dhe orenditë që u shkatërruan.
Donim të dinim nëse ka ardhur koha që Durrësi të merret në administrim nga qeveria derisa situata në atë qytet të qartësohet? Pasi tashmë duket haptas që Vangjush Dako është i dyshuar kryesor si kryetar bashkie prej 12 vjetësh i gjendjes katastrofike të qytetit dhe komandimit të tij prej klaneve kriminale.
Ky tërmet i nxori ujë të zi jo vetëm qytetit por edhe politikës. Ne pamë një ish-kryeministër që tmerronte qytetarët me Gojërat e Kuçedrës që i paska zënë Rama me trailera. Pamë presidentin që këmbëngul të na bindë se zanati i fallxhoreve është shkencë ekzakte. Dhe pamë një qytet si Durrësi që është molepsur nga krimi më shumë se tërmeti. Dhe këto nuk mund t’i shërojnë as nuskat e Elvis Naçit dhe as denglat e korbave të fatkeqesive.
Për këtë punë është zgjedhur Edi Rama. Ai është kryeministër i vendit; ai komandon buxhetin; atë ndihmon bota dhe nga ai presim rindërtimin. Sepse rindërtimi i një vendi nuk është një PPP që t’ia lëmë në dorë hoxhëve dhe biznesmenëve të tipit KÇK të Samirëve, por sipërmarrje që duhet ta bëjnë të votuarit./dritare.net