Kërkesat për dorëheqje, Rama: S’është çështja e pushtetit tim, por e negociatave me BE. Kush do të më flasë pa maska, më ka këtu
Kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqjen e tij, duke argumentuar se largimi i qeverisë në këtë moment mund të rrezikojë procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Gjatë një komunikimi drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, ai u shpreh se vendi ndodhet përpara një momenti të rëndësishëm dhe se nuk do të lejojë që shteti të tërhiqet përballë dhunës.
Kryeministri vuri në pikëpyetje se çfarë do të sillte largimi i tij në kushtet aktuale, duke pretenduar se pas kësaj mund të rikthehej e kaluara politike dhe jo një qeverisje më e mirë apo përparim drejt integrimit europian.
Rama paralajmëroi se një ndërprerje e procesit të negociatave do të kishte pasoja për vendin, duke theksuar se integrimi europian ndjek një kalendar konkret pune dhe kërkon komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Europian.
“Unë nuk jam në një detyrë, jam në një mision. Janë disa që thonë hapi rrugën rinisë, cilës rini? Kësaj (tregon gurin). Le të pretendojnë që unë ja hapa gurin kësaj, çfarë vjen mbas kësaj, kush vjen pas kësaj? Vjen qetësia? Një qeverisje më e mirë, një Shqipëri europiane, vjen Shqipëria në BE pas kësaj. Jo pas kësaj vjen e kaluara të cilën e keni parë, jetuar dhe paguar të gjitha haraçet dhe unë nuk kam për të lejuar që ato haraçe tja paguajnë edhe ata që sot po rriten mes vështirësive, ku vështirësia më e madhe është kaosi i rrjeteve sociale, i dezinformimit, i zilisë. Ata fëmijë që u futën për të marrë iphona, ata janë viktimat e klounëve, e atyre që u bëjnë poza dhe i bëjnë të ndihen totalisht të pavlerë sepse nuk kanë iphone. Jo librin, iphon-en.
Dhe që të jemi shumë të qartë, nuk është çështja e pushtetit tim. Unë nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Pasuri? Është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im këtu në lojë, por tryeza e negociatave me Bashkimin Europian. Dhe shqiptarët duhet ta mendojnë shumë qartë, duan këtë (tregon gurin), apo duan BE. Disa thonë pse se do ikësh ti dhe nuk do shkojmë në BE. Nuk po them që po, jeni një tufë të paaftësh, të dhunshmish, mediokrish për ta çuar Shqipërinë ën BE dhe nxisni vetëm dhunë sepse nuk më mundi dot me zgjedhje dhe ju ka ardhur dita te guri. E filluat me shishe uji, vezë dhe arritët te guri. Po le të themi që jeni kaq të aftë, negociatat kanë kalendar. Ajo dritare është hapur tani dhe kalendari kërkon që çdo ditë ne të çojmë, të japim e të marrim nga komisioni dhe ka çdo ditë fluturime në Bruksel dhe nga Brukseli këtu dhe kjo ndërpritet sepse nëse unë po iki, dhe po lë të vijojë ai neo-ballisti apo neo-komunisti, mos të hymë të matufepsi, duhet një kohë e gjatë. Por nuk ndodh të dorëzohet shteti përpara kësaj. Shteti që dorëzohet para kësaj, nuk e merr më veten për vite”, tha Rama.
Në fund, Rama u shpreh i gatshëm për dialog me të gjithë ata që duan të paraqesin kërkesat e tyre, duke ofruar mundësinë e takimeve me ose pa kamera, në Kryeministri, në fakultete apo në ambiente të tjera. Ai e mbylli mesazhin me një paralajmërim ndaj atyre që, sipas tij, zgjedhin dhunën në vend të komunikimit.
“Kështu që le ta ndërpresim këtu dhe unë i ftoj këdo që do të bëjë dialog dhe do të falsi, me kamera pa kamera, në kryeministri, në fakultet, ku të doni, të ulemi të flasim, çfarë keni, çfarë doni, çfarë të bëjmë për ju, si t’i bëjmë gjërat më mirë. Kush do të më flasë pa maska, më ka këtu, kush do të më çojë mesazh me gurë dhe maska, mua dhe shtetin na ka përballë”, theksoi Rama.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.