Çeki – Opozita fiton shumicën e vendeve në Senat, goditje për partinë e Babis
PRAGË, 18 tetor /ATSH-DPA/- Partitë opozitare në Çeki kanë ruajtur shumicën në Senat, Dhoma e Lartë e parlamentit, pas përfundimit të votimit të raundit të dytë të zgjedhjeve të shtunën.
Partia qeverisëse ANO, e drejtuar nga kryeministri miliarder Andrej Babis, nuk arriti të fitojë vendet e mbetura në Senat, edhe pse kishte çuar numrin më të madh të kandidatëve në raundin e dytë.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, partia e qendrës së djathtë “Kryetarët e Bashkive dhe të Pavarurit” (STAN) doli fituese, duke siguruar 10 nga 27 vendet që ishin në garë në të dy raundet.
Demokratët Qytetarë (ODS) fituan shtatë vende, Kristian-Demokratët (KDU-CSL) tre, ndërsa partia konservatore TOP 09 siguroi dy vende. Vendet e tjera u fituan nga parti më të vogla.
“Qeveria, i ka menaxhuar krejtësisht keq këto zgjedhje. Është një dështim i jashtëzakonshëm”, deklaroi kryetari i TOP 09, Matej Ondrej Havel.
Në Senatin çek, i cili ka gjithsej 81 vende, zgjedhjet zhvillohen çdo dy vjet për rreth një të tretën e vendeve.
Pjesëmarrja në votime ishte e ulët, siç pritej, me rreth 21% të qytetarëve që kishin të drejtë vote.
Senati çek mund të vonojë ndryshimet në ligje dhe të bllokojë ndryshimet e Kushtetutës.
Mes kandidatëve të opozitës që fituan ishin, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Karel Rehka, sociologu Zdenek Papousek dhe regjisori i teatrit Petr Kazik.
Qeveria, e përbërë nga partia ANO e Babis dhe dy parti të ekstremit të djathtë, ka miratuar së fundmi në parlament një ligj të ri për administratën publike.
Kundërshtarët e ndryshimeve ligjore, pretendojnë se ato e bëjnë më të lehtë shkarkimin e nëpunësve civilë, që qeveria nuk i dëshiron në detyrë.
Kritikët e akuzojnë gjithashtu Babis se ndodhet vazhdimisht në një konflikt interesi, pasi është politikan dhe njëkohësisht themelues i një rrjeti të gjerë kompanish që përfitojnë nga subvencionet. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.