Kryeartikull

Kërkesë ambasadorit të Gjermanisë për azil

Mentor Kikia
Mentor Kikia

I nderuar z. Ambasador Hoffman! Dua ta nis këtë letër duke sjellë në kujtesë një lojë të fëmijërisë sime; “luftash” quhej. Ne ndaheshim në dy grupe, ku njëri do të ishin partizanë, pra të mirët, dhe tjetri gjermanë, të këqijtë. Madje, për t’u ngjarë më shumë gjermanëve, ne sajonim edhe ndonjë tenxhere të vjetër, duke e vënë në kokë, pasi gjermani ishte një njeri me helmetë që të digjte shtëpinë. Normalisht që, atyre që u binte shorti për të qenë gjermanë, nuk ishin të kënaqur, por s’kishin ç’bënin; loja ishte lojë dhe u bindeshim rregullave.

Në vitin 1990, ambasada gjermane ishte ajo që priti më shumë refugjatë, edhe pse askush nuk dinte me saktësi se çfarë bëhej në Gjermani atëkohë. Dhe nuk gabuan ata që zgjodhën të kapërcenin atë mur… 25 vjet më pas, shqiptarët po zgjedhin sërish Gjermaninë si një destinacion emigrimi. Ata janë njerëz të varfër, të rinj në moshë, çifte me fëmijë të vegjël dhe gra shtatzëna që ikin para se të lindin, në mënyrë që fëmija të vijë në jetë si gjerman dhe jo si shqiptar.

E bëra këtë hyrje për të thënë se, edhe pse në shumë ekrane televizionesh në Shqipëri vazhdojnë të shfaqen filma me partizanë dhe gjermanë, gjermanët nuk janë më të këqijtë, ndaj dhe ne shqiptarët s’po lëmë sakrificë pa bërë për ta kërkuar të ardhmen pikërisht në vendin tuaj. Por, ndryshe nga ata mijëra bashkatdhetarë të mitë që po shesin lopët e tokat për të sajuar paratë e udhëtimit, unë nuk bëj pjesë te njerëzit që vuajnë për bukën e gojës. Natyrisht, nuk jam i pasur, por nuk do të shkoja në Gjermani për të punuar në një fermë apo një fabrikë, për të ushqyer fëmijët. Në fakt, unë mund t’ju them me siguri se flas në emër edhe të qindra apo mijëra njerëzve të tjerë, emrat të cilëve as ua di dhe as më kanë autorizuar ta bëj këtë. Por e di me siguri se kanë të njëjtin mendim me mua.

Po, edhe ne duam të vijmë në Gjermani! Por, përse duam të ikim nga vendi ynë ne, derisa nuk vuajmë për bukën e gojës (argumenti më i fortë i emigrimit) dhe mund të bëjmë një jetë të nivelit mesatar?

Ne duam të ikim, pasi duam të jetojmë në një vend më të pastër. Duam të jetojmë në një vend më qytetar e më civil. Duam të jetojmë në një vend ku respektohen normat dhe rregullat qytetare, po aq fort sa edhe ato ligjore. Duam të jetojmë në ndonjë qytet ku ata që kanë makina të respektojnë ata që ecin në këmbë dhe ata që ecin në këmbë të respektojnë vijat e bardha. Duam të jetojmë në një qytet ku njerëzit të mos i lënë mbeturinat në ashensor apo t’i hedhin nga dritarja e shtëpisë apo dritarja e makinës. Duam të jetojmë në një vend ku të funksionojë shteti i së drejtës dhe të ndëshkohet kushdo që shkel ligjin, pavarësisht se çfarë statusi publik ka dhe në cilin vend pune punon. Duam të jetojmë në një vend ku, edhe pse të varfër, të mos shikojmë sesi ata që ne i votojmë, mu përballë fshatit tonë mjeran të ndërtojnë fshatin e tyre me saraje përrallore. Duam të jetojmë në një vend ku, nëse një zyrtar denoncohet pasi kapet duke numëruar paratë e taksave tona, të shkojë në burg dhe jo të dalë i pafajshëm “për arsye proceduriale”. Duam të jetojmë në një vend ku drejtësia të jetë drejtësi për të gjithë dhe jo drejtësia e të pasurve kundër të varfërve. Duam të jetojmë në një vend ku kriminelët që duhej të ishin në burg, të mos emërohen si deputetë, për të bërë ligjet tona, apo funksionarë të lartë, për të zbatuar ligjet. Duam të jetojmë në një vend ku, për atë që do të qeverisë të mos vendosin paratë apo pakot me ushqime e thasët me miell, por vota e lirë. Duam që fëmijët t’i rrisim në një vend ku të mësojnë se karriera kalon përmes mësimit, punës dhe lodhjes dhe jo përmes forumit rinor të partisë.

Ne që duam të ikim nga ky vend për këto arsye, e shumë të tjera që s’po i rendis, nuk e shesim votën, nuk i hedhim plehrat në rrugë, nuk i votojmë hajdutët dhe kriminelët dhe nuk e shpërdorojmë postin apo detyrën që na besojnë. Por duam të ikim sepse, të gjitha çfarë dëgjojmë, shikojmë, mësojmë e lexojmë, na e kanë neveritur këtë vend. Pa dyshim që, për këtë s’e kanë fajin as malet, as fushat e as lumenjtë.

E di që do të thoni: “Në vend që të vini në Gjermani apo të ikni diku tjetër, punoni ta ndryshoni vendin tuaj.” Kështu na thonë të gjithë ata që vijnë nga Europa e bashkuar. Kështu na thonë çdo ditë edhe ata që na zhvasin. Në fakt, secili prej nesh e ka bërë mundimin e vet, duke dhënë kontributin e vet, ku dhe si të mundë për këtë ndryshim. Por, me sa duket, nuk ia kemi dalë. Ne nuk jemi njerëz fatalistë, por ne mendojmë se vendi juaj dhe shumë vende të tjera të zhvilluara i kanë hak dhjetëra-mijëra shqiptarët e dëshpëruar që t’u zënë derën, sepse ju të gjithë keni kontribuar më shumë se fukarenjtë që shesin votën për një trastë me ushqime, për kultivimin e kësaj klase politike bashibozukësh e hajdutësh. Jeni ju që i keni lubrifikuar ingranazhet e kësaj ushtrie batakçinjsh me qindra-miliona euro çdo vit, dhe ku priten vetëm shirita apo zhvillohen vetëm tryeza lancimi projektesh në hotelet e Tiranës, të cilat nuk dihet ku e si përfundojnë.

Megjithatë, këto janë punët tuaja, ne thjesht duam që të ikim prej këtu.

PS: Megjithatë, ne do të vazhdojmë të bëjmë ende rezistencë për ta ndryshuar këtë vend, por preferojmë që kjo kërkesë të merret në konsideratë gjithsesi, si një formë e re azili që nuk lidhet as me politikën, as me fenë, as me ekonominë dhe as me prirjet seksuale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button