Këshilli i Legjislacionit miraton ngritjen e komisionit hetimor për “11 Majin”, hapet rruga për votimin në Kuvend
Partia Socialiste ka vendosur të vijojë procedurat për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë kërkesës së Partisë Demokratike.
Nisma ka marrë miratimin e Këshillit për Legjislacionin dhe tashmë i është përcjellë Konferencës së Kryetarëve, ku pritet të shqyrtohet për miratimin përfundimtar.
Komisioni u kërkua nga Partia Demokratike më 14 tetor të vitit të kaluar. Sipas kërkesës së opozitës, hetimi synon të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve të institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe të shqyrtojë nëse burimet e administratës shtetërore janë përdorur për qëllime elektorale gjatë procesit zgjedhor të 11 majit 2025.
Në dokumentin e dorëzuar zyrtarisht nga deputetët e opozitës, theksohej se procesi zgjedhor ishte komprometuar rëndë, duke u cilësuar si një “farsë elektorale” në vend të një shprehjeje të lirë dhe demokratike të vullnetit qytetar.
Ky vlerësim sipas PD-së, mbështetet në katër rezoluta ndërkombëtare të miratuara nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), si dhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it të publikuar më 12 maj.
PD propozoi gjithashtu, që ky komision hetimor të përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin grupit parlamentar demokrat dhe gjashtë anëtarë grupit të Partisë Socialiste.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.