Këshilli për Etikë në Media: Kërkojmë raportim profesional gjatë zgjedhjeve në Maqedoni
Këshilli për Etikën në Media të Maqedonisë (KEMM) ka dalë sot më një propozim konkret për raportim sa më etik mbi zgjedhjet parlamentare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në propozim-tekstin të cilin Këshilli për Etikën ua ka shpërndarë gazetarëve, mediave dhe organizatave të tjera, thuhet se propozimi në fjalë synon që të respektohet e drejta e publikut për të qenë i informuar në mënyrë objektive të drejtë dhe me kohë, për çka duhet respektuar parimet e propozuara, në mesin e të cilëve parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit, i ekuilibrit, i dallimit të informacionit nga komenti, neutralitetit, përgjegjësia, etj.
Kjo nismë e Këshillit për Etikën në Mediat e Maqedonisë, siç informoi drejtoresha ekzekutive, Maria Tuneva, do t’u shpërndahet mediave pasi siç tha, zgjedhjet parlamentare paraqesin një sfidë të vërtetë që vë në test profesionalizimin dhe paanshmërinë gjatë raportimit, gjë e cila do të vendos gazetarinë në themele të shëndosha.
“Procesi për dhënie të pëlqimit për këtë kartë është i hapur dhe do të zgjasë deri më 12 shkurt, atëherë kur do të bëhet nënshkrimi i këtij dokumenti në mënyrë zyrtare. Nënshkruesit pajtohen se do tu përmbahen parimeve për raportim profesional dhe të paanshëm” tha Tuneva.
Kryetari i Komisionit për Ankesa në KEMM, Mirçe Adamçevski, tha se deri më sot në adresë të tyre kanë arritur rreth 70 parashtresa, shumica nga të cilat kanë të bëjnë me punën e portaleve.
Ai tha se përvoja flet se pikërisht portalet janë shkelësit më të mëdhenj të etikës. “Presim që gjatë kësaj periudhe të rritet numri i parashtresave për punën e mediave gjatë fushatës parazgjedhore dhe pikërisht nga ky shkak është përpiluar ky dokument që mediat të sillën në mënyrë profesionale”, tha Adamçevski duke apeluar që mediat të pranojnë këtë propozim.
Sipas marrëveshjes politike qershor/korrik të vitit 2015 mes katër partive më të mëdha parlamentare në Maqedoni, duhej të arrinin konsensus rreth reformave për lirinë e mediave.