Kina, nga “fabrika e botës” në “tregun e botës”
Në më shumë se 30 vjetët e fundit, falë politikës së hapjes, krahut të lirë të punës dhe tokës me çmim të ulët, Kina ka marrë një numër të madh porosish prodhimi nga e gjithë bota, duke luajtur rolin e “fabrikës së botës” dhe duke siguruar rritjen e shpejtë ekonomike-tregtare. Vitet e fundit, në kushtet e ndryshimeve të mëdha të gjendjes ekonomike brenda e jashtë vendit, Kina ka filluar aktivisht ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik. Njëkohësisht, tregu gjigant i konsumit në Kinë ka tërhequr gjithnjë e më shumë investime të huaja. Kina po kalon tani nga “fabrika e botës” në “tregun e botës”.
Pak kohë më parë, kompania e njohur e prodhimit të lodrave dhe produkteve të tjera për fëmijë “Toyrus” hapi dyqanin e 100-të në Kinë. Kryezyrtari ekzekutiv i kësaj kompanie Dave A. Brandon bëri të ditur që dyqanet e “Toyrus”-it në Kinë, të hapur në 10 vjetët e fundit, mbulojnë 44 qytete kryesore. Ai u shpreh që, për arsye se tregu kinez ka rëndësi gjithnjë e më të madhe për biznesin e tyre, sivjet kjo kompani do të hapë më shumë dyqane në Kinë.
“Kemi në plan të hapim 30-40 dyqane të reja në Kinë. Ky është vetëm një parashikim dhe nuk është plani përfundimtar. Ne do ta bëjmë këtë gjë në kohën dhe në vendet e përshtatshme. Për kompaninë ‘Toyrus’ është shumë e rëndësishme që të përmbushë kërkesat gjithnjë e në rritje të fëmijëve kinezë dhe të prindërve të tyre për lodra cilësore dhe argëtim,” thotë Dave A. Brandon, kryezyrtari ekzekutiv i kompanisë “Toyrus”.
Në të vërtetë Brandon përfaqëson mendimin e një numri të madh sipërmarrësish që dëshirojnë të merren me biznesin e shërbimeve në tregun kinez. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Tregtisë e Kinës, në vitin 2015, në mbarë vendin u formuan 26 575 ndërmarrje me investime të huaja, 11.8 % më shumë se në 2014. Investimet e huaja në sektorin e shërbimeve arritën në 77.18 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje 17.3 % krahasuar me vitin 2014, duke zënë mbi 60 % të vëllimit të përgjithshëm të investimeve të huaja në Kinë. Krahas kësaj, sektori i prodhimit ka tërhequr 39.54 miliardë dollarë, duke zënë mbi 30 % të vëllimit të përgjithshëm, pothuajse po aq sa në vitin 2014. Zv.drejtorja e Institutit të Studimeve pranë Ministrisë së Tregtisë Xing Houyuan është e mendimit se këto të dhëna tregojnë që gjithnjë e më shumë investime po bëhen në sektorin e shërbimeve të Kinës dhe kjo tregon që statusi i tregut kinez në shkallë botërore është në rritje të vazhdueshme.
“Në të kaluarën, investitorët e huaj në Kinë merreshin me përpunimin e mallrave dhe i kushtonin më shumë vëmendje eksportimit në tregun ndërkombëtar. Ata shfrytëzonin krahun e lirë të punës dhe koston e ulët të të faktorëve të ndryshëm të prodhimit. Ndërsa tani ekonomia kineze është në ndryshim. Nga njëra anë, ne po zhvillojmë sektorin e prodhimit me teknologji të lartë dhe sektorin e shërbimeve, kurse nga ana tjetër, konsumi i brendshëm është motori i zhvillimit të ekonomisë kineze. Kështu, investitorët e huaj dhe kompanitë e mëdha ndërkombëtare që vijnë tani në Kinë u kushtojnë vëmendje më të madhe konsumatorëve kinezë. Ata vijnë këtu për t’u shërbyer konsumatorëve,” thotë Xing Houyuan.
Tani ekonomia kineze ka hyrë në fazën e ndryshimit dhe po kalon nga “fabrika e botës” në “tregun e botës”, që është bërë “kartëvizita” e re e Kinës në periudhën e globalizimit ekonomik.
Vlen të përmendet që, gjatë këtij procesi transformimi, eksporti i mallrave kineze të teknologjisë të lartë është rritur vit pas viti. Sipas “Raportit të integrimit ekonomik të Azisë 2015”, në vitin 2014 Kina renditej në vendin e parë për sa i përket eksportit të produkteve të teknologjisë së lartë në Azi, duke zënë 43.7 % të vëllimit të përgjithshëm, nga vetëm 9.4 % në vitin 2000. Tani në vendet aziatike janë mjaft të parapëlqyera produktet e teknologjisë së lartë të Kinës, si trenat e shpejtësisë së madhe, pajisjet e energjisë bërthamore dhe satelitët. Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Institutin e Studimeve Ekonomike pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Zhang Jianping u shpreh se risitë lidhur me teknologjinë e lartë do të shtojnë epërsinë e forcës konkurruese të Kinës në arenën ndërkombëtare dhe shumë vende mund të gjejnë produkte sipas kërkesave të tyre në “tregun e botës”, Kinën.
“Tani, në disa sektorë të teknologjisë së lartë, si ai i pajisjeve të mëdha komplekse, Kina ka epërsi të dukshme. Kemi tre fusha përfaqësuese: trenat me shpejtësi të madhe, energjia bërthamore dhe transmetimi i energjisë me tension ultra të lartë. Krahas kësaj, kemi përparësi të dukshme edhe në pajisjet e telekomunikacionit, prodhimin e automjeteve dhe pajisjet komplekse. Në të ardhmen do të shtojmë pandërprerë konkurrueshmërinë në nivel ndërkombëtar për sa i përket teknologjisë së lartë, pajisjeve hapësinore, teknologjisë së informacionit dhe biofarmaceutikës,” thotë Zhang Jianping, shefi i Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Institutin e Studimeve Ekonomike pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës.
Në fakt, Kina është bërë “tregu i botës”, sepse në vitet e fundit ka krijuar disa zona të tregtisë së lirë dhe ka rritur në mënyrë të pandërprerë hapjen ndaj botës. Kina ka nënshkruar dhe ka vënë në zbatim 14 marrëveshje për zonat e tregtisë së lirë, që përfshijnë 22 vende e rajone. Znj. Xing Houyuan, zv.drejtore e Institutit të Studimeve të Ministrisë së Tregtisë, është e mendimit se krijimi i zonave të tregtisë së lirë është një pjesë e rëndësishme e strategjisë së Kinës për integrimin e tregut vendas me tregjet ndërkombëtare. Sipas saj, një gjë e tillë është në të mirë të përshtatjes së tregut kinez me rregullat ndërkombëtare dhe të integrimit më të mirë në sistemin global të tregtisë. Po ashtu, kjo do të nxitë ngjitjen e Kinës në një nivel më të lartë në sistemin industrial ndërkombëtar.
“Së pari janë rregullat. Me sistemin e ri të ekonomisë së hapur, tregu vendas, qoftë për sa i përket mjedisit të biznesit, qoftë rregullave tregtare, mund të përshtatet më mirë me sistemin ndërkombëtar. Së dyti janë faktorët e prodhimit. Nëse duam të bëhemi një vend i fuqishëm tregtar, duhet doemos të përballojmë ndryshimin. Duhet të përmirësojmë shfrytëzimin e faktorëve të prodhimit brenda e jashtë vendit. Kështu, tregu kinez mund të integrohet në mënyrë më të thellë me tregun global. Me këto dy aspekte, statusi i Kinës në zinxhirin global të vlerës do të ndryshojë dhe Kina do të futet në sistemin industrial ndërkombëtar nga një nivel më i lartë,” thotë zv. drejtorja e Institutit të Studimeve të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Xing Houyuan.