Kina, Rusia dhe India kërkojnë bashkëpunim ekonomik në BRICS
Kryeministri indian Narendra Modi ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim dhe unitet brenda BRICS, duke theksuar peshën që grupi ka në ekonominë dhe tregtinë globale.
Në ditën e fundit të samitit, Modi iu drejtua liderëve të vendeve anëtare, mes tyre presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, duke deklaruar se BRICS përfaqëson rreth 50% të popullsisë së botës, 40% të PBB-së globale dhe më shumë se 25% të tregtisë botërore.
“Fuqia e BRICS qëndron në diversitetin dhe bashkëpunimin tonë”, tha Modi, duke nënvizuar synimin e grupit për të nxitur një rritje ekonomike më gjithëpërfshirëse.
BRICS u krijua në vitin 2009 si një forum për ekonomitë e mëdha në zhvillim, me synimin për të rritur ndikimin e tyre në institucionet ndërkombëtare të dominuara tradicionalisht nga fuqitë perëndimore. Sot, grupi synon të zgjerojë ndikimin global dhe të luajë një rol më të madh në çështje si konfliktet, tregtia dhe siguria energjetike.
Konflikti në Lindjen e Mesme ishte një nga çështjet kryesore të samitit. Vendet anëtare kishin shfaqur më herët ndarje lidhur me luftën, veçanërisht mes Iranit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministrat e Jashtëm të BRICS nuk kishin arritur të miratonin një deklaratë të përbashkët në New Delhi në maj, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi konfliktin që nisi pas sulmeve amerikano-izraelite më 28 shkurt.
Megjithatë, pas përpjekjeve diplomatike të Indisë si vendi pritës, liderët e BRICS, përfshirë presidentin iranian Masoud Pezeshkian, arritën të miratonin një deklaratë të përbashkët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.