Opinion

Kirill dhe Metodij-mbrojtësit e Evropës

Nga: Maria Paeeva

Në ditën e sotme (24 maj) krejt Bullgaria kremton një festë të veçantë ditën e alfabetit cirilik dhe të veprimtarisë madhështore të vëllezërve të shenjtë Kirill dhe Metodij. Historia e tyre pasqyron disa prej lidhjeve të shumta historike e kulturore mes popullit shqiptar dhe atë bullgar.

Shumë pak dihet për vitet e para të jetës së tyre. Sipas të dhënave historikë ata janë lindur në dekadën e parë të shekullit të IX-të në Selanik në një familje aristokratike, ku nëna e tyre ka qenë me prejardhje sllave. Rreth vitit 855 ata krijuar alfabetin e parë sllav-glagolicën (e cila më vonë u transferua në cirilicën) për t’i përkthyer librat e shenjtë të krishterë. Në vitin 863 ata u dërguan nga perandori bizantin Mihail III për të përhapur krishterimin ndër sllavët në Moravinë e Madhe (Çekia, Sllovakia, si edhe pjesë të Sllovenisë dhe Hungarisë së sotme) në gjuhën e tyre amtare. Krijuan shkollë shpirtërore, ku i kanë përkthyer librat e shenjtë dhe i kanë arsimuar misionarët e ardhshëm – nxënësit e tyre Kliment, Naum, Gorazd, Sava dhe Angjellarij. Misioni i tyre u has me kundërveprime nga mbrojtësit e dogmës trigjuhësore (që Bibla të lexohej vetëm në latinisht, në greqishten e vjetër dhe në hebraishten e vjetër). Për këtë shkak Kirill dhe Metodij u nisën për në Romë, që të përgënjeshtrojnë mbrojtësit e dogmës. Atje Kirilli arriti të bindë Papën Adrian II se duke qenë gjuhë kishtare sllavishtja është gjithashtu aq e vlershme, sa edhe greqishtja e vjetër, latinishtja dhe hebraishtja-gjë që në atë kohë ishte vërtetë një vepër revolucionare për Evropën e atëhershme. Rreth vitit 885 misionarët u persekutuan dhe në fund u dëbuan nga Moravia e Madhe. Jeta dhe veprimtaria e tyre e çmueshme u shpëtua nga princi bullgar Boris I. Pas krishterimit të Bullgarisë në vitin 864, vendi e kishte nevojë nga adaptimi i vlerave krishtere duke e ruajtur kulturën dhe identitetin e vet. Për këtë shkak me përkrahjen e madhe të princit Boris I në qytetet e Ohrit dhe të Presllavit u krijuan shkolla të mëdha ku jo vetëm u përkthyen librat e shenjta, por edhe u krijuan vepra origjinale për nga forma dhe përmbajtja.

Në krahinën Kutmiçevice, në qytetet Ohër, Gllavinice, Ballsh dhe Devoll, u hap Shkolla e njohur e Ohrit, në fund të shekullit të IX dhe në fillim të shekullit të X, nga Kliment Ohridski. Ky mësues, letrar dhe predikues në vazhdim të 30 vjetëve ka përgatitur dhe arsimuar mbi 35000 nxënës dhe priftërinj, ka përkthyer dhe ka shkruar libra. Një pjesë prej mësuesve dhe priftërinjve të përgatitur ishin të caktuar për punë në Shqipëri. Kliment Ohridski i mësonte bullgarët dhe shqiptarët se si të mjekohen, i njihte me kultura bujqësore si bletaria, pemëtaria. Ai ndërtoi shtatë kisha të mëdha, një katedrale, manastire në të cilat janë ruajtur shumë dorëshkrime dhe libra të çmueshëm.

Në Shqipëri akoma po ruhet kujtimi për shtatë shenjtorët-Kirill dhe Metodij dhe nxënësit e tyre: Kliment, Naum, Gorazd, Sava dhe Angjellarij. Në kishën e Beratit “Fjetja e Shën Mërisë” po ruhen eshtrat e Gorazdit dhe Angjellarijt. Është ruajtur edhe një mantel mbi të cilën janë shkruar emrat e këtyre burrave të shenjtë. Janë ruajtur edhe ikona me fytyrat e tyre.

Me veprën e tyre vëllezërit e shenjtë Kirill dhe Metodij proklamuan barazinë midis popujve evropian dhe dhanë kontributin e vet në zhvillimin e humanizmit. Prandaj është e shpjegueshme se ata u shpallën gjatë vitit 1980 nga Papa Gjon Pali II për Mbrojtës të Evropës. Pas anëtarësimit të Bullgarisë në BE në vitin 2007 ciriliku është bërë alfabet zyrtar i Unionit. Tani bile në kartëmonedhat euro mund të lexohet mbishkrimi cirilik “евро”.

Vepra e vëllezërve Kirill dhe Metodij kremtohet në Bullgari që nga shekulli i XII-të. Së pari u festua në datën 11 maj, sipas kalendarit kishtar. Pas aplikimit të Kalendarit gregorian, festa zyrtare modifikohet më 24 maj. Në atë ditë prej shekujsh në krejt Bullgarinë mbahen festime zyrtare. Nxënësit e shkollave të kryeqytetit mblidhen para Bibliotekës kombëtare “Shenjtorë Kirill dhe Metodij”, që e përulin para veprimtarisë së vëllezërve të shenjtë. Në të gjitha shtetet sllave ka kremtime të ndryshme lidhur me alfabetin cirilik. Bile para ca ditësh qeveria serbe miratoi një projektligj për shpalljen e 24 majit si festë zyrtare.

Duhet theksuar rolin e princit bullgar Boris I për shpëtimin e misionit të vëllezërve dhe për shpërndarjen e alfabetit cirilik mes popujve sllavë që të mund sot shtetet sllave të kenë kulturën e vet. Shteti bullgar njëkohësisht ka kontributin e vet edhe për ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar. Bullgaria ka qenë strehë për rilindësit shqiptarë. Në vitin 1912 Kuvendi bullgar morri vendimin që t’i falte borxhet e shtypshkronjës “Mbrothësia”, sepse gazetat, revistat dhe librat ishin për arsimimin dhe kulturën e shqiptarëve. Poetë, shkrimtarë, shkencëtarë të shquar bullgar po kështu kanë përkrahur veprimtarinë e popullit shqiptar për liri, ruajtjen e gjuhës, alfabetit dhe identitetit. Sot në Bibliotekën kombëtare “Shenjtorë Kirill dhe Metodij” ruhen libra të çmuara për aktivitetet kulturore të rilindësve shqiptarë në Bullgari. Përballë kësaj godine në Sofje ndodhet Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku prej 25 vitesh studiohet gjuha shqipe në kuadrin e Degës së Ballkanistikës.

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button