Kjo është histori e Shqipërisë, jo Kinematografi e Realizmit Socialist!
Replikë me mitropolitin e Korçës, Anastas

Me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Taulant Balla publikoi në rrjetet sociale një fragment nga një film shqiptar, ku trajtohet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në kishën ortodokse. Publikimi solli reagimin e mitropolitit të Korçës, Anastas, i cili, pasi kritikoi qeverinë për shpopullimin e vendit dhe patriotizmin e shfaqur në ditë festash, shkroi: “Nuk i përdhosni dot klerikët orthodhoksë me filma të realizmit socialist, z. Balla”.
Nuk kam ndër mend të mbroj Taulant Ballën. Atij do t’i sugjeroja që, përveç filmave të Kinostudios, të lexonte edhe ndonjë libër për Kongresin e Manastirit. Historia e alfabetit shqip është më e pasur se skenari i një filmi dhe patriotizmi kërkon pak më shumë se publikimi i një fragmenti filmik në Facebook.
Por, si shqiptar ortodoks, nuk mund të pajtohem me këtë qëndrim të mitropolitit. Këtu nuk bëhet fjalë për realizmin socialist, por për historinë e Shqipërisë dhe, njëkohësisht, për historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, për përpjekjet dhe sakrificat e atyre që e themeluan atë.
Çkishërimi i Petro Nini Luarasit nga autoritetet kishtare të Kosturit nuk është krijim i Kinostudios. Mallkimi i shkronjave shqipe nuk është shpikje e skenaristëve komunistë. Vetë Petro Nini Luarasi botoi më 1911 librin e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”.As vrasja e tij me helmim nuk eshte shpikje e skenaristeve te Kinostudios.
Përndjekja dhe internimi i priftit Stefan Luarasi për veprimtarinë e tij në shërbim të gjuhës shqipe janë ngjarje historike. Vrasja e Papa Kristo Negovanit më 1905, priftit ortodoks që predikonte dhe meshonte në shqip, nuk është as ajo një shpikje e kinematografisë shqiptare.
Në përpjekjet për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, një numër i madh klerikësh shqiptarë u përballën me çkishërime, mallkime, burgosje, internime dhe vrasje. Papa Kristo Negovani dhe i vëllai, Papa Theodhosi, At Stath Melani dhe Papa Llambro Ballamaçi u vranë nga çetat e armatosura greke. Fan Noli, Visarion Xhuvani, At Naum Cere, At Vasil Marko, Ikonom Josif Qirici, Papa Pando Sinica, Papa Jani Kosturi, At Kozma Qirjo, At Harallamb Çallëku, At Dhimitër Dhimitruka etj., etj., përmenden ndër klerikët që u përballën me forma të ndryshme përndjekjeje për veprimtarinë e tyre në shërbim të gjuhës shqipe dhe të pavarësisë së kishës shqiptare.
Në këto përndjekje u përfshinë përfaqësues të lartë të hierarkisë kishtare greke, të cilët jo vetëm përdorën çkishërimin dhe mallkimin si mjete ndëshkimi, por bashkëpunuan edhe me autoritetet osmane, duke i denoncuar klerikët shqiptarë si kryengritës.
Refuzimi i ceremonisë së varrimit fetar të Kristaq Dishnicës në Massachusetts, më 1907, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, ishte një nga ngjarjet që përshpejtuan përpjekjet për krijimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
Mesha e Fan Nolit në gjuhën shqipe në Boston më 1908, Kongresi i Beratit më 1922 dhe njohja e autoqefalisë nga Patriarkana e Kostandinopojës më 1937 ishin rezultat i një përpjekjeje të gjatë, që kërkoi shumë sakrifica nga klerikët dhe besimtarët ortodoksë shqiptarë.
Shpallja e autoqefalisë në Kongresin e Beratit dhe njohja e saj e mëvonshme nga Patrikana e Kostandinopojës ishin rezultat i një lufte disadekadëshe dhe i sakrificave të shumta të vetë klerit dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë.
Përmendja e këtyre ngjarjeve nuk është përdhosje e klerit ortodoks. Përkundrazi, është nderim i atyre klerikëve shqiptarë që u përballën edhe me drejtues të lartë të hierarkisë kishtare për të fituar të drejtën që shqiptarët t’i luteshin Zotit në gjuhën e tyre.
Si ortodoks shqiptar, kam vlerësuar dhe vazhdoj të vlerësoj kontributin e jashtëzakonshëm të kryepeshkopit të ndjerë Anastas. Ai jo vetëm ringriti dhe ringjalli Kishën Ortodokse Shqiptare, të shkatërruar nga regjimi komunist, por punoi edhe për forcimin e autoqefalisë së saj, të pavarësisë dhe të institucioneve të saj. Përgatiti një brez të ri klerikësh shqiptarë dhe respektoi përdorimin e gjuhës shqipe në jetën kishtare. Ai vetë, megjithëse ishte grek, mësoi shqipen, e foli atë dhe e përdori në ceremonitë fetare.
Regjimi komunist e përndoqi rëndë klerin dhe shkatërroi institucionet fetare. Por kjo nuk na jep të drejtën të mohojmë padrejtësitë që u bënë ndaj shqiptarëve ortodoksë përpara ardhjes së komunizmit në pushtet. Të dyja janë pjesë e historisë sonë.
Mitropoliti i Korçës, Anastas, ka të drejtë të kritikojë Taulant Ballën dhe qeverinë shqiptare për shpopullimin e vendit. Edhe unë e bashkoj këtu zërin tim me të tijin. Por kjo është një çështje tjetër.
Do të dëshiroja që pikërisht mitropoliti Anastas, me rastin e Ditës së Alfabetit, të kishte kujtuar dhe nderuar ata klerikë ortodoksë shqiptarë që u mallkuan, u çkishëruan, u internuan dhe u vranë për gjuhën shqipe dhe për themelimin e kishës së cilës ai i shërben sot. Të flasësh për këtë histori nuk do të thotë të fyesh ortodoksinë, Kishën Greke apo popullin grek. Ashtu siç nuk fyen Shqipërinë dhe shqiptarët kur flet për krimet që kreu regjimi komunist ndaj klerit ortodoks.
Si ortodoks shqiptar, shkruaj me respekt respekt për Fan Nolin, që punoi për themelimin e kishës sonë, dhe për kryepeshkopin Anastas, që punoi për ringritjen dhe forcimin e saj. Historia e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është historia e të dyve dhe e shumë e shumë të tjerëve, e sidomos e atyre që u përndoqën dhe u vranë pa hequr dorë nga besimi te Zoti dhe dashuria për atdheun.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.