BRUKSEL – Vendet “kursimtare” kundër taksës digjitale dhe shpenzimeve të larta në buxhetin e BE-së
BRUKSEL, 25 nëntor /ATSH-ANSA/ – Vendet e Bashkimit Evropian të njohura si “kursimtare”, mes të cilave Gjermania, Holanda, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Austria, pritet të kërkojnë shkurtime të mëtejshme në buxhetin afatgjatë të BE-së për periudhën 2028-2034, duke e konsideruar të pamjaftueshme reduktimin e propozuar të fondeve nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.
Ky grup vendesh, që kontribuojnë më shumë në buxhetin e përbashkët sesa përfitojnë prej tij, kërkon që fondet të orientohen drejt përparësive të reja, si mbrojtja, siguria, konkurrueshmëria dhe inovacioni, dhe jo të vazhdojnë të financojnë, në të njëjtën masë politikat tradicionale, veçanërisht politikën e kohezionit, e cila synon të zvogëlojë pabarazitë ekonomike dhe sociale mes rajoneve të BE-së.
Sipas një burimi diplomatik, vendet nordike e konsiderojnë të nevojshme rishikimin e propozimit të Costa-s, pasi Evropa ka tashmë një nivel të lartë borxhi.
“Tri nga katër ekonomitë më të mëdha të Eurozonës, Spanja, Italia dhe Franca, kanë një borxh publik mbi 100% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse duhet të krijojmë instrumente të reja borxhi?”, theksoi burimi.
Vendet “kursimtare” shprehen gjithashtu skeptike ndaj propozimit për vendosjen e një takse digjitale mbi të ardhurat e kompanive të mëdha të teknologjisë, e cila është përfshirë në planin e ri të financimit të BE-së.
Propozimi i Costa-s parashikon një buxhet prej rreth 1,582 trilionë eurosh për shtatë vitet e ardhshme, rreth 40 miliardë euro më pak se plani i mëparshëm i presidencës irlandeze dhe rreth 180,6 miliardë euro më pak se propozimi fillestar i Komisionit Evropian.
Shkurtimet prekin kryesisht, fondet për konkurrueshmërinë, mbrojtjen dhe veprimet e jashtme, ndërsa financimi për bujqësinë dhe kohezionin, është reduktuar në një masë më të kufizuar.
Çështja do të diskutohet në samitin e posaçëm të liderëve të BE-së, që nis më 26 nëntor në Bruksel, ku synohet të afrohen qëndrimet e 27 vendeve anëtare për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.