Klosi: Shqipëria, vendi ku vajzat dhe gratë drejtojnë, Lu: Vullnetarizmi më ndryshoi jetën
Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe veçanërisht roli që ajo mund të luajë në vullnetarizëm, kanë qenë tema të takimit të sotëm të organizuar nga GLOW (Girls Leading Our World) në Qendrën Rinore Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe ministri Blendi Klosi dhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu.
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë takim, ministri Blendi Klosi ka vënë theksin te nevoja për të mbështetur nisma të tilla që synojnë të rrisin rolin e femrës në jetën shoqërore, pasi sipas tij, kështu shoqëria do të ishte më e mirë dhe më solidare. “Unë ndaj opinionin dhe kam bindjen time personale që Shqipëria është realisht vendi ku vajzat dhe gratë drejtojnë jetën tonë. Unë i takoj atij grupimi që themi se në çdo aspekt të jetës ne kemi vajza shumë të spikatura”, – tha Klosi.
Bindje kjo, që sipas tij buron nga të qenit bashkëshort, prind, por edhe politikan. “E them këtë si bashkëshort, e pranoj me bindje që në këtë kuadër gratë drejtojnë dhe kjo nuk diskutohet. E them këtë si baba. Kam një vajzë vetëm 3 vjeç, Amlën, e cila realisht drejton shtëpinë tonë. E them edhe si politikan dhe si ministër, ku pjesën më të madhe të suksesit tim, në mos them në 99 për qind të suksesit tim ia dedikoj një bashkëpunimi shumë të frytshëm që kam me shumë zonja, por edhe vajza të reja, të cilat janë tashmë në postet drejtuese, e që realisht prodhojnë shumë mendime të drejta dhe mendime që janë shumë praktike”, – u shpreh Klosi.
Më tej ai ka bërë të ditur se vendosja e rregullave dhe kritereve do t’u krijonte grave më shumë mundësi konkurrimi si të barabarta me burrat. Këtë, sipas tij e tregoi rritja e prezencës së grave në politikë dhe qeverisje vetëm pasi u vendosën kuotat ligjore të përfaqësimit. “E kemi pasur këtë shumë problem me forcat tona politike, ku gjithmonë thuhet s’ka vajza, s’ka vajza, por në momentin që këto norma u vendosën, ne tashmë kemi një prezencë shumë të madhe të vajzave në të gjitha forumet dhe strukturat politike”, – tha Klosi. Ministri Klosi ka kërkuar ndihmën e shoqërisë civile dhe të aktiviteteve të tilla që këto nisma të përçohen tek ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje për t’u bërë pjesë e shoqërisë.
Ndërsa ambasadori Lu në fjalën e tij ka falenderuar gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në këtë projekt, për shpirtin e tyre të vullnetarizmit. Ai ka rrëfyer dhe pjesë të jetës së tij të vështirë dhe ndikimin që ka pasur në të vullnetarizmi. “Unë kam qenë një adoleshent i ndrojtur dhe me mungesë vetëbesimi. Në gjimnaz kam qenë vullnetar në një shkollë për fëmijët që ishin me aftësi të kufizuara. E kujtoj ende kurajën e këtyre fëmijëve të shpalosur çdo ditë teksa vinin në shkollë, merrnin pjesë në aktivitetet sportive dhe e jetonin jetën plotësisht, pavarësisht paaftësive të tyre. Si student universitar kam punuar me persona me aftësi të kufizuara mendore. Ishte e vështirë të ekuilibroje të qenit student i ngarkuar me mësime me të qenit vullnetar, por kisha zbuluar se vullnetarizmi im më sillte një perspektivë krejt tjetër në jetë. Më vjen në mend dhe them se sa me fat kam qenë që kisha ato mundësi që pata. Pasi u largova nga universiteti u bashkova me Korpusin e Paqes në Afrikës në Perëndimore. Këto ishin dy vitet më të vështira të jetës sime. Kam jetuar në një fshat pa energji elektrike, pa ujë të rrjedhshëm dhe pa tualet me shkarkues uji”, – u shpreh Lu.
Por sipas tij, ky angazhim për të ndihmuar të tjerët i dha atij mundësinë për të dashuruar jetën jashtë shtetit, mësimin e gjuhëve të tjera dhe përjetimin e kulturave të reja. “Këto përvoja të hershme të të qenit vullnetar më kanë ndihmuar të vendos se ç’do të bëja gjatë pjesës tjetër të jetës. Ato do të më vinin në rrugën ku do të takoja gruan time të mrekullueshme dhe do të rrisnim fëmijët tanë në këtë jetë me aventurën e jetuar në vendet e tjera”, – tha ambasadori.