KLSH: Evazion i frikshëm i kompanive të naftës. Dëmi, 5% e PBB-së
Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se koncesionarët që shfrytëzojnë naftën e nëntokës shqiptare kanë kryer evazion në përmasa të frikshme, deri në 5 për qind të prodhimit kombëtar.
“Po jap një fakt që është tronditës sa i përket faktorit ‘R’. Asnjëherë ky faktor nuk ka arritur të jetë më i madh se një rritje që do të bënte që detyrimi i këtyre kompanive ndaj buxhetit të shtetit të ishte 500 milionë dollarë”, deklaroi kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj.
Leskaj tha se ky krim financiar, i realizuar në disa vite, është kryer me bekimin e strukturave të shtetit, përkatësisht të institucioneve që mbikëqyrin koncesionet, si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore apo Albpetrol.
“Për rezultatet e këtij auditimi unë kam informuar me shkrim Presidentin, Kryeministrin dhe gjithë dosjen e kam dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e drejtuesve aktualë dhe atyre të mëparshëm. Gjithashtu, i kam propozuar ministrit aktual të shkarkojë tre drejtuesit e Agjencisë së Hidrokarbureve”, deklaroi Leskaj.
Zoti Leskaj ishte në komisionin parlamentar të ekonomisë për të paraqitur raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014 dhe gjysmën e parë të këtij viti.
“Gjatë kësaj kohe, dëmi ekonomik i zbuluar është 27 miliardë lekë, nga të cilat 11 miliardë vetëm për 2014-n dhe 16 miliardë për 6-mujorin e parë të këtij viti”, saktësoi Leskaj.
Kreu i KLSH-së listoi një sërë rekomandimesh për qeverinë dhe Parlamentin, duke e vënë theksin veçanërisht tek mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë që gjenden në shkelje, por edhe te disa ndryshime ligjore për sektorin e hidrokarbureve.