☀️
Tiranë 23°C · Kthjellët 17 July 2026
S&P 500 7,534 ▼0.51%
DOW 52,553 ▼0.2%
NASDAQ 25,882 ▼1.47%
NAFTA 78.89 ▲0.78%
ARI 3,980 ▼0.31%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1449 EUR/GBP 0.8487 EUR/CHF 0.9236 EUR/ALL 93.8515 EUR/MKD 61.5810 EUR/RSD 117.3735 EUR/TRY 53.8972 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6085 EUR/USD 1.1449 EUR/GBP 0.8487 EUR/CHF 0.9236 EUR/ALL 93.8515 EUR/MKD 61.5810 EUR/RSD 117.3735 EUR/TRY 53.8972 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6085
₿ CRYPTO
BTC $64,186 ▼ -1.02% ETH $1,880 ▼ -2.27% XRP $1.0986 ▼ -1.54% SOL $75.9700 ▼ -1.95%
S&P 500 7,534 ▼0.51 % DOW 52,553 ▼0.2 % NASDAQ 25,882 ▼1.47 % NAFTA 78.89 ▲0.78 % ARI 3,980 ▼0.31 % S&P 500 7,534 ▼0.51 % DOW 52,553 ▼0.2 % NASDAQ 25,882 ▼1.47 % NAFTA 78.89 ▲0.78 % ARI 3,980 ▼0.31 %
EUR/USD 1.1449 EUR/GBP 0.8487 EUR/CHF 0.9236 EUR/ALL 93.8515 EUR/MKD 61.5810 EUR/RSD 117.3735 EUR/TRY 53.8972 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6085 EUR/USD 1.1449 EUR/GBP 0.8487 EUR/CHF 0.9236 EUR/ALL 93.8515 EUR/MKD 61.5810 EUR/RSD 117.3735 EUR/TRY 53.8972 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6085
17 Jul 2026
Breaking
Opinion

Klubi i futbollit “Djemtë e Jugut”… (Dhe përse Anglia nuk do dalë kurrë kampion)

Nga Sokol Balla

Anglezët thonë se rugby është një sport për të varfërit që luhen nga fisnikët. Ndërsa futbolli është një sport për të pasurit që luhen nga varfanjakët. Anglezët i kanë shpikur të treja: fisnikërinë, rugby dhe futbollin dhe me siguri duhet të dinë diçka nga kjo punë. Por prova më e fundit se përse ata kanë të drejtë, ishte ajo që pamë në gjysëm finalen e dytë të Botërorit. Një Angli fisnike, përballë një Argjentine, që u shfaq pa dorashka si një grup çunash, që luajnë futboll si në rrugicat e lagjes. Një skuadër që del nga akademitë e klubeve angleze përballë një bande që është rritur rrugëve të Rosarios. Alvaro Junke një shkrimtar i njohur argjentinas, ka shkruar një libër të shkëlqyer për vëllazërinë argjentinase të futbollit: Klubi i Futbollit “Djemtë e Jugut”. Kush ka qenë në ndeshje futbolli me skuadra argjentinase, e kupton përse e kam fjalën. Në dhjetor 2018, kam qënë në një finale të Copa Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate. Jo në Argjentinë, por në Madrid. Arsyeja? Finalja u spostua 10 mijë kilometra larg, pasi autobusi i Boca Juniors u sulmua nga tifozët e River Plate në rrugët e Buenos Aires dhe autoritetet argjentinase nuk jepnin me asnjë garanci për sigurinë e ndeshjes. Çudi?!

Sa për sqarim: të dyja ekipet ndeshen rregullisht me njëra tjetrën në ligën argjentinase. Janë të dyja skuadra të Buenos Aires. Boca, ose Republika e Futbollit, është zona ku nisi karrierën Diego Maradona. Është zona më e varfër e stadiumit La Bonbonera, por edhe lagjia e artistëve dhe piktorëve. River Plate, luan në Monumental, një stadium që tashmë i është nënshtruar rinovimit arrogant për t’u kthyer në stadiumin më të madh në botë. Gjendet në lagjen e biznesit dhe skuadra përfaqëson të pasurit. Por në dhjetor 2018, ishin të “pasurit” që ushtruan dhunën e pashembullt mbi autobusit e Boca, duke plagosur edhe lojtarë. Një tjetër shembull se anglezët kanë të drejtë kur thonë se për kë, luajnë futboll argjentinasit: ata janë një grup gladiatorësh që nuk kanë asnjë mundësi tjetër, veçse të kënaqin epshet e ultrasve, të tyre të pasur, që para futbollit, kërkojnë përplasjen, para driblimit, kërkojnë thyerje këmbësh. Para artit kërkojnë grafitti. Para një veshjeje elegante, kërkojnë tatuazhe burgjesh mbi llërët dhe këmbët e gladiatorëve të tyre.

Shikoni transformimin e Messit në gjysmëfinale. Përplasjet e tij fizike me Bellingham ishin të denja për rugby. Ai u pa të vraponte për herë të parë, të shante dhe të dhunonte kundërshtarët e tij. A kishte nevojë ai dhe ekipi të sillej në atë mënyre? Argjentina ishte superiore në 90 minuta dhe nga pikëpamja sportive e meritoi fitoren. Por jo. Turma e të pasurve kërkonte gjak. Tifozeria argjentinase ishte ndoshta më e madhja në numër nga ato jashtë vendeve organizatore të Botërorit. Ndoshta numri i tyre këto 5 javë në SHBA, të ardhur posaçërisht nga Argjentina, mund të ketë qënë mbi 100 mijë. Po si ka mundësi ndërkohë që vendi i tyre është zhytur në një krizë inflacioni me mbi gati 2000 përqind, që prej kohës së Peron? E thjeshtë: shumica e tifozëve të Argjentinës që shihni në stadium, vijnë nga radhët e River Plate. Ata paguajnë mijëra dollarë, sepse e kanë mundësinë. Edhe nëse ekonomia kombëtare e Argjentinës është në kolaps. Por pikërisht për këtë, ata kërkojnë në shkëmbim, bindje, gjak dhe militarizim të fushës. Ndaj jo më kot lojtarët e Argjentinës u bënë të dhunshëm pa nevojë dhe në fund shpalosën një parrullë politike, që e ktheu ndeshjen në përplasje edhe diplomatike. Të pasurit e Argjentinës, qëndrojnë pas ekstremit të djathtë. Dhe ekstremi i djathtë në Argjentinë, Kili, Brazil, Uruguaj, Paraguaj, qëndron pas ushtrive të tyre të lidhura me diktaturat ushtarake. Sepse diktaturat ushtarake janë ato që në kohë krizash ekonomike, sajojnë luftëra nga hiçi, si ajo për ishujt Falklands në 1982. Ndaj edhe futbollistët u detyruan të shpalosin pa nevojë, pas fitores së tyre të merituar, një parrulle që rivendikonte Ishujt “Malvinas”. Sepse që talenti i tyre të mbërrijë në Atlanta, më parë duhet të kalojë arenat e stadiumeve të Argjentinës, ku komandojnë të pasurit.

Federata e korruptuar argjentinase e futbollit (kujtoj se FBI ka hapur hetim për 300 milion USD që ajo kaloi në llogari off shore para nisjes së Botërorit) ka marrë një vendim se në ekipet kombëtare një lojtar nuk mund të luajë, nëse nuk është federuar disa vite në kampionatin vendas. Dikush mund ta quajë një vendim të mirë për futbollin lokal. Kurse mua më kujton shërbimin e detyruar ushtarak në kohën e xhaxhit, kur edhe një student i shkëlqyer, nuk e merrte dot diplomën, pa bërë 6 muaj ushtri. Dhe ndaj banda e talentuar e “rrugaçëve” me detyrim të Argjentinës, është formacioni më komod për të pasurit. Nga vilat e Recoleta-s në Buenos Aires, e deri tek zyrat e FIFA në Zurich. Ndaj askush nuk duhet të habitet përse gjyqtarët e ndeshjes me Anglinë, ishin ca anonimë nga Liga modeste amerikane e futbollit. As përse i gjithë VAR-i i ndeshjes së Francës me Paraguajin ishin argjentinas. As përse Simeone, që kreu pesë faulla të rënda nuk u ndëshkua me të verdhë si Anderson, që kreu vetëm një. Gladiatorët që sjellin gjak në arenë, kur dhe ku duan të pasurit, shpërblehen. Ju kujtohet se çfarë thonë anglezët për futbollin? Është sport që luhet nga fakirët, për të kënaqur të pasurit. Për shfryrjen e komplekseve të tyre, jo për Lojën e Bukur. Loja e Bukur u krijua nga Brazili, por “vdiq” bashkë me të në 2002, kur kariokat fituan për herë të fundit. Edhe Anglia që shpiku futbollin, e ka të “ndaluar” të fitojë vetë. Shpesh i kujtojnë se fitoren e fundit në 1966, nuk e ka meritë, por sepse ashtu vendosën gjyqtarët e FIFA. Edhe kjo, një tjetër e vërtetë e hidhur.

Futbolli i rregullave “vdiq” bashkë me Gjermaninë e mërzitshme, që trofeun e fundit e ka në 2014. E prej asaj kohe në çdo turne të madh, veç skuadrave, Gjermanisë. I duhet të ndeshet me kundërshtarët e rinj: arbitrat e FIFA dhe UEFA, të cilat rregullat i ndryshojnë çdo katër vjet. Shikoni kush është tjetër në finale të Botërorit: Spanja, ose banda tjetër e preferuar e gladiatorëve (të UEFA). Përse?

Një foto e 19 viteve më parë, bën sot xhiron e botës. Lionel Mesi, në atë kohë ende një yll jo kaq i madh futbolli, bekon një foshnjë të sapolindur: djali me ngjyrë quhet Lamine Yamal. Pas 15 vjetësh, do cilësohej Messi i ardhshëm. Të dy kanë dalë nga La Massia e Barcelonës. Në 19 korrik, të dy ndeshen përballë njëri tjetrit në Nju Jork për kurorën e mbretit të Botës në futboll. Një përballje ku gladiatorët do lejohen të vërsulen e kafshojnë e gjakosin njëri tjetrin. Do jetë e vetmja garë e lirë në këtë Botëror, ku FIFA dhe UEFA nuk do ndërhyjnë, por do qesëndisin nga tribunat VIP të MetLife Stadium, jo se kush do fitojë Kupën e Botës, por se kush do jetë Maximus i ri.

Sepse këto dy organizata të futbollit, janë tashmë edhe sindikata që menaxhojnë miliarda euro dhe dollarë. Jo thjesht për fitime, por për të kënaqur egot e klasës “nouveau riche” të fushës së blertë. Ka një shpjegim pse Infantino shfaqej thuajse në çdo ndeshje të Kupës së Botës: charter-i që emiri i Katarit i ka falur atij. Ndaj dhe paragjysmëfinales, kreu i FIFA la ndeshjen e Francës me Spanjën, për të ikur si zar në DOHA, për të bërë ngushëllime Emirit për vdekjen e të jatit. Dhe besoj e dini se kush është kandidat kryesor tani për të zevendësuar Infantinon? Presidenti i PSG, nga familja Al Thani e Emirit të Katarit. Jam i sigurt se Infantino e di mirë, se kjo ishte kupa e tij e fundit e botës. Në fund të fundit, sa herë të mërzitet, ai do mbajë për vete edhe charter-in e falur nga Katari.

Dhuratat të tilla i pranon dhe mbreti, themi ne shqiptarët. Dhe popujt kanë gjithmonë të drejtë kur flasin. Anglezët për futbollin, shqiptarët për dhuratat. Kush nuk i beson popujve, të shohë finalen e gladiatorëve në 19 korrik. Kurorën në kokën e përgjakur të fituesit, do ta vendosë me duart e tij Presidenti i Amerikës. Edhe ai udhëton me nje avion të falur.

Edhe ai avion, është dhuratë nga Katari.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.