Koçiu: Nuk ka vendim për heqjen e ndalimit të monopatinave

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka sqaruar se udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina vijon të mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë vendim për heqjen e kësaj mase.
“Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët”, shkruan Koçiu në rrjetet sociale.
Ministrja shprehu mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila sipas saj synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, veçanërisht të të rinjve.
Sipas Ministres, të dhënat e Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të traumës tregojnë se gjatë periudhës së zbatimit të ndalimit është konstatuar një rënie e ndjeshme e numrit të aksidenteve.
“Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve. Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj. Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari“, thekson Ministrja.



