Kodheli: Mos hidhni akuza për konsum politik, majori ka dalë 102 herë pa leje jashtë vendit
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i bëri thirrje opozitës të mbledh fakte e të vije me prova konkrete dhe jo të hedhe akuza për konsum politik, apo publik.
“Ju, tha Kodheli, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, lidhur me ngjarjen e ndodhur në Spanjë, ngritët një vit më parë një stuhi (duke iu referuar akuzave për Divjakën), që dështoi dhe vini këtu e shfrytëzoni çdo rast me histori të paqena, me fakte të paverifikuara, duke krijuar argumentet për konsum politik dhe publik”, tha ajo.
“Ne, shtoi Kodheli, nuk kemi mbrojtur asnjë ushtarak. Zotëria (duke iu referuar majorit i cili u godit nga policia spanjolle teksa po udhëtonte me një helikopter, duke ushtruar aktivitet të paligjshme) është hequr nga FA-të, se ka dalë 102 herë jashtë vendit pa leje, duke thyer disiplinën ushtarake, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare. Majori ishte me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje. Këta zotërinj që janë dënuar apo janë kapur me abuzim, kanë dalë pa leje nga vendi. Gjithsesi, duke folur për këtë rast, investigimi po bëhet nga policia spanjolle dhe shumë shpejt do të dalë e vërteta në dritë”, theksoi Kodheli, duke kujtuar se sot, ndryshe nga më parë, ka polici ushtarake të denjë, Inteligjencë të denjë dhe Forca Ushtarake të pacenuara, prandaj dhe ministrja Kodheli i bëri apel opozitës të dalë në foltoren e Kuvendit, apo ku do tjetër, me dokumente dhe prova.