Kodheli: NATO, bazë në Bizë. Rrit edhe sigurinë e Shqipërisë e rajonit
Duke shoqëruar Sekretarin Britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon, në stërvitjen e përbashkët “Joint Effort 16”, që po zhvillohet në Shqipëri, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, njoftoi planin që ka Shqipëria, që mund të ndryshojë përfundimisht zonën e Bizës në Martanesh.
“Bizën ta transformojmë në një “njollë”, thuhet në gjuhën ushtarake NATO, pra në një zonë stërvitore, në një mjedis stërvitor, ku jo vetëm Forcat e Armatosura Shqiptare, por ato britanike, SHBA-ve dhe besoi edhe të Italisë, të mund të vijnë. Çfarë do të thotë kjo për një vend si Shqipëria apo për qytetarët shqiptarë? Më shumë siguri, më shumë investime, sepse sigurisht që ka nevojë për rrugë dhe për investime të tjera që kjo të bëhet gjithmonë e më e aksesueshme dhe një pozicionim të trupave të përhershme mbase, të aleancës që është një siguri më e madhe. Kjo ka ardhur normalisht, ku gjatë bisedimeve që unë kam pasur me homologët, që nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara tek Sekretari Fallon dhe tek kolegë të tjerë, ministra të Mbrojtjes dhe sigurisht që ti duhet të punosh pafundësisht për ta mbërritur këtë gjë”, u shpreh ministrja Kodheli.
Edhe pse ekspertët rus kanë deklaruar se ardhja e tyre në Shqipëri, ishte një kontroll rutinë, a ka të bëjë realisht kjo vizitë me qëllimin e shndërrimit të Bizës në një baze të NATO-s?
“Tani duket sikur Rusia po vjen këtu, por nuk e “nxë” edhe të dojë të vijë. Jo, është një punë rutinë, janë dy gjëra totalisht të ndara. Shqipëria është anëtare e OSBE-së me të drejta të plota, ashtu si edhe Rusia. Ne bëjmë të njëjtën gjë, në Rusi dhe në vende të tjera, ata bëjnë të njëjtën gjë me ne”, tha ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.