Ekonomia

Kodi Penal/ Botohen në Fletoren Zyrtare masat ashpërsuese për evazion

Ndryshimet e shumë debatuara në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit janar të këtij viti.
Këto ndryshime në thelb të tyre kanë ashpërsimin e masave dënuese deri në 10 vite burg për bizneset që kryejnë shkelje të legjislacionit tatimor e doganor. Konkretisht, parashikojnë burg deri në 10 vjet për kontrabandë, burg deri në një vit për loslëshim kuponi dhe deri në tre vjet nëse subjekti ushtron aktivitet pa kasë fiskale.

Neni 171 thotë se importimi, eksportimi ose transitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluara ose të kufizuara që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet.

Ndërsa hedhja në konsum e mallrave të vendosura në qarkullim të lirë pasi janë importuar me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës, për shkak të destinacionit përfundimtar ose të përdorimit të tyre përfundimtar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dënohet deri në pesë vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Në nenin 173 thuhet se importimi, eksportimi ose transitimi i mallrave, për të cilat kërkohet licencë nga organi kompetent, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme ose të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit ose të tjera forma, që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Sipas nenit 178 të Kodit Penal, tregtimi, tjetërsimi ose transportimi i mallrave, për të cilat dihet që janë kontrabandë, si dhe çdo ndihmë tjetër që u jepet personave që merren me këto veprimtari, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet me mallra, për të cilat paguhet akcizë ose që janë të ndaluara ose të kufizuara, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Kur vepra penale, kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Në nenin 179 përcaktohet dënimi për ruajtjen ose depozitimin e mallrave kontrabandë. Sipas këtij neni, ruajtja, depozitimi, mbajtja ose përpunimi i mallrave, për të cilat dihet se janë kontrabandë, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.Kur kjo vepër, kur kryhet me mallra, për të cilat paguhet akcizë ose që janë të ndaluara ose të kufizuara, dënohet me burgim deri në pesë vjet.Ndërsa kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Me tej në pikën b të këtij neni thuhet se thyerja, heqja e vulës doganore, zëvendësimi, ndërrimi ose falsifikimi i shenjave të tjera të sigurisë të vendosura nga autoritetet doganore për qëllime mbikëqyrjeje ose kontrolli ose për pezullimin e veprimtarisë tregtare në ambientet ekonomike ose të vendosura mbi mjetin e transportit ose mbi mallra ose falsifikimi në çfarëdo mënyre i numrit të identifikimit të mjetit të transportit, me qëllim shmangien nga kontrolli doganor, dënohen me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur ka të bëjë me mallra akcize ose të ndaluara ose të kufizuara, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Në pikën c të këtij neni, thuhet se largimi i mallrave nga zonat doganore pa lejen e organeve doganore dhe pa paguar detyrimet që duhen paguar ose pa garantuar pagesën e tyre, me përjashtim të rasteve të përjashtimit nga detyrimi për dhënien e garancive, siç parashikohet nga legjislacioni doganor, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka të bëjë me mallra akcize, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 179,pika ç thotë se transportimi i mallrave pa manifest ose mungesa ose refuzimi i paraqitjes së manifestit dhe dokumenteve përkatëse, ngarkimi, shkarkimi ose transportimi i mallrave, udhëtarëve dhe bagazheve të tyre pa lejen e autoriteteve doganore, qëndrimi në vende ku nuk ka zyrë doganore ose ndalimi në afërsi të portit ose aeroportit pa lejen e autoriteteve doganore, shkarkimi ose transbordimi i mallrave në kundërshtim me legjislacionin doganor, mungesa në bordin e mjetit të mallrave që duhet të gjendeshin aty, në bazë të manifestit dhe dokumenteve të tjera doganore, e kryer kjo, sipas rastit, nga kapiteni, piloti ose ekuipazhi, dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Në nenin 180, thotë se moslëshimi i kuptonit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore nga personi, i cili ka detyrimin të lëshojë kuponin tatimor, dëftesën ose faturën tatimore, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale, sipas dispozitave ligjore në fuqi, ose dhënia e urdhrave në kundërshtim me ligjin, me qëllim moslëshimin e kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me burgim deri në tre vjet.

N nenin 181,pika a parashikohen sanksine edhe për punonjësit e organeve tatimore. Moskryerja e detyrave që lidhen me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve nga punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë, që janë ngarkuar me këto detyra, kur bëhet për fajin e tyre, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Neni 288 pika b përcakton se tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse në kundërshtim me standardet ligjore të cilësisë dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda materiale për shëndetin ose ka prishur ekosistemin, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button