Komedia “Kafe në mesditë” e dramaturgut kroat, Miro Gavran ngjitet në Teatrin Eksperimental
Shfaqja “Kafe në mesditë”, një vepër e dramaturgut të njohur kroat Miro Gavran, u ngjit mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, duke sjellë për publikun një histori të ngrohtë, plot humor dhe emocion mbi marrëdhënien mes një nëne dhe djalit të saj.
E interpretuar nga Mladena Gavran dhe Vedran Komerički, vepra rrëfeu përmes dialogut të dy personazheve ulje-ngritjet e një marrëdhënieje familjare përgjatë më shumë se njëzet viteve. Bisedat e zhvilluara gjatë një kafeje u kthyen në një udhëtim në kohë, ku u prekën tema si dashuria, familja, kujtesa, kalimi i viteve dhe marrëdhëniet mes brezave.
Interpretimi i dy aktorëve e solli historinë në mënyrë të natyrshme dhe të afërt me publikun, duke krijuar momente humori, por edhe reflektimi mbi lidhjen e veçantë mes prindit dhe fëmijës.
Kjo vepër erdhi në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Kroate.
Miro Gavran është një nga autorët bashkëkohorë më të njohur të Kroacisë, me një krijimtari që përfshin dramaturgjinë, prozën dhe letërsinë për fëmijë. Veprat e tij janë përkthyer dhe vënë në skenë në shumë vende të botës, duke e bërë atë një prej dramaturgëve kroatë më të luajtur ndërkombëtarisht.
Krijimtaria e Gavranit është karakterizuar nga temat universale, marrëdhëniet njerëzore, familja, dashuria dhe konfliktet e përditshme, të trajtuara shpesh përmes një kombinimi të humorit dhe ndjeshmërisë. Veprat e tij kanë marrë vëmendje dhe çmime të shumta, ndërsa dramaturgjia e tij është bërë pjesë e repertorëve të teatrove në Evropë dhe më gjerë.
Përmes “Kafe në mesditë”, Gavran ka sjellë një tjetër histori të fokusuar te marrëdhëniet njerëzore, duke e kthyer një bisedë të thjeshtë mes një nëne dhe djali në një rrëfim për kohën, kujtesën dhe lidhjet familjare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.