KOMENT – BE synon uljen e varësisë nga Kina, por kjo mund të rrisë kostot
Megjithatë, diversifikimi mund të sjellë kosto më të larta për bizneset dhe konsumatorët. Luisa Santos, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e organizatës “BusinessEurope”, tha se kompanitë zgjedhin furnizuesit që ofrojnë raportin më të mirë mes çmimit dhe performancës.
Nga ana tjetër, komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefçoviç, ka theksuar se kompanitë duhet të përfshijnë në planet e tyre edhe kostot e sigurisë së furnizimit, duke i trajtuar rreziqet gjeopolitike si një çështje thelbësore të biznesit.
Ende nuk është përcaktuar se cilët sektorë do të përfshihen në instrumentin e ri. Përfaqësuesit e biznesit argumentojnë se masat duhet të përqendrohen te produktet për të cilat varësia mund të përdoret si mjet presioni politik ose ekonomik.
Për disa lëndë të para kritike, si metalet e rralla, diversifikimi mbetet veçanërisht i vështirë, pasi Kina dominon prodhimin dhe përpunimin e tyre dhe alternativat e disponueshme janë të kufizuara.
Si model për nismën e re, Komisioni Evropian mund të marrë përvojën e planit “REPowerEU”, i nisur në vitin 2022 për të ulur varësinë nga energjia ruse pas fillimit të luftës në Ukrainë. Plani ka nxitur investime në energjinë e rinovueshme, gjetjen e furnizuesve të rinj dhe blerjet e përbashkëta të energjisë, por përshtatja ka sjellë edhe rritje të çmimeve për konsumatorët evropianë.
Sipas studiuesit Tobias Gherke të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, skenari më i kufizuar do të përfshinte vetëm disa sektorë kritikë, si energjia dhe industria e mbrojtjes.
Një skenar më i gjerë do të parashikonte vendosjen e tarifave për kompanitë që blejnë më shumë se një prag të caktuar të një produkti nga një burim i vetëm, me synimin për t’i nxitur të kërkojnë alternativa.
Megjithatë, kjo mund të shtrenjtojë lëndët e para dhe të ndikojë në disa sektorë njëkohësisht, nga teknologjitë e gjelbra te mbrojtja dhe industria digjitale. Për BE-në, sfida do të jetë gjetja e një ekuilibri mes sigurisë ekonomike dhe kostove që do të duhet të përballojnë bizneset dhe qytetarët. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.