Fond kombëtar për artin nga kursimet e krijuara nga miradministrimi i prokurimeve publike
Qeveria miratoi projektligjin për Fondin Kombëtar për Artin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, shpjegoi se ky fond parashikon të kthejë një pjesë të kursimeve nga prokurimet publike në investim për artin dhe kulturën. 10% e këtyre kursimeve të verifikuara do të mund të përdoren, përmes buxhetit vjetor, për blerjen e veprave të artit dhe koleksioneve me vlerë historike.
Ministri Gonxhja tha se, paratë e kursyera nga miradministrimi do të shërbejnë për të mbështetur krijimtarinë artistike dhe për të pasuruar fondin publik.
Pas aprovimit në Kuvend, projektligji do të jetë për zbatim nga janari i vitit 2027. Ministri shpjegoi se, veprat e artit, do të përzgjidhen nga ekspertë të fushës, me mbështetjen teknike të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ato do të bëhen pronë publike dhe do të ekspozohen në institucione e hapësira publike, ndërsa vendimet dhe shpenzimet do të bëhen transparente.
Pritet që Fondi Kombëtar për Artin të japë më shumë mbështetje për artistët, arti të jetë më i arritshëm nga qytetarët dhe veprat me vlerë të ruhen për brezat e ardhshëm.
Një nga elementet më të rëndësishme të këtij projektligji është modeli i financimit, i cili mbështetet në përdorimin e një pjese të kursimeve të krijuara nga procedurat e prokurimit publik.
Financimi i Fondit do të sigurohet nga kursimet e verifikuara dhe të certifikuara nga ministria përgjegjëse për financat, të cilat rezultojnë të disponueshme për rishpërndarje në vitin përkatës buxhetor. Shuma e alokuar për Fondin nuk mund të tejkalojë 10% të vlerës totale vjetore të këtyre kursimeve dhe miratohet nëpërmjet ligjit vjetor të buxhetit.
Gjithashtu, Fondi mund të përfitojë nga donacione, sponsorizime dhe grante nga Bashkimi Evropian, organizata ndërkombëtare dhe partnerë strategjikë kulturorë. Kjo krijon hapësirë për mobilizimin e burimeve shtesë dhe për forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, pa krijuar detyrime financiare për Buxhetin e Shtetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.