KOMENT – Franca në flakë nga protestat, plaçkitësit dhe mijërat e arrestuar
Në Paris, përplasje të reja shpërthyen rreth sheshit ”Republika”, epiqendra e dhunës një ditë më parë, në kuadër të protestave që mblodhën 110 000 persona në kryeqytet dhe 550 000 në total në të gjithë vendin, sipas shifrave zyrtare.
“Ne të gjithë ndiejmë këtë mbrëmje zemërim dhe turp”, deklaroi presidenti Emmanuel Macron në një fjalim të dielën, duke njoftuar se kryeministri Sébastien Lecornu do të mbledhë të hënën partitë, sindikatat, përfaqësuesit e Parlamentit dhe të pushtetit vendor.
E konsideruar favorite për zgjedhjet presidenciale të prillit-majit, Marine Le Pen (RN, e djathta ekstreme) denoncoi një “krizë të thellë” që përbën një “kërcënim për demokracinë”, në një video me ton shumë solemn të publikuar në rrjetet e saj sociale.
I akuzuar nga qeveria dhe kundërshtarët e tij për nxitjen e dhunës, lideri i së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon, i kërkoi presidentit Macron t’i japë fund “përkeqësimit të situatës” dhe të japë një përgjigje për të rinjtë.
Në total, 2 397 persona janë arrestuar, sipas bilancit të fundit të Ministrisë së Brendshme, e cila raportoi gjithashtu 997 policë dhe xhandarë të plagosur, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë.
Vetëm në Paris janë arrestuar 855 persona, një “shifër rekord”, njoftoi të dielën prefektura e policisë. Më shumë se 550 persona ndodhen në paraburgim, sipas prokurorisë së kryeqytetit.
– 30 000 plaçkitës në Marsejë –
Më shumë se 30 000 plaçkitës u evidentuan të shtunën në Marsejë, sipas prefekturës së policisë.
Në Saint-Étienne, në pjesën qendrore-lindore të vendit, një protestuesi iu këput dora nga një granatë policore, sipas një burimi pranë çështjes. Ndërsa në Mulhouse, inspektorati i policisë u vu në lëvizje pasi një e re humbi njërin sy.
Në fjalimin e tij, kreu i shtetit deklaroi se prefektët mund të shkojnë “deri në ndalimin” e disa tubimeve gjatë ditëve në vijim, në bashkëpunim me bashkitë.
Të dielën, në Paris shpërthyen episode të reja të dhunës sporadike. Sipas një burimi pranë çështjes, CRS 8, një njësi e specializuar në luftën kundër dhunës urbane, u dislokua për të dytën ditë radhazi pranë sheshit të Republikës për të shpërndarë grumbullimet e paautorizuara.
Të paktën një dyqan veshjesh u plaçkit në këtë zonë, nga ku ishte nisur një ditë më parë protesta në Paris.
Plaçkitjet, përplasjet me forcat e rendit dhe shkatërrimet vazhduan deri vonë gjatë natës nga e shtuna në të dielë.
I mësuar me mobilizime të mëdha, vendi ka përjetuar më parë episode dhune me jelekverdhët në vitet 2018-2019, trazirat e shkaktuara nga vdekja e Nahelit në vitin 2023 dhe protestat kundër reformës së pensioneve po atë vit.
Sipas disa vëzhguesve, dita e së shtunës shënon një pikë kthese.
Në Paris, “rrugë të tëra u shkatërruan në mënyrë metodike”, deklaroi kryebashkiaku socialist Emmanuel Grégoire.
Në Limoges, ku ndërtesa e bashkisë u shkatërrua nga një zjarr, kryebashkiaku Guillaume Guérin (LR, e djathta) akuzoi shtetin se kishte “braktisur policët kombëtarë përballë hordhive të egërsirave”.
Kryebashkiaku i Marsejës, Benoît Payan kishte kërkuar që të shtunën “llogari” për të kuptuar se si “njerëzit mundën të shkatërronin pa u ndëshkuar”.
“Do të bëhet transparencë e plotë” për strategjinë e ruajtjes së rendit, premtoi presidenti Macron.
Një komision parlamentar hetimor për dhunën do të krijohet dhe do të shqyrtojë gjithashtu strategjinë e ruajtjes së rendit, njoftoi kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet (Renaissance, pro Macron).
Bashki të sulmuara, dyqane të shkatërruara, rrugë të mbuluara me mbeturina… Në qytetet e shumta të prekura nga dhuna, e diela ishte një ditë bilanci, shkatërrimi dhe ndonjëherë zemërimi.
“Është e mjerueshme, tronditëse, turma të rinjsh që pamë dje këtu, që plaçkitin dhe shkatërrojnë pa u ndëshkuar”, u shpreh Cécile Rogue, 57 vjeçe, në Paris.
E njëjta ndjenjë mbizotëronte përpara bashkisë së Limoges, çatia e së cilës u shemb.
“Fëmijët e mi janë martuar këtu, të dhemb zemra”, tha Jean-Louis, një banor në pension.
Vullnetarë dolën spontanisht për të ndihmuar në pastrimin e rrugëve të qendrave të qyteteve, të mbuluara me mbeturina, në përpjekje për të kapërcyer ndjenjën e pafuqisë.
“U zgjova këtë mëngjes, (…) nuk kisha fjalë dhe doja të ndihesha e dobishme”, shpjegoi Clémentine, 47 vjeçe, e takuar në Lion.
– 1 500 biznese të prekura –
Në total, 1 500 tregtarë janë prekur në të gjithë vendin dhe dëmet arrijnë në qindra miliona euro, sipas Federatës së Tregtisë dhe Shpërndarjes.
Një person që po merrte pjesë në protestën në kryeqytet humbi jetën pas një gjendjeje të papritur shëndetësore, pa lidhje me dhunën apo ndonjë veprim të forcave të rendit, sipas autoriteteve.
Kriza franceze nuk ka kaluar pa u vënë re jashtë vendit: presidenti amerikan Donald Trump shkroi se “Franca po digjet”, duke vlerësuar se vendi ishte “i thyer” nga emigracioni.
Kjo ditë do të shënojë “pa dyshim një ndarje”, sipas të përditshmes gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e tronditur nga niveli i dhunës, në të njëjtën linjë me shtypin e huaj.
“Franca i vë flakën makronizmit”, vlerësoi gazeta spanjolle “El País”./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.