Bota

KOMENT – Gjermania kthehet majtas

Fitorja e social-demokratëve gjermanë në zgjedhjet legjislative shenjtëron rilindjen e një partie që po ”vdiste” kohët e fundit, por që arriti të shuante mosmarrëveshjet e saj të brendshme dhe të përfitonte nga hezitimi i konservatorëve, në fund të epokës së kancelares Merkel.

Sipas rezultateve zyrtare të publikuara sot, SPD fitoi votimin me një epërsi të vogël, me 25,7% kundrejt qendrës së djathtë të kancelares, me 24,1%.

Partia më e vjetër gjermane gjithashtu arriti gjatë kësaj “dite të madhe zgjedhjesh” të mbante kryebashkiakun prestigjioz të kryeqytetit Berlin dhe të fitonte gati 40% të votave në një zgjedhje rajonale në Mecklenburg, në lindje të vendit.

“SPD po feston ringjalljen e saj”, thotë gazeta gjermane ”Der Spiegel”.

Pasi morën pjesë në tre qeveri si një partner “i vogël” i konservatorëve të Angela Merkelit, social-demokratët synojnë këtë herë të kthehen në kancelari.

E çorientuar prej një kohe të gjatë

SPD-ja ka bërë një rrugë të gjatë. Një vit më parë, ajo kishte më pak se 15% të votave në sondazhe.

“Shumë ekspertë e konsideruan SPD-në pak a shumë të mbaruar dhe të gatshme për të shkuar në opozitë për të shëruar plagët e saj”, tha Sudha David-Wilp, shkencëtare politike nga instituti ”Marshall”.

Formacioni më i vjetër politik në Gjermani, i krijuar në vitin 1863, pa dyshim që për dy dekada ka dhënë imazhin e një lëvizjeje të çorientuar.

Faji, në radhë të parë, ishte i lidhur me trashëgiminë e një fryme politike liberale, të udhëhequr në fillim të shekullit nga kancelari Gerhard Schroeder.

Rezultati është një reformë jopopullore e tregut të punës, e cila ka ulur ndjeshëm papunësinë, por gjithashtu çon në pasiguri në punë.

E mbërthyer nga mosmarrëveshjet e brendshme midis krahut të majtë dhe qendrës, të zhveshur nga identiteti për shkak të koalicionit me konservatorët, dukej se SPD ishte e dënuar të fundosej.

Kriza ekzistenciale u përkeqësua pas humbjes dërrmuese në zgjedhjet legjislative të vitit 2017 (vetëm 20% e votave).

Vetëm për shkak të mungesës së një opsioni tjetër qeveritar në vend, SPD-ja rinovoi lidhjen e saj në pushtet me Angela Merkel. Por, partia doli prej shumë e ndarë dhe e dobësuar nga ky koalicion.

Partia ndahet në kohë rekord nga dy presidentë, para se të emërojë në vitin 2019 një tandem të panjohurish nga krahu i majtë, në mënyrë që të bllokojë më pas ambiciet e centristit Olaf Scholz.

Historia tregon se që të fitosh zgjedhjet në Gjermani duhet të jesh në qendër. Basti është fituar, veçanërisht pasi e majta radikale gjermane u rrëzua dje në zgjedhje.

Fitorja e SPD-së vjen për t’i dhënë pak më shumë balsam zemrës së demokracisë evropiane në krizë.

Ajo po pozicionohet për të udhëhequr Gjermaninë, siç po bën tashmë në Suedi, Danimarkë, Finlandë dhe ndoshta së shpejti edhe në Norvegji.

Bashkimi në provë

Në këtë rast, edhe nëse nuk ka karizëm, Olaf Scholz do të hynte në panteonin e kancelarëve të SPD-së së pasluftës: Willy Brandt (1969-1974), babai i hapjes diplomatike me Lindjen, Helmut Schmidt (1974-1982) dhe Gerhard Schroeder (1998-2005).

Megjithatë, a do të vazhdojë uniteti i partisë?

Krahu i majtë mund të mos vlerësojë kompromiset e pashmangshme që Scholz do të duhet të pranojë me partinë liberale FDP nëse dëshiron të krijojë një koalicion me shumicë, duke përfshirë edhe ambientalistët.

FDP, një parti më e djathtë se ajo e Angela Merkel, është për shembull kundër çdo rritjeje të taksave dhe çdo taksimi të të ardhurave më të larta, ndërsa SPD-ja ka bërë fushatë për taksën e pasurisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button