KOMENT – Nga Parisi në Tiranë, arsyet e valës së protestave të të rinjve evropianë
ROMË, 20 tetor /ATSH-ANSA/ – Luftë urbane, sheshe të mbushura plot dhe transport i paralizuar po përfshijnë Evropën, duke nxjerrë në rrugë miliona protestues: kjo është situata aktuale që paraqitet në shumë kryeqytete evropiane
Mobilizimi masiv, i udhëhequr nga Gjenerata Z (Gen Z), punëtorët dhe sindikatat, kundërshton ashpër rritjen e menjëhershme të kostos së jetesës, krizën e strehimit dhe shkurtimet strukturore në skemat e mirëqenies sociale.
Protestat kanë degjeneruar në përplasje të dhunshme në shumë qytete, evropiane.
Më poshtë paraqitet një panoramë e zhvillimeve dhe revoltave në vendet e tjera kryesore evropiane:
FRANCA: Mobilizimi në shkallë kombëtare kundër shkurtimeve në arsimin publik dhe masave shtrënguese po përhapet prej ditësh në të gjithë vendin, duke kulmuar fundjavën e kaluar në një situatë të vërtetë dhune urbane, me barrikada të përfshira nga flakët dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Të paktën 2 400 persona janë ndaluar gjatë orëve të fundit. Protestat kanë paralizuar transportin, ndërsa janë plaçkitur dyqane dhe janë dëmtuar rëndë infrastruktura në Paris, por edhe në Lion, Marsejë, Lilë, Bordo dhe Strasburg.
BELGJIKA: Presioni i inflacionit dhe rritja drastike e kostos së jetesës po nxisin protestat. Në Bruksel, policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit që kishin dalë në rrugë kundër rritjes së çmimeve të produkteve të domosdoshme.
Në Liezh, studentët protestuan për të drejtën e arsimimit dhe kundër rritjes së kostove të shkollimit.
SPANJA: Zemërimi është përqendruar te kriza e strehimit, të cilën protestuesit e cilësojnë si “një vjedhje të legalizuar”. Reagimi u përshkallëzua pas dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen.
Në Madrid dhe Barcelonë, manifestime masive të organizuara nga sindikatat e qiramarrësve mbushën rrugët e qendrave të qyteteve.
Në sheshin Puerta del Sol u ngrit një kamp proteste, ku demonstruesit kërkuan ngrirjen e menjëhershme të qirave, ndalimin e spekulimeve në tregun turistik të pasurive të paluajtshme dhe marrjen nën kontroll të banesave të pabanuara në pronësi të fondeve të mëdha të investimeve.
PORTUGALIA: Në Lisbonë dhe Porto, mijëra njerëz dolën në rrugë kundër humbjes së fuqisë blerëse, rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve të papërballueshme të tregut të pasurive të paluajtshme.
Sipas protestuesve, tregu i banesave është bërë praktikisht i përballueshëm vetëm për investitorët e huaj, duke i detyruar banorët vendas të largohen nga qytetet.
Në sheshin Rossio, në kryeqytetin portugez, është ngritur një pikë e përhershme proteste.
SHQIPËRIA: Studentët dhe të rinjtë po protestojnë masivisht në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit kundër kostove të larta të studimeve universitare dhe mungesës së perspektivave për punësim për brezat e rinj.
Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar dialog mbi pretendimet e studentëve.
GJERMANIA: Në Berlin dhe në qytete të tjera, mijëra protestues kanë marshuar gjatë ditëve të fundit për të kundërshtuar mënyrën e menaxhimit të tranzicionit energjetik, për të cilin pretendojnë se po rëndon ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe shtresën e mesme të shoqërisë.
Protesta janë zhvilluar gjithashtu nga studentët kundër masave shtrënguese dhe një ligji të ri, i cili, sipas tyre, i ekspozon ndaj rrezikut të rikthimit gradual të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.