☀️
Tiranë 32°C · Kthjellët 17 August 2026
S&P 500 7,786 ▼0.17%
DOW 53,732 ▼0.2%
NASDAQ 26,729 ▼0.28%
NAFTA 82.72 ▲0.39%
ARI 4,445 ▲0.16%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1572 EUR/GBP 0.8546 EUR/CHF 0.9404 EUR/ALL 92.8093 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3046 EUR/TRY 55.4013 EUR/JPY 184.24 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1572 EUR/GBP 0.8546 EUR/CHF 0.9404 EUR/ALL 92.8093 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3046 EUR/TRY 55.4013 EUR/JPY 184.24 EUR/CAD 1.6055
₿ CRYPTO
BTC $63,488 ▲ +0.66% ETH $1,898 ▲ +0.91% XRP $0.9987 ▼ -0.2% SOL $75.3500 ▼ -0.01%
S&P 500 7,786 ▼0.17 % DOW 53,732 ▼0.2 % NASDAQ 26,729 ▼0.28 % NAFTA 82.72 ▲0.39 % ARI 4,445 ▲0.16 % S&P 500 7,786 ▼0.17 % DOW 53,732 ▼0.2 % NASDAQ 26,729 ▼0.28 % NAFTA 82.72 ▲0.39 % ARI 4,445 ▲0.16 %
EUR/USD 1.1572 EUR/GBP 0.8546 EUR/CHF 0.9404 EUR/ALL 92.8093 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3046 EUR/TRY 55.4013 EUR/JPY 184.24 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1572 EUR/GBP 0.8546 EUR/CHF 0.9404 EUR/ALL 92.8093 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3046 EUR/TRY 55.4013 EUR/JPY 184.24 EUR/CAD 1.6055
17 Aug 2026
Breaking
Bota

KOMENT – Sarajeva thyen rekordet e turizmit me mesazhin e bashkimit përmes muzikës dhe kulturës

SARAJEVË, 17 gusht /ATSH-FENA) – Sarajeva po përjeton një bum turistik, me një fluks rekord vizitorësh nga e gjithë bota.

Kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës po shijon një verë të mbushur me koncerte të mëdha, aktivitete filmike dhe evente argëtuese, duke dëshmuar se tashmë nuk është më një destinacion që vizitorët e huaj e zbulojnë vetëm për shkak të historisë së tij komplekse, por një qytet ku njerëzit vijnë për kulturën, argëtimin, gastronominë dhe natyrën.

Më shumë se 100 mijë turistë vizituan Sarajevën vetëm gjatë muajit korrik, ndërsa një seri eventesh të mëdha po e shndërrojnë qytetin në një nga destinacionet më të gjalla të Ballkanit këtë verë.

Dyzet vjet pas Lojërave Olimpike Dimërore, Sarajeva po dëshmon sërish fuqinë e saj për të tërhequr njerëz nga e gjithë bota, këtë herë përmes muzikës, filmit, artit dhe gjallërisë së jetës urbane.

Dino Merlin, magjistari i muzikës, mbledh 200 mijë spektatorë

Një nga momentet më të jashtëzakonshme të verës erdhi në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, kur më shumë se 200 mijë njerëz mbushën stadiumin “Kosevo” gjatë tri netëve radhazi për koncertet e yllit të muzikës rajonale, Dino Merlin.

Përmasat e eventit ishin të paprecedenta, por edhe më domethënëse ishte ajo që krijoi, muzika e një artisti bashkoi njerëz nga vende të ndryshme të Evropës dhe e shndërroi edhe një herë stadiumin olimpik në një vend bashkimi.

Njerëz nga i gjithë rajoni dhe nga vende të ndryshme të Evropës udhëtuan drejt Sarajevës për koncertet e tij.

Mes tyre kishte edhe vizitorë që nuk flisnin gjuhën boshnjake, por që kishin mësuar të këndonin këngët e Merlin.

Disa e vizituan qytetin për herë të parë pikërisht për shkak të tij.

Chiara Fortunato nga Barcelona udhëtoi drejt Sarajevës për koncertin, ndërsa Zuzana Bajer mësoi gjuhën boshnjake për shkak të muzikës së Merlin dhe më vonë u zhvendos në Sarajevë.

Histori të tilla tregojnë se fenomeni nuk mund të matet vetëm me numrin e vizitorëve.

Njerëz nga e gjithë bota erdhën sepse ishin dashuruar me muzikën që nuk e kishin dëgjuar gjatë rritjes së tyre dhe që nuk e kuptonin domosdoshmërisht në aspektin gjuhësor.

Por imazhi më i fuqishëm ishte edhe më i thjeshti, më shumë se 200 mijë njerëz duke kënduar së bashku për tri ditë.

Ajo që ndodhi në “Kosevo” u përhap shpejt në pjesën tjetër të qytetit.

Gjatë tri ditëve të koncerteve të Dino Merlin, Sarajeva regjistroi rreth 78 milionë euro qarkullim fiskal, ndërsa hotelet dhe akomodimet private patën vështirësi për të përballuar rritjen e kërkesës.

Fluksi i vizitorëve u ndje shumë përtej stadiumit, në restorante, kafene, dyqane, transport dhe biznese të tjera.

Eventet e mëdha po bëhen kështu gjithnjë e më shumë një forcë shtytëse për turizmin e Sarajevës, ato tërheqin vizitorë të rinj, zgjasin qëndrimin e tyre dhe u japin një arsye për të eksploruar qytetin përtej eventit për të cilin kanë ardhur.

Qendra e festivaleve të rajonit, nga muzika te filmi

Pas koncerteve të Merlin, Sarajeva vazhdoi aktivitetet pothuajse pa ndërprerje, me një kalendar të ngjeshur eventesh të mëdha.

Koncerti i grupit legjendar “The Prodigy”, më 13 gusht, solli një tjetër valë të madhe vizitorësh, ndërsa vetëm një ditë më vonë qyteti kaloi nga ritmet e koncertit në atmosferën kinematografike me hapjen e Festivalit të 32-të të Filmit të Sarajevës.

I themeluar në vitin 1995, gjatë vitit të fundit të rrethimit të Sarajevës, SFF është shndërruar në një nga eventet më të rëndësishme të filmit në Evropë.

Mes të ftuarve të këtij viti janë Woody Harrelson, Emily Watson, Paweł Pawlikowski, Diego Luna, Asghar Farhadi dhe Céline Sciamma.

Festivali i Filmit të Sarajevës është një nga shembujt më të mirë të transformimit të qytetit.

Një event që lindi në një kohë kur Sarajeva ishte simbol i luftës, sot është shndërruar në një nga markat e saj kulturore më të njohura ndërkombëtarisht.

Gjatë festivalit, qyteti është pothuajse vazhdimisht i gjallë me shfaqje filmash, koncerte, festa dhe takime me të ftuar nga e gjithë bota.

Këtë verë, muzika dhe filmi po tregojnë të njëjtën histori – atë të një qyteti që bashkon njerëzit.

Megjithatë, ajo që i mban turistët në Sarajevë shkon shumë përtej eventeve të mëdha.

Brenda vetëm pak minutash ecjeje, vizitorët mund të përshkojnë disa shekuj të historisë evropiane.

Bascarsija ruan arkitekturën osmane, rrugët e vjetra të zejtarëve, xhamitë, hanet dhe traditën e kafesë boshnjake, ndërsa vetëm disa qindra metra më tej, rrugët dhe ndërtesat pasqyrojnë periudhën austro-hungareze.

Në qendër të qytetit, brenda disa qindra metrash nga njëra-tjetra, ndodhen xhami, kisha dhe një sinagogë.

Për këtë arsye Sarajeva është përshkruar shpesh gjatë historisë si një pikëtakim i kulturave dhe feve.

Historia e saj përfshin gjithashtu ngjarje që ndryshuan botën, mes tyre vrasjen e trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand, një ngjarje që çoi drejtpërdrejt në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

Në qytet ndodhen gjithashtu shumë vende që ruajnë kujtesën e rrethimit të Sarajevës gjatë viteve 1992–1995.

Për disa vizitorë të huaj, Sarajeva ende lidhet kryesisht me luftën, për shkak të pamjeve televizive të viteve ’90.

Por qyteti i sotëm paraqet një pamje shumë të ndryshme. Rrugët qendrore janë të mbushura me turistë, restorante, kafene, festivale dhe aktivitete kulturore.

Në të njëjtën kohë, Sarajeva ofron diçka që shumë kryeqytete evropiane nuk e kanë, malet olimpike që mund të arrihen në vetëm rreth 15 minuta.

Trebeviqi ngrihet drejtpërdrejt mbi qytet, ndërsa Bjelasnica, Igmani dhe Jahorina janë gjithashtu lehtësisht të arritshme, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të kombinojnë një pushim urban me ecje në natyrë, çiklizëm ose sporte dimërore.

Një tjetër traditë e pazakontë e Sarajevës lidhet me Bentbasën, vetëm pak minuta larg Bascarshisë, ku zhvillohen kërcime nga shkëmbinjtë në lumin Miljacka.

Pak kryeqytete evropiane organizojnë një aktivitet të tillë sportiv në zemër të qytetit, të rrethuar nga shkëmbinj dhe një mjedis historik urban.

Të gjitha këto po kontribuojnë në rritjen e popullaritetit të Sarajevës si destinacion turistik.

Por ndoshta Sarajeva e kësaj vere kuptohet më mirë përmes asaj që ka ndodhur mes Kosevës dhe rrugëve të festivaleve të qytetit.

Dyzet vjet më parë, njerëzit erdhën në Sarajevë për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike.

Pas luftës, në vitin 1997, “U2” dha një mesazh të fuqishëm me koncertin në “Kosevo”, duke treguar se Sarajeva ishte rikthyer në botë.

Sot, katër dekada pas Olimpiadës, njerëzit po vijnë sërish në Sarajevë, por këtë herë për të festuar.

Ata vijnë për muzikën, filmin, artin, gastronominë dhe energjinë e jetës së qytetit.

Vijnë për emra të mëdhenj të kulturës botërore, por edhe për artistët e këtij qyteti, këngët e të cilëve udhëtojnë shumë përtej kufijve të tij./ /Ad.Ab./ a.jor.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.