Komisionerja Marta Kos nesër në Tiranë, takim në Kryesinë e Kuvendit për negociatat e anëtarësimit në BE
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, do të zhvillojë nesër një takim në Kryesinë e Kuvendit me deputetë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, në fokus ecuria e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, do të jetë nesër në Shqipëri, ku, siç njofton Shqiptarja.com, do të zhvillojë një takim në Kuvendin e Shqipërisë me deputetë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe anëtarë të komisioneve parlamentare.
Në fokus të diskutimeve do të jetë ecuria aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, ndërsa pjesëmarrësit do të ndajnë këndvështrimin e tyre lidhur me sfidat që shoqërojnë këtë proces.
Takimi, me temë gjendjen aktuale të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, organizohet nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) dhe do të mbahet nga ora 14:45 deri në 16:10, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Aktiviteti do të nisë me përshëndetjet e bashkëkryetarëve të KKIE-së, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe të komisioneres Marta Kos.
Më pas diskutimet do të vijojnë me përfaqësuesit e grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, ndërsa fjalën përmbyllëse do ta mbajë komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.