Komisioni Evropian kërkon nga Maqedonia që t’i kthehet rrugës euro-atlantike
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KE-së, Maja Koçijançiç i ka kujtuar partive politike maqedonase se zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos ka rëndësi të madhe për kthimin e Maqedonisë drejt rrugës euro-atlantike.
“Presim që të gjitha partitë politike dhe organet e shtetit të bashkëpunojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe menjëherë të sigurohet mbështetja e nevojshme e KSHZ-së, me qëllim që të organizohen zgjedhje të besueshme”, ka deklaruar Koçijançiç.
Sipas saj, Brukseli vlerëson se ka hapësirë dhe kohë që të zbatohen reformat e nevojshme zgjedhore, me qëllim që të ketë zgjedhje korrekte.
“Në këtë fazë, së bashku me OSBE-ODIHR, besojmë se ka mundësi të bëhen reformat e nevojshme për zgjedhje të besueshme, me kusht që ato të zbatohen. Por, e tërë kjo varet nga progresi i arritur dhe për këtë arsye, nga mesi i muajit shkurt do të vëzhgojmë këtë, në veçanti lidhur me listën zgjedhore”, thotë Koçijançiç.
Lidhur me ligjin për mediat, ku edhe kanë ngecur bisedimet ndërpartiake për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, Koçijançiç u ka bërë thirrje partive politike që të bashkëpunojnë për zbatimin e reformave të nevojshme.