Komisioni Evropian për Malin e Zi: Të ruhet fokusi dhe mbështetja e gjerë politike për reformat e mbetura
Përgjigjja e KE-së pas dështimit të seancës për shkarkimin e Mandiqit: Mali i Zi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt negociues, por reformat e mbetura, veçanërisht në sundimin e ligjit, duhen përfunduar
Komisioni Evropian i është përgjigjur gazetës Vijesti në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi, duke theksuar se në fazën përmbyllëse të negociatave të aderimit është thelbësore të ruhen fokusi dhe mbështetja e gjerë politike për reformat e mbetura, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Në përgjigjen e tij, Komisioni vlerëson se Mali i Zi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt negociues dhe po përparon stabilisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Gjatë verës, vendi përshpejtoi reformat sektoriale në të gjithë kapitujt — provë e qartë se puna dhe përkushtimi i Malit të Zi japin fryt”, thuhet në përgjigje, ku shtohet se Brukseli do të vijojë ta mbështesë Podgoricën në rrugën e saj evropiane.
Deklarata e Komisionit vjen në një moment tensioni politik, pasi opozita njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me qeverinë dhe mazhorancën parlamentare. Shkak u bë dështimi i seancës së djeshme të Kuvendit, ku duhej të diskutohej shkarkimi i kryetarit të tij, Andrija Mandiqit — në sallë ishin të pranishëm vetëm 39 deputetë, dy më pak se kuorumi i nevojshëm.
Sipas raportimeve, Mandiqi nuk lejoi transmetimin televiziv të thirrjes së deputetëve dhe as hyrjen e përfaqësuesve të mediave në sallën plenare. Nisma për shkarkimin e tij mund të kthehet sërish në rend dite në seancën e parë të sesionit të rregullt parlamentar, të caktuar për 1 tetor.
Burimi: Vijesti



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.