Politika

Komisioni hetimor i propozon Kuvendit shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së

cefa11-524x350Komisioni hetimor i propozoi sot Kuvendit shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelcajt. Raporti përfundimtar i paraqitur sot në komision, ditën e hënë pritet t’i shkojë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe brenda 7 ditëve do të përfshihet në rendin e ditës së punimeve të parlamentit për votim.
Gjatë paraqitjes së raportit, kryetari i këtij komisioni, Armando Subashi, tha se gjatë procesit të hetimit janë konstatuar shkelje nga dy anëtarët e KLD-së. “Komisioni hetimor i propozon Kuvendit miratimin e raportit përfundimtar. I rekomandojmë Kuvendit në kuadër të reformës në drejtësi përmirësimin e kuadrit ligjor dhe akteve nënligjore të nxjerra nga KLD. I propozojmë Kuvendit shkarkimin e Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt për shkak të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese”, nënvizoi Subashi.
Më pas, anëtari i komisionit hetimor për shkarkimet në KLD, Spartak Braho, theksoi se nuk mund të lihet që çështja e emërimeve të jetë në dorë të sekserëve. “Ne nuk mund të lëmë që sekserë të ndryshëm të ndikojnë negativisht në emërime. Materiali është analizuar mirë dhe është punuar me kujdes. Për mua nuk ka rëndësi shkarkimi, por ka rëndësi si do të funksionojë KLD-ja, e cila është kthyer në batak, në kënete”, u shpreh deputeti i LSI-së. Ai shtoi se ne kete rast nuk është për t’u shkarkuar vetëm Çefa dhe Lelçaj, por janë për t’u shkarkuar të gjithë.
Subashi bëri të ditur se raporti është voluminoz dhe me shumë faqe dhe se shumë shpejt ai do bëhet publik përmes faqes zyrtare të Kuvendit. “Sot ndalemi në momentet kyçe të këtij raporti”, shtoi kryetari Subashi.
Sipas kreut të komisionit, veprimtaria e KLD-së për promovimin e anëtarëve të saj është në kundërshtim të parimit kushtetues.”Në punën tone ne i jemi përmbajtur atyre pikave të kërkuara nga grupi i deputetëve që kërkoi ngritjen e komisionit hetimor. Veprimtaria e KLD-së me promovimin e anëtarëve të saj është në kundërshtim të parimit Kushtetues”, tha Subashi.
Një tjetër shkelje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sipas tij, është dhe ajo që lidhet me emërimin e magjistratëve të rinj nëpër gjykata. Sipas Subashit, magjistratët që kanë përfunduar shkollën në 2014-n vijojnë të jenë ende pa emërim.
Duke përmendur disa shkelje të tjera të KLD-së, Subashi theksoi se “emërimi i Gjin Gjonit, Neshat Fanës apo promovimi i Ilir Mustafajt, janë tregues të qartë të shkeljes së ligjit dhe kushtetutës. KLD nuk ka bërë sa duhet për të shmangur konfliktin e interesit”, nënvizoi kreu i komisionit hetimor.
Gjatë paraqitjes së pikave kyçe të raportit përfundimtar, Subashi vijoi me një tjetër shkelje të KLD-së, që është marrja prej saj e kompetencave që i takojnë Ministrit të Drejtësisë. “Momenti i tretë është marrja nga KLD e kompetencave të Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakante nëpër gjykata. Kjo nga komisioni konsiderohet si një shkelje e së drejtës së parimit të balancës mes pushteteve, tha Subashi.
Nderkohe, anetari i komisionit, Braho, bëri me dije se komisioni ka vërtetuar shkeljet e KLD-së, duke cënuar kështu ligjin dhe kushtetutën. “KLD ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjin dhe shkeljet janë kryer me dijeni. Ne kemi pasur një bandë që drejtonte drejtësinë shqiptare. KLD është deformuar rëndë dhe ka pasur kryetar atë që është Presidenti i Republikës, i cili është bërë palë dhe ka qenë amator në drejtimin e KLD-së”, u shpreh deputeti Braho.
Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe akuzat ndaj presidentit Nishani, i cili theksoi Braho, mban njësoj përgjegjësi për shkeljet si Çefa dhe Lelçaj dhe duhet të përgjigjet për këtë. “Kërkoj që në këtë raport të përfshihet edhe përgjegjësia e kryetarit të KLD-së, Bujar Nishani”, tha Braho.
Në mbështetje të këtij qëndrimi u shpreh dhe kryetari i komisionit, Subashi. “Bie dakord me atë ç’ka tha Braho për rolin e Presidentit, pasi pjesën kryesore të përgjegjësisë në shkeljet e KLD-së e ka edhe Presidenti. Unë jam dakord me ate që u tha për të përfshirë në raportin përfundimtar një paragraf me përgjegjësinë e Presidentit të Republikës”, tha Subashi.
Dy ditë më parë, anëtarët e KLD-së, Çefa e Lelçaj, u thirrën në një seancë dëgjimore në komisionin hetimor për të dhënë shpjegime rreth çështjeve të ngritura në kërkesën e deputetëve maxhorancës, që kërkojnë shkarkimin e tyre për shkak të shkeljes së ligjit.
Më 25 shtator, Kuvendi, me kërkesë të deputetëve të maxhorancës, miratoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nënkryetarit Çefa dhe anëtarit Lelçaj, me argumentin për shkelje të rënda të ligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button