Kompanitë e huaja transferuan 238 milionë euro fitime në 2015-n, rritje 11%
Pavarësisht se ekonomia po kalon ditë të vështira dhe shumë sipërmarrje me zor po arrijnë të mbijetojnë në treg, për kompanitë e huaja këto po rezultojnë periudha të arta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se sipërmarrjet e huaja kanë transferuar jashtë vendit 238 milionë euro në 2015-n, me një rritje prej 11% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Në krahasim me 2013-n, fitimi i transferuar është trefishuar (shiko grafikun).
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm për tremujorin e katërt 2015, fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ishte 74 milionë euro, nga të cilat 41 milionë euro janë në formën e pagesave të dividentëve dhe të fitimit të riinvestuar, si pjesë e investimeve direkte në Shqipëri.
Sipërmarrjet e huaja transferuan përgjithësisht në 2015-n fitimet e vitit të mëparshëm. Bankat dhe shoqëritë me kapital të huaj të telekomunikacionit kryesojnë në listën e sipërmarrjeve më fitimprurëse në vend, një pjesë të konsiderueshme të të cilave i transferojnë te mëmat jashtë vendit.
Sipas të dhënave të 100 sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve, bankat me kapital të huaj dyfishuan fitimet në 2014-n, duke dhënë efektin kryesor në këtë tendencë.
BKT ishte kompania me fitime para taksave më të mëdha në vend, prej 6 miliardë lekë, pothuajse dyfishin në raport me 2013-n. Raiffeisen i zgjeroi fitimet nga 4.8 në 5.5 miliardë lekë dhe Intesa SanPaolo nga 1.2 në 2 miliardë lekë. Tendenca pozitive ka vijuar dhe në 2015-n, ku për 9-mujorin, fitimi i sistemit bankar është rritur 33% me bazë vjetore.
Ndërsa kompanitë celulare, AMC dhe Vodafone, shënuan rënie të fitimeve përkatësisht me 34% dhe 48%, megjithatë ato vijojnë të mbeten ndër shoqëritë që gjenerojnë më shumë fitime në tregun shqiptar (në vlerë absolute fitimet ishin përkatësisht 2.9 dhe 1.8 miliardë lekë).