Ekonomia

Kompanitë e kredive të këqija; qeveria dhe BSH, plan selektimi

Fati përfundimtar i 35 kompanive që kanë peshën më të madhe të kredive të këqija në Shqipëri do të vendoset brenda dhjetorit.

Top Channel zbardh të plotë planin zyrtar të masave që autoritetet do të vënë në jetë për të zgjidhur një nga nëgrçet më të mëdha të ekonomisë, atë të kredive me probleme.

Plani, i bashkëfirmosur nga autoritetet më të larta të vendit, përkatësisht kryeministri Edi Rama dhe guvernatori Gent Sejko, parashikon 12 masa, por ajo më e rëndësishmja është trajtimi i borxhlinjve më problematikë të vendit.

Sipas dokumentit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave dhe asistencën e Bankës Botërore do të përcaktojë brenda muajit dhjetor se sa nga 35 kompanitë do të shkojnë për ekzekutim, sa do çohen në falimentim dhe cilat do të ristruktorohen.

Pas këtij përcaktimi, brenda dhjetorit të vitit të ardhshëm i gjithë plani duhet të jetë ekzekutuar. Të dhënat zyrtare tregojnë se 35 kompanitë në fjalë, emrat e të cilave nuk bëhen publike, kanë mbi 52 për qind të totalit të kredive me probleme.

E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se këto kompani ose grupe tregtare kanë në total rreth 65 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të këqija, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare.

Megjithatë, edhe pse është një nga pikat më të rëndësishme ajo e trajtimit të borxhlinjve më problematikë, nuk është e vetmja. Veç kësaj autoritetet parashikojnë edhe 11 masa të tjera të detajuara nga amendimet në Kodin e Procedurës Civile, deri në ndryshimin e procedurave të përmbarimit, për t’i bërë ato efikase.

Ndërkohë që brenda vitit pritet të miratohet edhe ligji i ri i falimentit, i cili e bën më të lehtë vendosjen në faliment të kompanive të vdekura financiarisht. Autoritetet thonë se është e rëndësishme që të zgjidhnin ngërçin e krijuar nga borxhi i keq në ekonomi.

Dy muajt e ardhshëm pritet të jenë intensivë në këtë drejtim, pasi shumica dërrmuese e masave për uljen e kredive të këqija, qoftë ndryshimet ligjore apo ato procedurial, e kanë si afat përfundimtar fundin e vitit. Në fund të tremujorit të dytë, kreditë e këqija ishin rreth 20.3 për qind e totalit, ose mbi 110 miliardë lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button