Koncesion i parkingjeve publike, Basha pezullon projektin: Të shtyhet për 5 vjet prej krizës
Kreu i Bashkisë së Tiranës, dhe njëkohësisht shefi i opozitës, Lulzim Basha tha sot se do të kërkojë shtyrjen e vendimit për dhënien me koncesion të parkingjeve publike me afat kohor 35-vjeçar.
Propozimin ai do e kalojë në Këshillin Bashkiak, duke kërkuar që një vendim i tillë të shtyhet për të paktën 5 vjet, për të mos rënduar më tepër xhepat e qytetarëve të cilët janë përfshirë nga kriza ekonomike.
“Kjo do të bëhet për të mos rënduar edhe më tepër xhepat e qytetarëve, në kushtet e një krize ekonomike që ka ardhur nga puna e qeverisë aktuale. Problemi i trafikut dhe parkimit në Tiranë është një problem i tmerrshëm. Në planin tim zgjidhja e këtij problemi përbëhet nga disa programe. Programi i parë është në infrastrukturë, i dyti në teknologji, dhe i treti ka të bëjë me parkimet publike. Në rastin e parë kemi bërë progres në Tiranë. Kemi planifikuar së bashku me qeverinë e atëhershme, zgjatimin e unazës, e cila për fat të keq është zvarritur me ndryshimin e qeverisë. Kemi projektin e ‘Bulevardit të Ri’ të Tiranës, i cili është bllokuar po nga qeveria. Kjo qeveri, dhe ai person që bllokon në mënyrë kriminale është ministri Cani me urdhër të Edi Ramës. Pra vetëm në këtë fushë lufta politike që i është shpallur Bashkisë së Tiranës i ka kushtuar 3500 vend parkime të parealizuara. Përqasja për parkimet publike, është kjo, tani taksohet 5% të parkimeve dhe me planin tonë taksohen 15%.
Por në kushtet kur ka vrima nga ana e qeverisë dhe të krizës ekonomike ku e kanë zhytur vendin, dhe për të dalë nga kjo krizë nuk duhet rënduar më shumë qytetari. Në këtë drejtim kërkoj heqjen e taksës së transportit publik, uljen e çmimit të karburantit, uljen e çmimit të energjisë. Në këto kushte, gjykimi im është se ky nuk është momenti për të rënduar qytetarët e Tiranës, qoftë edhe me këtë 3-fishim të hapësirave të parkingjeve publike që do të futeshin në projekt me propozimin tonë. Në këto kushte unë do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak shtyrjen e propozimit për koncesionin e parkingjeve private ” , theksoi Basha. Gjithashtu kreu i Bashkisë inauguroi sot rihapjen e kopshtit nr 41, pasi procesit të rikonstruksionit. Basha tha se punimet janë me standardet evropiane dhe jo sa për sy e faqe.