Ekonomia

Konçesioni për TVSH-në, në 20 shkurt shpallet tenderi ndërkombëtar

Qeveria do të çelë zyrtarisht procedurat për partneritetin publik-privat për mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar.

“Mendohet që pas 20 shkurtit të vijojmë me hapjen e proçedurave, ose shpalljen e termave të referencës në Agjencinë e Prokurimit Publik”, deklaron zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj.

Pas shpalljes së referencave, kompanitë e interesuara do të kenë 60 ditë kohë për të paraqitur ofertat në tenderin e hapur ndërkombëtar.

“Ka kompani që kanë pyetur në detaje për termat e referencës dhe studimin e fizibilitetit dhe unë shpresoj të kemi një ofertues”, thotë Beqiraj.

Propozimi për konçesionin e TVSH-së erdhi nga një kompani private nga Hong Kongu, e cila sipas Beqirajt, në këtë fazë është vetëm si propozuese dhe jo ofertuese.

“Në proces, deri në këtë moment të tij, ne nuk duhet të vlerësojmë kompaninë që bën propozimin. Nëse ky propozues do jetë edhe ofertues, pasi të kenë ndryshuar termat e referencës, atëherë unë do të vlerësoj atë dhe kompanitë e tjera si kontraktorë për ofertën që do të sjellin”, nënvizon Beqiraj.

Kompania private do të ndërtojë një sistem të posaçëm kompjuterik, i cili gjurmon transaksionet e biznesit dhe individëve, çka sipas qeverisë do të ulë evazionin.

Për këtë, privati do të shpërblehet sipas një formule të përcaktuar. Por opozita akuzon se ky është një projekt i paligjshëm dhe korruptiv, pas të cilit qëndrojnë njerëz të lidhur me pushtetin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button