Kronika

Byroja e Hetimit, Tahiri: Procesi drejt përfundimit; Braho: Strukturë e domosdoshme

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, deklaroi sot se puna për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, organi që do të hetojë zyrtarët e korruptuar, është drejt përfundimit. Po ndiqen të gjitha hapat e nevojshëm për krijimin e saj, në mënyrë që të luftohet korrupsioni edhe në nivelet e larta.
“Në kuadër të rezultateve inkurajuese të viteve të kaluara, edhe Byroja e Hetimit do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në nivelet e larta. Kjo është në koaludimet përfundimtare dhe zgjatja e kohës për shkak të procesit nuk ka asnjë arsye ta dëmtojë produktin”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Për të njëjtën çështje, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, kryetar i komisionit të Sigurisë Kombëtare ndërsa pohoi domosdoshmërinë e ngritje së kësaj strukture, theksoi se partitë aleate të koalicionit qeverisës, PS dhe LSI, nuk kanë asnjë mosmarrëveshje mes tyre për ngritjen e Byrosë së Hetimit.
“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje PS-LSI për këtë institucion. Pas rrëzimit nga Kushtetuesja nuk ka ardhur material për këtë ligj, ndërsa ngritja e kësaj strukture është e domosdoshme”, tha Braho.
Ai theksoi se Byroja e Hetimit duhet të jetë nën varësinë e Prokurorisë së Përgjithshme, ndersa vuri në dukje vonesat e panevojshme në ngritjen e kësaj strukture.
Më 17 prill 2015 Gjykata Kushtetuese rrëzoi krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, krijimi i së cilës ishte parashikuar në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, i miratuar në vitin 2014 me votat e maxhorancës.
Gjykata e konsideroi “të papajtueshëm me Kushtetutën”, ngritjen e kësaj strukture, e cila u kundërshtua nga opozita, por në atë kohë dhe nga Presidenti Bujar Nishani, i cili e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Ngritja e Byrosë së Hetimit kishte dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht të FBI-së amerikane, e cila do të ndihmonte autoritetet shqiptare në funksionimin e këtij institucioni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button