Konfirmohet rast i izoluar i murtajës në bagëtitë e imta në Bulqizë
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njoftoi konfirmimin e një rasti të izoluar të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Bulqizë.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është evidentuar më 30 mars 2026 në një fermë me 220 krerë dhi, në fshatin Okshatinë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në laboratorin referencë të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit.
Menjëherë pas konfirmimit, strukturat veterinare kanë ndërhyrë në terren duke zbatuar masat e parashikuara në legjislacionin në fuqi dhe në planin kombëtar të kontigjencës. Është kryer hetimi epidemiologjik dhe janë përcaktuar zonat e sigurisë: zona e mbrojtur në një rreze prej 3 kilometrash dhe zona e mbikëqyrjes në një rreze prej 10 kilometrash, që përfshijnë territorin e bashkive Bulqizë dhe Dibër.
Në fermën e prekur është realizuar eliminimi dhe asgjësimi i të gjitha kafshëve të mbetura, si dhe dezinfektimi i plotë i ambienteve dhe pajisjeve. Ferma është vendosur në karantinë të plotë, duke ndaluar çdo lëvizje dhe duke zbatuar masa të rrepta të biosigurisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Paralelisht, Shërbimi Veterinar ka vijuar monitorimin intensiv në zonat përreth, duke forcuar kontrollet dhe duke informuar fermerët mbi rëndësinë e masave parandaluese. Sipas autoriteteve, nga monitorimi i kryer që prej datës 31 mars 2026 nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara apo shenja klinike të lidhura me këtë sëmundje.
AKVMB u bën thirrje mbarështuesve të deleve dhe dhive të zbatojnë me rigorozitet masat e biosigurisë dhe të njoftojnë menjëherë Shërbimin Veterinar në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta.
Murtaja e ruminantëve të vegjël nuk është sëmundje zoonotike dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve. AKVMB bën të ditur se do të vijojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut për çdo zhvillim të mëtejshëm.
e.xh/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.