Te ndryshme

Konkursi për të zëvendësuar Babagjyshin në pension

Me babagjyshat vendas që po dalin në pension, fshati bavarez Waging në Gjermani, mbajti audicionet për një ikonë të re pushimesh të fundvitit – një engjëll adoleshent për Krishtlindje. Organizuesit e eventit shpresojnë që praktika e re të tërheqë blerësit

santaKur Babagjyshi i hershëm i fshatit malor lajmëroi se ai do të dilte në pension këtë sezon pushimesh, komuniteti u detyrua të gjejë një ide të re për të shpëtuar Krishtlindjet.

Zgjidhja ishte sa e thjeshtë, aq edhe origjinale: krijimi i një ikone të re. Ata menduan për një engjëll adoleshente.

Rreth 30 aplikante adoleshente u mblodhën për të konkurruar për titullin ‘engjëlli i vendit’. Ato duhet të ishin nga mosha 12 deri në 15, të tregonin karizëm dhe të recitonin një poezi përmendësh, duke shpresuar se kështu do të fitonin ‘titullin’ e engjëllit dhe privilegjet e mëpasshme.

Posti e do që fituesja të kryejë disa nga detyrat e Babagjyshit, si për shembull të dëgjojë fëmijët dhe listën e tyre të dëshirave përpara Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

“Unë jam Helen Hasselberg, – tha njëra prej aplikanteve, 15-vjeçare dhe një bionde bukuroshe, përpara jurisë prej gjashtë vetash. – Dua të jem engjëlli i Waging, sepse i dua fëmijët dhe dua t’i bëj të lumtur”.

Fshati me 6500 banorë ka nevojë për një mrekulli Krishtlindjesh që të shpëtojë festat. Pa një Babagjysh, vendasit, blerësit dhe turistët mund të mos jenë mjaftueshëm të nxitur për të dalë nga shtëpitë në të ftohtë dhe për të bërë shpenzimet e nevojshme. Që përpara kësaj, biznesmenët vendas ishin ankuar për rënie të blerjeve.

“Babagjyshi ynë ishte pak i lodhur dhe nuk kishte asgjë të veçantë rreth tij”, tregon një anëtar i lidhjes së tregtisë.

Dorëheqja e Babagjyshit nuk ishte ndonjë humbje e madhe për vendasit, pasi shpresat për Krishtlindjet e mrekullueshme ishin shuar prej kohësh dhe tani kanë njëfarë shprese të ringjallen.

santa-kids_2092651iShpenzimet për periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri kapin një shifër prej 85 miliardë eurosh në vit në Gjermani dhe janë në rritje sipas Federatës Gjermane të Shitjes me Pakicë.

Në Berlin, vendasit bëjnë shaka kur thonë se në dhjetor është e mundur të kalosh nga lindja në perëndim të qytetit pa qenë e nevojshme të dalësh nga tregjet e Krishtlindjeve.

Por në Waging, vizitat e turistëve bien në muajt e dimrit. Tregjet e Krishtlindjeve tërheqin më tepër njerëz që duan të hanë ose të pinë, dhe jo të bëjnë blerje. Qendrat tregtare dhe blerjet nga interneti i bëjnë shpenzimet edhe më të rralla.

I projektuar për të ndihmuar në shitje, konkursi i engjëllit nuk është plotësisht i mbështetur në kapitalizëm. Vendasit thonë se në këtë rajon të krishterë, është zakonisht “Fëmija-Krisht” një engjëll biond, ai që shpërndan dhuratat për fëmijët që janë sjellë mirë dhe jo një i moshuar me mjekër që ka probleme me peshën.

“Mendoj se engjëlli mund ta zërë vendin e Babagjyshit”, tha një konkurrente 13-vjeçare e quajtur Josefa Wiedemann. “Si fëmijë, kërkoja gjithnjë për fundvit një engjëll, pasi babagjyshi dukej pak i çuditshëm”.

Ish-Babagjyshi nuk ofendohet aspak nga e gjitha kjo. Në fakt, ai ka rënë dakord të jetë në juri dhe të kurorëzojë pasardhësen e tij.

Gjithashtu, në panel është menaxheri i eventit tjetër të misit të festivalit të vjeshtës, që u përdor si imazh i festivalit të birrës në rajon.

Pas disa fazave të konkurrimit, nderi i shkoi Manuelës, e cila u shpall engjëlli i Krishtlindjeve që do të shpëtojë festat e fshatit malor të Bavarisë në Gjermani.

“Ndihem shumë e lumtur”, tha 14-vjeçarja, duke pranuar se kishte qenë nervoze. Engjëlli i sapozgjedhur ka tani shumë punë për të bërë dhe pritet t’i japë vendit një tjetër gjallëri. Ajo ka si detyrë të shpërndajë dhurata për fëmijët, të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të shëtisë në zonë me veshjen e re.

“Ne nuk presim që të kemi klientë të shumtë, por nëse nuk bënim asgjë, nuk do të merrnim asgjë”, thotë Lydia Wembacher, një agjente udhëtimi.

I.D

*Burimi: Wall Street Journal

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button