Ekonomia

Konstatohen vjedhjet

Qytetarët e Skenderajt, Drenasit dhe Deçanit më 9 janar 2011 sërish duhet të dalin në zgjedhje të jashtëzakonshme, derisa rivotim të pjesshëm do të ketë në Malishevë dhe Lipjan. 

Pas konstatimit të parregullsive të shumta, Komisioni Qendror Zgjedhor ka urdhëruar rivotim të plotë në këto komuna, pasi që PZAP konstatoi se atje kishte manipulim të votave. 

Vendimi i KQZ’së vjen pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe pas vendimit të PZAP’së, i cili ka gjetur parregullsi në mbi 40 vendvotime të komunave të lartpërmendura. 

Në zgjedhjet e përsëritura në këto komuna, KQZ do t’i ndërrojë të gjithë komisionarët. 
Anëtari i KQZ’së, Betim Gjoshi ka thënë të enjten për Express se vendimi i PZAP’së ka qenë për votim të pjesshëm edhe në Skenderaj, Drenas e Deçan, por pas marrjes së rekomandimeve edhe nga QNR’ja se atje ka pasur parregullsi, atëherë KQZ ka vendosur që në këto tri komuna votimi të ndodhë nga fillimi. 

“Është keq me e nda një pjesë të komunës me votu, e një tjetër jo. Meqenëse parregullsitë janë konstatuar në shumë vendvotime në këto tri komuna, atëherë KQZ vendosi që të tri komunat të shkojnë në rivotim më 9 janar. Ndërsa në Malishevë e Lipjan do të ketë rivotim të pjesshëm sepse konstatimet e PZAP’së dhe QNR’së për këto komuna ishin të vogla”, ka sqaruar Gjoshi. 

Sipas vendimit të PZAP’së, në Skenderaj janë vërejtur parregullsi në 30 prej gjithsejtë 70 vendvotimeve. Në Drenas janë konstatuar parregullsi në 11 vendvotime. Në Deçan 5 vendvotime dhe në Lipjan 1 vendvotim. 

“Urdhërohet KQZ që të ndërrojë të gjithë komisionarët në këto qendra të votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të rivotimit”, thuhet mes tjerash në vendimin e PZAP’së, të shtjelluar në detaje edhe për falsifikimet e votave nëpër secilin vendvotim. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqyrtuar shumicën prej 171 ankesave të bëra nga partitë politike. 

Shumica e ankesave janë konsideruar të pabazuara dhe të pafaktuara nga PZAP dhe janë hedhur poshtë. Ndërsa një pjesë tjetër e tyre është miratuar, por të cilat më shumë kanë pasur të bëjnë me gjoba të vogla për partitë politike, të cilat gjatë fushatës kanë mbuluar posterët e njëra-tjetrës. 

Vendimi i PZAP’së për rivotim në këto vendvotime vjen pas shqyrtimit të ankesave të LDK’së, Lëvizjes Vetëvendosje, Institutit Demokratik të Kosovës dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese. 

Ndryshe, partitë politike kanë qëndrime të ndryshme rreth vendimit të KQZ’së për rivotim të plotë në tri komuna dhe rivotim të pjesshëm në 2 komuna. 

Më e ashpra në reagim ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kur ka kuptuar se rivotim do të ketë edhe në Deçan, bastionin kryesor të kësaj partie. 

Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi ka kërkuar që rivotimi të ndodhë në gjithë Kosovën, e jo vetëm në disa komuna. 

“Ne mendojmë se zgjedhjet duhet të përsëriten në gjithë territorin e Kosovës, sepse janë vërejtura gjithkund manipulime me votën e qytetarëve. Konsiderojmë se është një deformim i tërë i procesit zgjedhor, prandaj zgjedhjet duhet të mbahen sërish në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Isufi për Express. 

Ai e ka konsideruar vendimin e së enjtes të KQZ’së si vendim që bën vetëm balancë, i cili e dëmton demokracinë në Kosovë. 

“Prandaj, konsiderojmë se KQZ përmes PZAP’së duhet të shqyrtojë të gjitha vendvotimet në tërë territorin e Kosovës. PZAP duhet që të gjitha vendvotimeve prej 171 ankesave që janë bërë të marrë parasysh dhe të veprojë sipas ligjit. Ne e dimë se në gjithë territorin e Kosovës ka pas keqpërdorime të theksuara dhe nëse duam që demokracia të jetë në fuqi në Kosovë, atëherë duhet të bëhet verifikimi dhe rinumërim i të gjitha rasteve të paraqitura nëpërmes ankesave”, ka thënë Isufi. 

AKR e Behgjet Pacollit njihet tashmë si parti konstruktive, kur bëhet fjalë për vendimet që nxjerrin institucionet shtetërore. 

Nënpresidenti i AKR’së, Ibrahim Makolli ka deklaruar se nëse pretendimet e partive kanë dalë të bazuara, atëherë vendimi pasues i KQZ’së është i merituar. 

“Ne do t’i zbatojmë vendimet e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës. Edhe vendimet tjera të institucioneve, AKR do t`i respektojë me përpikëri”, është zotuar Makolli. 

Vendimet e KQZ’së duket ta kenë zënë të papërgatitur Lidhjen Demokratike të Kosovës. 
Arben Gashi nga LDK nuk ka dashur të flasë për vendimin e KQZ’së, duke kërkuar që të kontaktohet anëtari i Kryesisë, Kujtim Shala. 

As ky i fundit nuk ka dashur të japë asnjë koment rreth vendimit të KQZ’së. 
“Kur ta kemi qëndrimin, ne do ta publikojmë”, ka thënë Shala. 

Rivotimi në Lipjan dhe Malishevë 
Në Malishevë do të ketë rivotim në vendvotimin me numër 3008a/01 dhe 3008a/3. Derisa në Lipjan do të ketë rivotim në vendvotimin me numër 1304e/01.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button