Kryeartikull

Kontaktet me kanabisin, të palejueshme

Ilir Dhima
Ilir Dhima

Pa u mbushuar veçse disa muaj nga realizimi i suksesshëm i operacionit të Policisë së Shtetit për shkatërrimin e plantacioneve të kanabis sativa në Lazarat, çka u vlerësua prej Brukselit edhe si një provë vullneti e Qeverisë së Tiranës në arritjen e rezultateve konkrete për reforma të thelluara, qarqeve të politikës vendase nisi të krijohej iluzioni për mundësinë në një të ardhme të afërt të kultivimit në Shqipëri të kësaj bime narkotike, kryesisht për eksport dhe për qëllime mjekësore.

Nëse fillimisht kjo mundësi u shpreh nëpërmjet mërmërimave të pazëshme, shumë shpejt u artikulua me plot gojën në rradhët e deputetëve të mazhorancës. Më saktë, nga ndonjëri prej tyre nëpërmjet pasqyrimit në 2-3 faqe të një libri të botuar vjet, nga ndokush tjetër nëpërmjet bisedimeve parlamentare këtu, madje edhe përtej Atlantikut.

Ndërkohë që operacionet e Policisë së Shtetit kanë vazhduar intensivisht për fshirjes nga harta e Shqipërisë e çdo lloj njolle (qoftë edhe mikroskopike) e prodhimit të një substance të tillë narkotike, argumentet në kah të kundërtët përqendrohen jo vetëm te depenalizimi i përdorimit vetjak të marijuanës, por edhe te sigurimi i fondeve të stërmëdha prej shtetit nga kultivimi, përpunimi dhe eksportimi, nën mbikqyrjen e tij, të një produkti të tillë të kërkuar prej industrisë farmaceutike dhe ekonomisë medicinale.

Qarkullimi i këtyre tezave “shpresëdhënëse” kanë rritur edhe më tepër tensionet e politikës shqiptare, duke u formuluar prej opozitës dhe mbështetësve të saj akuza, sipas së cilës, qeverisja aktuale nuk mund të mbajë premtimet që e sollën në pushtet dhe kërkon t’i kompensojë ato me rritjen e të ardhurave nga kultivimi i drogës.

Pavarësisht zakonit të politikës sherrxheshë të vendit tonë, që çdo situatë ireale apo ide e dyshimtë kapet menjëherë që në ajër dhe shfrytëzohet nga kundërshtarët për ndërlikim të situatave në dëm të mbarëvajtjes së punëve, çështja e kanabisit që po depërton çdo ditë e më shumë së paku në hapësirat mediatike, nuk mund të mos meritojë një vëmendje të veçantë në trajtesa propagandistike, ekonomike, sociale, kulturore, kriminalogjike dhe sidomos juridike – penale.

Në këtë kuadër, kur vendi ndodhet përpara një momenti specifik, atij të përgatitjes së zhvillimit të zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore nëpërmjet realizimit të reformës administrative-territoriale, tema e këtij komenti të sotëm vështirë që të përballet me mungesën e plotë të interesimit të lexuesit.

Ndonëse nga këndvështrimi i sotëm rreziqet për shëndetin që rezultojnë nga produktet e kanabisit mund të paraqiten më të vogla nga sa i kanë vlerësuar ligjvënësit kur miratonin dispozitat penale ndëshkuese, përsëri këto rreziqe – nisur nga niveli i njohurive të sotme sunduese në të gjithë botën – nuk mbeten kurrësesi të papërfillshme.

Kështu që konceptimi i përgjithshëm i këtyre dispozitave, referuar veprimit të produkteve të kanabisit (pa folur pastaj për ato të drogave më të forta), ende vazhdon të jetë i bazuar në nevojën e kufizimeve që parashikohen gjithshtu në Konventat e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në rrafshin global dhe në atë rajonal, si edhe në kushtetutat e shumicës së shtetve në të gjithë botën demokratike, pavarësiht se këto instrumente priren të mbrojnë çdo formë të veprimit njerëzor pa marrë parasysh çfarë peshe zë veprimtaria për shpalosjen e personalitetit.

Ky vizion fokusohet në këtë mënyrë te ekspertimet mjeko – ligjore të bëra edhe në shtetet më liberale, ku përshkruhet që konsumimi për një kohë të gjatë i produkteve të kanabisit, mund të sjellë çrregullime të sjelljes, si: letargji, indiferentizëm, ndjenja të frikës, humbje të realitetit dhe depresion. Për më tepër, kudo është hedhur poshtë edhe ideja e përhapur aty-këtu, se kanabisi ka “funksionin e mbajtësit të ritmit” për droga më të forta, përderisa me këtë duhet të përshkruhet një cilësi lëndore e produkteve të kanabisit.

Prandaj, numri i shteteve që aktualisht e legalizojnë kanabisin është shumë më i vogël, si në Sshtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në Evropë, nga sa përcaktonte në një emision televiziv të kësaj jave një deputeti ynë mazhoritar, shfaqur kohët e fundit si insistues për lejimin e kanabisit.

Nëse dikush tjetër ka shprehur mendimin se kjo tendencë do të përparojë në Evropë gjatë dekadave të ardhshme, aq më pak mund të përmenden për këtë vendet mesdhetare, ku faktori gjeografik luan një rol kërcënues. Ekspozuar përballë këtij roli, në Shqipëri janë dhënë prova të shumta, sa të rinjtë që konsumonin në vazhdimësi kanabisin, por ende të pandaluar nga organet e zbatimit të ligjit, nuk kanë qenë fort të përmbajtur sa të mos kryenin edhe krime ndaj të afërmve apo edhe ndaj të tjerëve, për të siguruar paratë për blerjen e kanabisit.

Ndërkohë, jo vetëm tregtimi i produkteve të kanabisit apo edhe e dhënies falas të tij përbëjnë një rrezik abstrakt për të tjerët, por edhe zotërimi i palejuar i rrezikojnë interesat juridike të këtyre të fundit deri sa krijojnë mundësitë për transmetim të pakontrolluar të drogës te të tretët. Nëpërmjet kësaj nxitet gjithashtu të mësuarit e të rinjve me këto mjete dhe pengohet përforcimi i personalitetit të tyre dhe rreth vetes.

Në këtë vështrim, konceptimet ligjore apo dispozitat penale këtu dhe në vende të tjera, të zhvilluara, realisht janë të përshtatshme për të kufizuar përhapjen e drogës në shoqëri dhe për të pakësuar rreziqet që dalin prej saj në tërësi. Për arritjen e këtij qëllimi, ligjvënësi nuk penalizon vetëm format e sjelljes, që janë drejtpërsëdrejti të rrezikshme për shëndetin e individit, por edhe për organizimin e bashkëjetesës sociale, për ta çliruar atë nga ndikimet e dëmshme të kontaktit me drogat.

Le të kujtojmë se sa të rinj, madje edshe fëmijë të komunitetit rom, ose se sa gra shtatzëna, që të paguar relativisht mirë (prandaj edhe të joshur) për përpunimin antiligjor dhe në të zezë të kanabisit në Lazarat, me siptoma të intoksikimit mbushnin periodikisht Spitalin Rajonal të Gjirokastrës! Rrafshimi nga Policia e Shtetit i plantacioneve atje dhe në Malësinë e Madhe ose edhe gjetkë, tek e fundit janë shprehje e detyrimit të shtetit që të jetë edhe mbrojtës e mbështetës përpara interesave të tilla juridike.

Pra, e domosdoshme është që edhe nëse aty – këtu nëpër Shqipëri vazhdon të mbillet e përpunohet kanabisi, kontaktin e përgjithshëm me produktet e tij shteti t’ia nënshtrojë një kontrolli të plotë dhe ta kërcënojë pa asnjë hezitim me penalizim.

Por…jo ta lejojë kultivimin dhe përpunimin e tij, qoftë edhe vetëm për eksport. Se do të ishte iluzion (në mos injorancë) që të pretendoje instalime këtu, së paku hë për hë, të impianteve me siguri maksimale. Madje, po të mos kishin këto procese rreziqe për individin dhe shoqërinë e vendit ku “lulëzon” droga, atëhere ato shtete që do ta importonin atë për qëllime mjekësore, siç shprehet ai deputeti në një emision televiziv, do t’u binte më lirë dhe më me efektivirtet që ta prodhonin nën juridiksionin e tyre. Mirëpo, ja që nuk ndodh kështu!

Duke shkruar këto rradhë, nuk mund të mos rrija pa shfletuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, shpallur më 9 mars 1994, i cili konsideron që dispozitat ligjore për substancat narkotike – objekt i kontrollit kushtetues të ligjit të ankimueshëm – pajtohen me Kushtetutën Gjermane, për aq kohë sa ato janë objekt i një parashtrimi të lejueshëm.

Ndërmjet të tjerave, në tekstin e këtij vendimi thuhet që detyrimi i shtetit për mbrojtje të individit dhe shoqërisë “do të kthehej në të kundërtën e vet, në qoftë se nga ligjvënësi do të kërkohej që kontakti i palejuar me produktet e kanabisit, të mos penalizohej vetëm për arsyen se substancat e tjera dehëse që nuk i nënshtrohen ligjit për substancat narkotike, sipas rrethanave, mund të shkaktonin rreziqe më të mëdha për shëndetin”, pasi për alkoolin dhe nikotinën është në fuqi një rregull tjetër.

Dhe, më tej thuhet se: “…parimi i përgjithshëm i barazisë nuk parashikon që të lihen të lira për qarkullim të përgjithshëm të gjitha substancat narkotike në të njëjtën mënyrë, për arsyen se janë lejuar edhe substancat e tjera që rrezikojnë shëndetin. Për sa i përket krahasimit ndërmjet produkteve të lkanabisit dhe nikotinës, për tregtimin e ndryshëm të tyre, ka një arssye të mjaftueshme që nikotina të mos jetë substancë narkotike”.

Ndonëse kanë kaluar mbi 20 vjet që nga shpallja e këtij vendimi, ai asnjëherë nuk është ndryshuar me ndonjë amendament të Ligjit Themelor të Shtetit Federal të Gjermanisë apo me ndonjë vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese të tij. Kështu pra, çka parashtruam më lart, qoftë edhe tangencialisht, mund ta bëjnë të qartë, se rezultatet e debatit të nisur në Shqipëri ndërmjet mendimeve të ndryshme për ndalimin e dënimit apo jo të çdo lloj kontakti me produktet e kanabisit, nuk flasin ‘pro’ ideve të atyre pak, shumë pak politikanëve, që pretendojnë të bëhet së shpejti edhe këtu kultivimi, përpunimi dhe eksportimi i kësaj substance narkotike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button