Kontratat me investuesit, produkti i parë i një procesi historik për fshatin
“Partneritet, mbështetje bazuar tek suksesi dhe jo klientelizmi, investim në prodhim, investim në dije”. Me ketë mesazh, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, zhvilluan sot paradite, takimin e radhës, me fermerë dhe investitorë në fushën e agropërpunimit të zonës së Lushnjës, i vlerësuar si rajon strategjik për zhvillimin e bujqësisë.
Gjatë këtij takimi u shpërndanë edhe kontratat e para të investimit në bujqësi e agropërpunim për aplikantët që kanë prezantuar projekte të suksesshme pranë AZHBR-së. Duke evidentuar numrin shumë të lartë të aplikimeve për të përfituar nga fondi i mbështetjes financiare, por edhe konstatimet nga takimet e këtyre ditëve me fermerë të rajoneve të ndryshme bujqësore të vendit Kryeministri u shpreh se kjo politikë e re e qeverisë ka marrë besimin dhe mbështetjen e plotë të fermerëve.
“Sot, ne jemi këtu, me krenarinë që hapim një faqe të re. Hapim një faqe të re, duke mos i shpërndarë më paratë e mbështetjes për bujqësinë për lëmosha elektorale, apo për mbajtje me hatër të klientelës partiake, por për të nxitur shembujt e suksesit, për të nxitur zhvillimin e atyre modeleve që garantojnë zinxhir vlerash, për të nxitur punësimin, për të nxitur prodhimi dhe për të nxitur eksportin. Faktikisht, në këtë qasje të re, ne kemi marrë mbështetjen e plotë të gjithë fermerëve, sepse numri i aplikimeve ka qenë si asnjëherë më parë”, u shpreh Rama. Ky numër aplikimesh, theksoi ai, tregon se fermerët shqiptarë janë gati për këtë sfidë të re, për sfidën e vlerës së shtuar, për sfidën e ciklit të mbyllur, për sfidën e mbjelljes, prodhimit, kultivimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore, për sfidën që do ta kalojë bujqësinë shqiptare dhe fshatin shqiptar në një stad të ri.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se këtë sfidë ne duam që ta përballojmë së bashku, duke vënë në dispozicion të fermerëve gjithmonë e më shumë para, por edhe gjithmonë e më shumë mbështetje përmes një Agjencie të Zhvillimit Bujqësor e Rural, që tanimë është transformuar brenda 300 ditëve, nga një zyrë indulgjencash politike, që asnjeri nuk e dinte ku ishte, përveç klientëve të partisë dhe gjithë sekserëve të korrupsionit në këtë sektor, në një instrument të BE.
Kryeministri, inkurajoi fermerë e biznesmenë në këtë sektor të hartojnë dhe të aplikojnë me projekte cilësore, si mënyra e duhur për të përfituar jo vetëm nga fondet e brendshme, por edhe për të pasur mundësi në fondin e BE-së për agrikulturën.
“Sfida jonë të dashur miq është ta bëjmë fermerin shqiptar, sot, të aftë për të aplikuar dhe jo vetëm individualisht, por edhe në grup. Për të aplikuar për të marrë fonde. AZHBR, me këtë politikë të re që ne kemi përcaktuar për fshatin sot, është instrumenti fillestar për të thithur fonde përmes aplikimit të projektit, programit të zhvillimit dhe rezultatit. Kontratat që nënshkruhen sot janë produkti i parë i një procesi krejt të ri historik për fshatin shqiptar,” – u shpreh Kryeministri.
Ndërsa u shpreh se problemet me të cilat përballet bujqësia shqiptare janë të shumta, Kryeministri theksoi se ato do të mund të përballohen vetëm duke ndërtuar një partneritet të sinqertë dhe të ndershëm të shtetit me fermerin, larg skemave të deridjeshme, abuzive-klienteliste, por duke nxitur zhvillimin e modeleve që garantojnë zinxhir vlerash.
“Ju jeni dëshmitarë, sesi për vite të tëra u abuzua me naftën, sesi në emër të zhvillimit të fshatit dhe të nxitjes së bujqësisë u hapën e zgjeruan vit pas vite kanalet e hajdutërisë dhe korrupsionit. Ju jeni dëshmitarë sesi shteti nuk u gjend asnjëherë pranë për të përballuar sëbashku me ju, probleme të mëdha që nuk përballohen vetëm dhe jeni dëshmitarë se sa shumë më tepër gjëra do të ishin bërë sikur të kishte pasur një politikë largpamëse dhe një shtet që të ishte në krahun tuaj. E pra, sot ne jemi këtu me krenarinë që hapim një faqe të re,” u shpreh Kryeministri.
Ndërsa ministri Panariti foli për nisjen e mbarë të funksionimit të skemave të partneriteti publik-privat edhe në këtë sektor.
“Prodhimi bujqësor në gjithë Shqipërinë po jeton një nxitje falë edhe mbështetjes dhe inkurajimit që po i tregojmë përditë fermerit dhe gjithë bizneseve në fushën e prodhimit dhe agropërpunimit. Ne kemi grumbullues që praktikisht po lidhin kontrata me fermerin, prodhimi po evadohet dhe për rrjedhojë po shohin gjithnjë e më shumë eksporte në rritje, gjë që përkthehet në të rritje të të ardhurave, në rritje të mirëqenies, por edhe në rritjen e ekonomisë kombëtare,” u shpreh Panariti.
Drejtoresha e AZBR-së Suela Popa theksoi rëndësinë e cilësisë dhe standardeve të projekteve.
“Me skemat e investimeve nuk synojmë thjesht të bëjmë një shndërrim nga bujqësia e mbijetesës në një bujqësi të zhvillimit, por mbi të gjitha të trajnojmë, të edukojmë dhe të ndërgjegjësojmë fermerët shqiptarë mbi këto mundësi të reja, por edhe mbi standardet dhe kriteret që ne duhet të plotësojmë, në mënyrë që të përftojmë nga këto fonde. Cilësia e aplikimeve duhet të përkthehet në projekte, të cilat garantojnë standard, teknologji e mbi të gjitha, të orientuara me kërkesat që sot ka BE,” – tha Popa.
Gjatë takimit, përfituesit nga fondi qeveritar i mbështetjes u shprehën se falë kësaj mbështetje, deri dje të munguar, synojnë të rrisin kapacitetet prodhuese, grumbulluese dhe përpunuese, të sigurojnë standarde më të larta të produktit, por edhe të garantojnë rritje të punësimit në sipërmarrjen e tyre.
Në Lushnje u firmosën 9 kontrata me investues, ku secili përfiton në bazë të kontratës 15 milionë lekë. Investuesit, sipas praktikës së re të vendosur nga AZHBR, praktikë e BE-së, më parë duhet të nisin investimin dhe shteti është i detyruar në bazë të kontratës të mbështesë në këtë vlerë, pra 15 milionë investimin e secilit.